Presidenti rus, Vladimir Putin u ka thënë nënave të ushtarëve rusë që luftojnë në Ukrainë, të mos besojnë në gjithçka që shohin në televizion ose lexojnë në internet. Ai ka theksuar se ka shumë “të pavërteta” që qarkullojnë lidhur me atë që Rusia e quan “operacion ushtarak special” në Ukrainë.

Sipas të dhënave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), mbi 100 mijë ushtarë nga të dyja palët u vranë ose u plagosën në luftën në Ukrainë, ndërkaq pushtimi rus shkaktoi konfrontimin më të madh midis Moskës dhe Perëndimit që nga kriza e raketave kubane në 1962. Siç raporton Reuters, gjatë një takimi, të regjistruar paraprakisht dhe të transmetuar nga televizioni shtetëror, Putin tha se liderët rusë e kuptojnë dhe ndajnë dhimbjen e atyre që humbën të dashurit e tyre duke luftuar në Ukrainë.

Nënat dëgjuan fjalët e Putinit, por komentet e tyre nuk u shfaqën menjëherë në klipin e xhiruar televiziv. Putin u zotua se nuk do të harrojë “vuajtjet e nënave që humbën djemtë e tyre në konfliktin 9-mujor”. Qindra mijëra trupa ruse janë dërguar për të luftuar në Ukrainë – duke përfshirë edhe disa prej më shumë se 300.000 rezervistëve të thirrur, si pjesë e mobilizimit që Putini shpalli në shtator.

Putin tha se nuk i vjen keq për nisjen e asaj që ai e quan “operacion special ushtarak” të Rusisë kundër Ukrainës dhe e sheh luftën si një pikë kthese në kundërvënien e Rusisë ndaj “hegjemonisë arrogante perëndimore, pas dekadash poshtërimi që nga rënia e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991”. Ukraina dhe Perëndimi thonë se Putini nuk ka asnjë justifikim për atë që ata e konsiderojnë si luftë okupuese e stilit imperialist. Ukraina thotë se do të luftojë derisa ushtari i fundit rus të dëbohet nga territori i saj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb