Ish-eksperti i ISHP-së Roland Shuperka, deklaron se në Shqipëri numërohen plot 700 mijë përdorues të duhanit. Në një intervistë për Balkanweb me gazetarin Erjon Skëndaj, Shuperka me një eksperincë 25 vjecare pranë ISHP-së, por tashmë ekspert i pavarur, thotë se studimet për duhanprirësit në vend janë abuzive e pa transparencë.

“Në Shqipëri numërohen rreth 700 mijë duhan pirës të cilët konsumojnë mesatarish 19.7 cigare në ditë. Në Shqipëri konsumohet mbi 5 mijë ton duhan në vit. Është produkt i përditshëm. Ndërsa zhdoganimi është shumë i vogël. Zhdoganohen afro 3 mijë ton në vit, ndërsa realisht 2 mijë ton humbasin. Gropa në buxhetin e shtetit është rreth 70 mln euro cdo vit vetëm nga tregtia e pakontrolluar e duhanit. “ u shpreh Shuperka.

Lidhur me deklaratat e ish-ministrit të shëndetësisë se me ligjin antiduhan shqiptarët kanë lënë duhanin, Shuperka apeloi institucionet të mos abuzojnë me këto problematika, pasi në të tilla raste duhen pyetur ekspertët, specialistët.

“Duhanprija është në shifra të larta. Në njëstudim i ISHP dhe INSTAT i cili pritet të publikohet së shpejti do të dalë shifra e duhan pirjes, 5 %. Studimi kushtoi plot, 1.2 mln euro. Këto janë shifra abuzuese, sepse edhe vetë studimi është abuzues. Mbledhja e të dhënave nuk bëhet korrekt. Ky është një program pune. S’ke pse bën trajnime e të paguash hotele për grupet trajnuese”

Shuperka deklaroi se për të marrë dietat e pagesat, grupet e studimit, nuk kanë në përbërje të tyre specialistë, ndaj mbledhja e të dhënave tek ne lë për të dëshiruar.

Një tjetër shqetësim i ngritur është duhan pirja te adoleshentët, apo në shkolla.  “Politikat e shtetit për të rritur çmimin e cigareve janë politika konform OBSH dhe janë politika për tu përshendetur. Dhe qëllimi është që të rritet çmimi me qëllim që adoleshentët mos të kenë lekë në xhep që të mos blenë cigare. Por te ne ndodh diçka shumë e çuditshme. Prapa shkollave shiten cigare të bëra vetë dhe i shesin me 500 lekë të vjetra.”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb