TIRANE- Shuhet në moshën 85­-vjeçare një ndër personalitetet më të shquara në fushën e letrave, përkthyesi dhe filozofi Petro Zheji. Zemra e tij pushoi së rrahuri mëngjesin e kësaj të diele.

Kryemjeshtri i përkthimit dhe figura e njohur e linguistikës shqiptare u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë.

Ai ishte një ndër figurat më të shquara të gjuhësisë shqiptare duke qenjë një përkthyes, studiues dhe gjuhëtar mjaft i njohur. Poliglot që e njihte me themel shqipen dhe filozofinë e saj, njihte e zotëronte deri në rrënjë edhe gjuhën italiane, frënge, angleze, spanjolle, gjermane, ruse, hebraishten, sanskritishten e vjetër, greqishtën e vjetër dhe latinishten.

Ringjalla ” Tolstoit,”, ”Obllomovin ” i Goncarovit, (nga rusishtja), ”Vitet e zemërimt” të Shtajnbekut, (nga anglishtja), ”Zoti President “ dhe “Papën jeshil” të Asturiasit (nga spanjishtja), janë disa nga veprat e përkthyera prej filozofit dhe eruditit Petro Zheji, por pa harruar vëllimin e dytë të “Don Kishotit”, nga spanjishtja. Një vit më parë në Panairin e Librit, Petro Zheji është vlerësuar me çmimin e mirënjohjes, çmim që u tërhoq nga djali i tij, publiçisti Artur Zheji.

Petro Zheji realizoi pas një pune të thellë dhe të pandërprerë studimin e tij me dy vëllime “ Shqipja dhe Sanskritishtja”.

Homazhet
Homazhet për Zhejin u mbajtën në Muzeun Kombëtar, për rreth 1 orë, nga 14:00 deri në 15:00, ku miq, të afër, bashkëpunëtorë e politikanë i dhanë lamtumirën e fundit

Meta
Në homazhe ishte i pranishëm edhe kryeparlamentari Ilir Meta, i cili e krahasoi Zhejin me një krijues të niveleve evropiane.
“Ditë e trishtë për të gjithë, i japim lamtumirën një mendimtari dhe krijuesi të niveleve evropiane që nga koha kur Shqipëria ishte një ishull i izoluar në mes të Europës por edhe një ditë mirënjohje për trashëgiminë që ai la pas”.

Basha
Në homazhe ishte i pranishëm edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha, i cili shprehu ngushëlimet duke e cilësuar ndarjen nga jeta të Zhejit si një humbje të parikuperueshme.

“Ndarja nga jeta e Petro Zhejit është një humbje e parikuperueshme për familjen, por është edhe një humbje e parikuperueshme për letrat shqipe, për miqtë dhe apostujt e tij të elitës shqiptare të letrave, intelektualët shqiptarë. Ngushëllimet e mia për familjen Zheji, uroj që Zoti t’i japë Petro Zhejit paqen e merituar, ndërsa të gjithë admiruesve, bashkëpunëtorëve, kolegëve, nxënësve të tij të sotëm dhe të nesërm, t’u japë forcën e vullnetin për të çuar përpara mendimin, studimet e papërsëritshme dhe me vlerë që na ka lënë si amanet dhe trashëgimi e çmuar”, tha Basha.

Rama
Kryeministri i vendit, Edi Rama ka qënë ndër personalitetet e para që ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Petro Zhejit. “Trishtim i thellë për humbjen e Petro Zhejit, ustai i pashoq i gjuhës që e bëri Don Kishotin të fliste në shqip si të ishte lindur anëve tona”, shkruan ai në rrejtin social Facebook.

Kush ishte Petro Zheji
I lindur në Gjirokastër më 16 tetor 1929, Petro Zheji ka qenë arsimtar, përkthyes i sprovuar dhe gjuhëtar me erudicion. Vëllai i tij, Gjergj Zheji ka qenë një personalitet me peshën e vet në fushën e letrave.

Jeta
I biri i Spiro Ballos, i lindur më 1903 në Gjirokastër (me origjinë nga Zheji i Zagorisë) dhe i Theodorës së Niko Petridhit. I ati ka qenë oficer i shkolluar në Itali gjatë kohës së Mbretnisë, i graduar më vonë si major-kolonel. Në një bibliografi që pasqyron një libër që ka qenë i të atit të Petros, jepet grada dhe banesa, Ajutanti i Kumandës fuqisë Armate Tiranë. Ndë rrugë të Durrësit. I ati u grish nga Spiro Moisiu për me marrë pjesë në rezistencën kundër gjermanëve. Përndiqet në fund të viteve ’40 nga regjimi i rishtë komunist dhe i sekuestrohen pronat në Tiranë.

Petrua studion matematikë në Tiranë, jep mësim në gjimnazin “Qemal Stafa” dhe vajti me dhanë mësim në gjimnazin e Gjirokastrës, më tej studion për gjuhë shqipe në Universitetin e Tiranës. Punon pranë ndërmarrjes së botimit “8 nëntori”, ku botoheshin libra politiko-shoqërorë dhe si përkthyes me normë pranë shtëpisë botuese “Naim Frashëri” në kryeqytet. Martohet me aktoren gjakovare Besa Imami, martesë nga e cila më 1961, u lind djali i vetëm, Arturi. Pas 15 vjetësh martesë u ndanë dhe Petrua mbas viteve ’90 largohet drejt ShBA-së.

Me kthimin e tij vendoset në Tiranë. Me mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5 të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi dhënien e një shtese pensioni të posaçëm shtetëror 14 personaliteteve, ndër ‘to edhe Petro Zheji.

Përkthime
I përfolur si një nga përkthyesit më elitarë, cilësia e tij është në përpjestim të drejtë me vëllimin e punës së bërë. Në një artikull kulturor më 2008, botuesi i përkthimit më të mbramë të tij (“Jeta e Galileit” e Bertolt Brehtit) Mehmet Gëzhilli kumton se Zheji mund të ketë 13 mijë faqe përkthim të botuara. Përkthimi i tij i parë daton më 1958, dhe ka qenë vëllimi i parë i romanit “Bruski” të Fedor Panferov; përkthyer së bashku me të vëllanë, Gjergjin. Titujt më të shquar nga lista e gjatë e përkthimeve janë “Vuajtjet e djaloshit Verter” të Gëtes, “Sojliu mendjemprehtë – Don Kishoti i Mançës” nga Servantes, “Nipi i Ramonit” nga Didero, “Vilet e zemërimit” të Shtajnbek, “Njeriu i padukshëm” i Herbert Uells; si dhe shumë e shumë tituj tjerë nga letërsia gjermane, spanjole, australiane, estoneze, rumune, ruse, kineze, nordike. Duke u radhitur me emrat e tjerë elitarë të përkthimit si Dhimitër Pasko, Klio Evangjeli, Jusuf Vrioni, Vedat Kokona, Gjon Shllaku, Pashk Gjeçi, etj.

Përkthyesja amerikane e veprës “Rrno vetëm për me tregue”, Kathleen Schank, e ka falënderuar për ndihmën që i ka dhënë për prurjen në anglisht të dëshmisë së Át Zef Pllumit. Përpjekje kjo që Zheji e kishte ndërmarrë qysh në të gjallë të fratit.

Vepra

Atij nuk iu dha kurrë mundësia e botimit për krijimet e veta të përshkuara nga fryma e simbolizmit. Punimet e Petros “Kristologjia”, “Hyrja në Algoritëm”, “Paraqitja e Algoritmit” përcaktojnë në raportin botkuptimor dhe fizik të njeriut me natyrën, që është filluar e vazhduar nga Etërit e Kishës që nga Shën Pali e deri më sot, e që pasqyron në sferën racionale dhe shoqërore, atë përmbysje, plotësim e sintezë që bëri Krishti në anën shpirtërore dhe individuale. Bëhet i mundshëm logjikisht tërëkuptimi rivlerësues i trashëgimisë së qytetërimit, nëpërmjet trashendimit të epokës teknologjike, që del si relika e fundit e idolatrisë antike. Aty ndihet mrekullia e fillimit të realizimit të ëndrrës së herojve të tillë të mendimit si Niçja dhe Frojdi, Ainshtajni, Hajzenbergu, etj. Për gjuhën shqipe dhe për kombin shqiptar dhe rilindësit e tij, punime si “Shqipja dhe Sanskritishtja” (1996, 2001, 2011), “Gjuhët e vjetra dhe shqipja”, “ Gjuhët moderne dhe shqipja”, “Universaliteti i gjuhës shqipe”, “Libri i Aforizmave” (2012) shënojnë një ringjallje dhe rivlerësim të Rilindjes Kombëtare. Me punën e tyre rilindasit tanë, bënë çvarrosjen e kombit tonë dhe rilindjen e kristalizimin e gjuhës shqipe. Punime si të mësipërmet, tej çvarrosjes, fillojnë të ngjallin realisht kombin shqiptar në përmasat e tij primordiale e pellazgjike dhe realizojnë ëndrrën e rilindësve tanë De Rada, S. Frashëri, Fan Noli, Át Sh. Gjeçovi, Át Gjergj Fishta, etj, e madje e ndërkombëtarizojnë dhe e racionalizojnë tërësisht atë. Këto punime janë në botim e sipër. Figura si Martin Camaj, Robert Elsie, etj., kanë vlerësuar lart përmbajtjen e këtyre punimeve.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: