Përzgjedhja nga kryeministri si zëvendës të vet i një deputeti jetëgjatë në Kuvend, me disiplinën më të ulët partiake, asnjëherë i përmendur nga opozita për ndërhyrje për përfitim vetjak ose korrupsion, ka ngjallur shpresa tek njerëzit se kapja e qeverisë dhe shtetit nga oligarkët mund të pakësohet në këto dy vite të ardhshme qeverisjeje. Deputeti shtatshkurtër e zëhollë, por i mirinformuar për mbarëvajtjen e tenderave publikë, me dije të sakta për drejtimin e një ekonomie publike, mund të jetë burimi i munguar prej më shumë se 6 vitesh për një informacion të ndershëm e të padevijuar ekonomik ndaj kryeministrit.

Në jo pak raste, nëse do ketë këllqe t’u qëndrojë humoreve gri apo edhe më të errëta të kryeministrit-artist, zv.kryeministri i ri mund të luajë rolin e shpullës së fortë të mikut të vërtetë në ditë të vështirë, që të hap sytë e të largon nga gremina ku je futur. Mungesa e një këshilltari të tillë e ka bërë kryeministrin të përsërisë jo pak herë dy vitet e fundit fabulën aq të bukur (por për fat të keq vetëm trillim, përrallë) se kemi ulur borxhin publik, kur po ndodh e kundërta dhe kur informacioni i devijuar po e largon qeverinë nga besimi i njerëzve. Këtë e ka ndjerë kryeministri, që ka lexuar saktë “shuplakën” e protestës studentore, për të provuar të shkëputet nga realiteti aq i bukur, por vetëm virtual (i shtirur) i qeverisjes me njerëzit dhe për njerëzit (pa i mohuar idealin që mund të ketë për këtë të fundit).

“Shuplaka” që ka përzgjedhur për ta pasur në ekipin qeveritar duhet t’i japë kryeministrit realitetin mjeran të tenderave qeveritarë me pjesëmarrje të pakët ose asfare të kompanive serioze të huaja (sidomos nga vende aleate strategjike të Shqipërisë, Gjermania, SHBA, Italia, etj.), me justifikimin donkishotesk se gjoja tregjet e kapitalit nuk janë të interesuara për tregun shqiptar dhe ofertat e Buxhetit tonë të Shtetit.

Të moskërkimit nga kompanitë vendëse që ndajnë tregun tek ne, të kushtit të pasjes së të paktën 30 për qind të kapitalit për punën e kërkuar (një rregull i pranuar botërisht në investimet në infrastrukturë), duke bërë që kompani me kapital 5 milionë euro të fitojnë dhe nisin një investim (aks rrugor, për shembull) me vlerë 220 milionë euro! Të mungesës së qëllimshme të informacionit për praninë e investuesve strategjikë të huaj të interesuar për shërbime e investime publike, për të futur nga deriçka ofertat e pakërkuara të oligarkëve vendës. Dhe pastaj, kur këta oligarkë të paktë janë bërë bozë duke fituar tendera, për t’u thënë: “Shpikni ndonjë kompani të huaj, mundësisht në SHBA (për të gëzuar shefin tonë), që të vijë e ta marrë tenderin në emër tënd”.

Të afrimit të frikshëm të vitit “zero” kur detyrimet ndaj koncesioneve dhe Partneriteteve Publik-Privat të tejkalojnë rregullin e artë të maksimumit 5 për qind mbi të ardhurat fiskale (për ne tavani është 127 milionë euro), duke e bërë Buxhetin e Shtetit pak të aftë ose të paaftë të paguajë detyrimet e rritura kapicë. E vërteta është se borxhi publik po shtohet frikshëm, me detyrimet që nuk paguhen (vetëm për vitin 2017, qeveria qëllimisht nuk shleu 24 mijë fatura në Thesarin e Shtetit, për të mbajtur të ulur artificialisht deficitin buxhetor), me vonesat e qëllimshme me rimbursimet, për të detyruar sipërmarrës të dëshpëruar të paguajnë 10 përqindëshin për të marrë paratë e veta në kohë, si dhe me detyrimet për shlyerjet vjetore të koncesioneve dhe PPP-ve të reja, që këtë vit do të jenë 25 milionë euro dhe vitin e ardhshëm do të dyfishohen.

Realiteti i trishtë është se kemi vërtet një rritje ekonomike prej 4 për qind në vit, por që është anemike dhe nuk prodhon vende të reja pune, në atë numër sa t’u kthejë shpresën njerëzve që të mos kërkojnë në masë t’i largohen vendit, në një kohë kur justifikimi se nga të gjitha vendet ka emigracion ekonomik i ngjan gjethes që përpiqet të mbulojë lakuriqësinë e trupit. Do të jetë në gjendje Zv.kryeministri i ri t’ia bëjë të qarta kryeministrit këto realitete dhe domosdoshmërinë e ndërhyrjeve të guximshme për t’u shkëputur nga kapja e shtetit dhe zbatuar politika të mirëfillta zhvillimi? Shumë do të varet nga aftësia e tij për të punuar në një presion të çfarë presin njerëzit nga ai.

Do t’i duhet shumë qetësi brenda vetes për të përballuar arradhën administrative, edhe pse nuk ka të drejtë firme. Asnjëherë nuk e ka provuar qeverisjen. Ka bërë gjithnjë tribunin e popullit, duke përqafuar e mbrojtur kauza të drejta (çlirimin e futbollit shqiptar nga oligarkët e vet, e hapësirës publike nga ndërtimet abuzive, etj., etj.). Shpresojmë të arrijë të jetë në lartësinë e detyrës, duke bërë “shuplakën” fshikulluese të shokut të vërtetë dhe të mos katandiset t’i shërbejë “të Gjatit” thjesht për makiazh, me kapitalin që sjell në qeveri të deputetit të pakorruptueshëm, kritikues e kundër rrjedhës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb