Në ditën e dhjetë të zjarrit në Malin e Tomorit është bërë i mundur neutralizimi i plotë i të gjitha vatrave të zjarrit në Malin e Tomorit. Edhe pse me mjete rrethanore e forca njerëzore, punonjësit e ADZM Berat, zjarrfikësit dhe banorët e fshatrave përreth Tomorit arritën të neutralizojnë tërësisht vatrat e zjarrit, pas një lufte 10-ditëshe me flakët.

Situata do të mbahet nën monitorim të vazhdueshëm 24-orë pa ndërprerje, për të shmangur çdo riaktivizim të mundshëm që favorizohet nga temperaturat e larta, era dhe mungesa e shirave.

Dëmet që janë shkaktuar në Parkun Kombëtar të Malit të Tomorit llogariten shumë të mëdha, ndërkohë që pritet nga ana e specialistëve që të kryejnë në ditët në vijim edhe përllogaritjen e plotë e me shifra të çdo sipërfaqeje të djegur e dëmi të shkaktuar në Parkun Kombëtar dhe në të gjitha zonat që u përfshinë nga flakët.

Nga përllogaritjet paraprake raportohen të djegura rreth 25 ha me pisha shekullore jo vetëm brenda Parkut Kombëtar por edhe në zonën lindore e veriore të Malit të Tomorit. Po kështu, me dhjetëra strofuj kafshësh të egra që ishin bërë prej vitesh banorë të malit janë djegur dhe shumë fole zogjsh janë shuar tërësisht. Zjarri në Malin e Tomorit u shkaktua aksidenalisht pas ndezjes së një zjarri për t’u ngrohur gjatë natës nga disa banorë të fshatit Lybeshë, që mblidhnin në mal bimë medicinale. Si shkaktarë të zjarrit 2 shtetas u arrestuan nga policia dhe 3 të tjerë po procedohen penalisht në gjendje të lirë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb