Radikalizmi dhe rehabilitimi i personave që kanë shkuar të luftojnë në Siri për ISIS ishte në fokus të diskutimit në emisionin “Real Story” në ‘News24’.
Një diskutim që mori shkas nga historia e Alvin Berishës, pyetjes se pse ky operacion nuk mund të ndiqet në të njëjtën mënyrë edhe me fëmijët e tjerë, i është përgjigjur eksperti i çështjeve të sigurisë, Arjan Dyrmishi. Eksperti i çështjeve të sigurisë tha se jo të gjitha rastet si Alvini mundet të zgjidhen në të njëjtën mënyrë, pasi operacionet kanë kosto njerëzore dhe politike për Shqipërinë.

Ai tha se rikthimi i personave të radikalizuar sërish në vendin e tyre është një proces i gjatë, që sipas tij kërkon kohë, bashkëpunim ndërkombëtar dhe se jo çdo rast ka të njëjtën zgjidhje apo mënyrë operacionale.

“Në rastin e Alvinit e kam ndjekur debatin dhe nuk është se më ka pëlqyer mënyra se si është parashtruar, sepse nuk ka një taksonomi për këto gjëra, nuk ka një procedurë standarde. Unë psh, kam përdorur një test në bisedat me njerëz, për të thënë psh, që imagjinoni sikur ne të çonim një ambasador aty që ta zgjidhte këtë punë. Kërkesat e parashtruar nga publiku nuk ka patur parasysh elementë të caktuar që duhen ditur para se të ngrihet steka e kërkesës, psh ambasadori mund të merrej peng aty. Unë mendoj që është bërë ajo që ka qenë e mundur. Pra, institucionet tona për arsye tradicionale, sepse dihet bëhet fjalë për akses institucional, shërbimesh.. ne nuk kemi forca të tilla që të jenë të stërvitura të kryejnë operacione shpëtimi ose ekstradimi në vende të huaja, pra ka shumë specifika që duhet të merren parasysh. Ajo që ndodh është që duhet ta huazosh këtë shërbim dhe ndodh që mund ta gjesh ose mund të mos e gjesh, në rastin konkret u gjendën. A mund të jetë e aplikueshme kjo në një rast tjetër? Mund të mos jetë, sepse të gjitha kanë një kosto, operacionale apo politike. Ndaj mendoj qe edhe diskutimi më pas, që siç u bë me këtë të bëhet edhe me fëmijët e tjerë unë mendoj se është populist. Institucionet tona kanë bërë atë që kanë pasur të mundur, ne nuk kemi forca të tilla që të jenë të stërvitura për të kryer operacione të tilla në vende të huaja. Në rastin e Alvinit, Shqipëria pati mbështetje edhe nga vendet partnere, por jo gjithmonë është e aplikueshme edhe në raste të tjera pasi kosto e jetës njerëzore, operacionale dhe politike janë të larta dhe jo gjithmonë merren përsipër nga shtetet. Bashkëpunimi me vendet partnere lidhet edhe, me politikat që ato vende ndjekin ndaj terrorizmit. Diskutimi se si u shpëtua Alvini të shpëtohen edhe të tjetër më duket pak populist”, tha Dyrmishi.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb