Zjarri që dëmtoi keq katedralen Notre-Dame në Paris u shua plotësisht, bëri të ditur Departamenti për Zjarre i Francës.

Flakët që nisën pasditen e së hënës, rrëzuan çatinë dhe majën e katedrales.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u zotua se do ta rindërtojnë monumentin, i cili konsiderohet “shpirt i popullit francez”.

Kryetarja e Parisit, Anne Hidalgo, tha se do të mbajë një konferencë donatorësh për rindërtimin e katedrales, shkruan Rel.

Policia tha se shkaku i zjarrit nuk dihet ende, por Departamenti i Zjarreve tha se ai mund të jetë “potencialisht i lidhur” me punët e renovimeve në ndërtesë.

Udhëheqësit botërorë shprehën keqardhje dhe solidaritet me popullin francez.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se ndërtesa e shekullit 12 është “simbol i Francës dhe i kulturës sonë evropiane”.

“Është aq e tmerrshme të shihet zjarri masiv në katedralen Notre-Dame”, tha presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb