Aktori i madh shqiptar Mevlan Shanaj ka postuar një rrëfim në “Facebook”, ku ndër të tjera flet për një absurditet në Shqipëri, ku pensionistët duhet të shkojnë në bankë dy herë në vit të deklarojnë se janë gjallë.

Ai thotë se kjo burokraci është shumë fyese. “Nuk e kuptoj këtë absurd pasi në Shqipëri, nuk mund të përcillesh në atë botë pa certifikatë bashkie! Nuk mundet banka të shikojë të ikurit e muajit në kompjuter apo bashkitë nuk i hedhin çregjistrimet!! Shumë fyese është kjo burokraci! Nejse, të vete nesër në bankë të konfirmoj se jam ende gjallë, ndryshe nuk ka më lëvizje paresh në bankomat!”, shkruan Shanaj.

POSTIMI I PLOTË
10 min sot nëpër Pogradec! Kaq ka shënuar telefoni! Një ecje në këmbë të mëson më shumë se çdo program i mbrëmjes në televizionet shqiptare! Sot në një dyqan të thjeshtë shitësi që rrinte duke parë filma se blerës nuk kishte, më thotë se shikon vetëm filma shqiptarë paradite dhe në mbrëmje! Me ata filma jemi rritur dhe kënaqemi! Kaloj në anën tjetër të rrugës dhe aty një burrë mbi të 50-tat më përshëndet me emër edhe pse nuk e njihja! Më thotë ke dëgjuar për Jahovajt, po i them. U kënaq dhe hapi tel për të më lexuar diçka! Për të mos e fyer, i them: Mos u mundo, nuk jam i interesuar! Si më thotë: Nuk je i interesuar të mbetesh i pavdekur! E shmanga dialogun! Më tha: Prit dëgjo o profesor se nuk je profesor i perëndisë! Qëndro dëgjoje! Ika duke menduar, ky njeri punëtor, vërtet kishte krijuar bindjen se do mbetej i pavdekshëm! Futem në dyqani tjetër për të kërkuar një dorezë për sirtar të bufesë pasi ishte dëmtuar! Mos u mundo se këtë model kemi 7 vjet që nuk e tregtojmë. Duhet t’i blesh të gjitha nga e para. Desha s’desha bëra siç më tha shitësi! Te dyqani i mishit, që është një biznes i mirë familjar sepse shikoj të punësuar katër pjesëtarët e familjes. Burri, gruaja, djali i madh që është më kryesori dhe dy djem të tjerë fare rini! (sipas meje vetëm njëri nga këta është i familjes) Me djaloshin që është kryesori shkëmbejmë herë pas here bisedë! Sot më pyeti, nëse kam ndonjë punë në dorë apo jo? I them po bëj dokumentar për Rikardin! E vura re se nuk kuptoi dhe e pyeta: E di kush është Rikard Ljarja? Me emër po, më tha! – Po Dedën e di? – Si o nuk e di! Epo ai është Rikardi! Më tej vete të tërheq para nga bankomati! Shikoj se nuk kisha aq sa doja të tërhiqja. U kujtova se nuk kam vajtur në bankë, t’u them se jam ende gjallë! Pensionistët duhet të venë dy herë në vit të deklarojnë se janë gjallë! Nuk e kuptoj këtë absurd pasi në Shqipëri, nuk mund të përcillesh në atë botë pa certifikatë bashkie! Nuk mundet banka të shikojë të ikurit e muajit në kompjuter apo bashkitë nuk i hedhin çregjistrimet!! Shumë fyese është kjo burokraci! Nejse, të vete nesër në bankë të konfirmoj se jam ende gjallë, ndryshe nuk ka më lëvizje paresh në bankomat! Deklaratën e urrej, po ja më duhen ende këto dreq lekë! Për ta mbyllur, ti Lad Prifti, kur më mësove se disa ilaçe tona rimbursoheshin pse nuk më the që rimbursimi u bëka vetëm brenda qytetit pavarësisht se nuk të japin recetën, por me kod dhe farmacia futet në kompjuter dhe mbaron punë, por brenda qytetit tënd se në një qytet tjetër nuk vleka interneti?! Keni parë apo dëgjuar kësi ligji?! Ore ligjvënës, veprimet me internet nuk duhet të kenë kaq rreze të vogël veprimi! Ka çudi në mendjet e njerëzve! Goxha gjëra mësova sot për 10 minuta!

Mevlan Shanaj Fb
Mevlan Shanaj Fb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb