Memorie.al publikon një intervistë me z. Nasi Gjika me origjinë nga Përmeti, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme në gjimnazin e qytetit të Ersekës ku banonte familja e tij në atë kohë, duke pasur shumë pasion letërsinë, konkurroi në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, por edhe pse doli fitues për në degën e aktrimit, ai nuk u dërgua në Arte, por në Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në Sauk të Tiranës, të cilën e përfundoi në vitin 1974, duke u diplomuar në degën e Kufirit dhe më 9 gusht të atij viti, ai u emërua si komandant i Postës Kufitare, në fshatin Mrek të Vermoshit, e cila konsiderohej si një nga pikat kufitare më të vështira, që kishte Shqipëria deri në 1990-ën. Dëshmitë e ish-oficerit Nasi Gjika, lidhur me disa nga ngjarjet e jashtëzakonshme të ndodhura në periudhën 1974-1982, kur ai shërbeu si komandant i Kompanisë Autonome të Kufirit dhe më pas si shef i Stërvitjes në Degën e Brendshme të Shkodrës. Siç ishin arratisjet në Jugosllavi të Gjeto dhe Kanto Vushaj në vitin 1974, arratisja e një familje prej pesë personash, në vitin 1978 në vendin e quajtur Livadhi Arushës, arratisja e Nikoll Hysaj (Gjeka), nga Vermoshi, në korrikun e vitit 1979, që arriti të kalonte kufirin në vendin e quajtur Gërxhare, e deri tek vrasja e dy djemve të rinj 22-24 vjeçar, nga ushtarët e postës kufitare të Taraboshit, mbi fshatin Zogaj në gushtin e vitit 1982, ku njëri prej tyre, ishte djali i Shefit të Kundërzbulimit (Sigurimit) të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Shkodrës, Pjetër Gjini. Dokumenti arkivor me siglën “Tepër sekret”,  i ish-ministrit të Punëve të Brendshme të asaj kohe, Feçor Shehu, dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së dhe personalisht Enver Hoxhës, lidhur me ngjarjet e ndodhura në kufirin shtetëror të zonës së Shkodrës dhe gjithë kufirit shtetëror të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, për periudhën 1979-1980.

Zoti Gjika,a mund të na thoni cila është origjina juaj, ku jeni shkolluar dhe përse zgjodhët të studionit në shkollën e Ministrisë së Punëve të Brendshme?

Unë jam me origjinë nga fshati Lupskë i rrethit të Përmetit, ku jam lindur e rritur dhe kam mbarur edhe shkollën  8-vjeçare. Por më pas prindërit e mi u transferuan në rrethin e Kolonjës, ku unë mbarova  hkollën e mesme, në gjimnazin e qytetit të Ersekës. Unë në atë kohë kam pasur shumë pasion letërsinë dhe në periudhën e shkollës së mesme, arrita të botoj edhe një libër të vogël, një novelë, gjë e cila ishte një arritje e madhe për këdo në atë kohë. Krahas letërsisë, gjithashtu kisha shumë pasion dhe teatrin, apo më saktë aktrimin dhe në përfundim të shkollës së mesme, në vitin 1968, unë fillova përgatitjet për konkursin që bëhej në Institutin e Lartë të Arteve dhe në Ersekë erdhi aktori Minella Borova, që punoi me mua dhe më ndihmoi shumë. Unë e fitova konkursin dhe ndërsa prisja të filloja studimet në Institutin e Lartë të Arteve, më erdhi njoftimi se unë duhej të paraqitesha në Tiranë, pranë Shkollës së Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në Sauk, ku do të filloja studimet pranë asaj shkolle.

U mërzitët që nuk i’u plotësua dëshira për të shkuar në Institutin e Lartë të Arteve?

Jo vetëm që nuk u mërzita, përkundrazi unë nuk mbahesha, fluturoja, pasi në atë kohë ishte ëndërr që të shkoje në Shkollën e Lartë të Ministrisë së Brendshme, sidomos në degën e Sigurimit. Në atë kohë, nëpër kinematë e qyteteve kryesore të vendit, kishte dalë filmi “Cili jeni ju zoti Sorge”, ku duke parë atë film dhe unë si i ri që isha, ëndërroja dhe më dukej vetja, sikur kush isha…?! Kështu në këtë situatë dhe me ato iluzione rinore dhe me indoktrinimin, unë fillova studimet në Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë.

Në çfarë dege ju caktuan?

Studiova për tre vjet ne degën e Kufirit

Pas mbarimit të shkollës, ku ju emëruan?

Pas diplomimit, më 6 gusht të vitit 1974, mua më emëruan në rrethin e Shkodrës, si komandant i Postës Kufitare në fshatin Mrek të Vermoshit, që ndodhej mbi Selcë e cila në atë kohë, ishte një nga dy pikat kufitare më të vështira, që kishte Shqipëria, për gjatë gjithë vijës kufitare.

Si e pritët emërimin në atë zonë të largët dhe aq më keq në atë pikë kufitare që siç thoni ju, ishte nga më të vështirat?

Kuptohet se nuk e prita mirë, pasi pas diplomimit, mua më thirri në një takim, shefi i grupit të shoqërimit të Enver Hoxhës, Sulo Gradeci, i cili më pyeti gjerë e gjatë dhe me çfarë kuptova, mua më kishin përzgjedhur për të shërbyer në grupin e shërbimit, që ishte pranë Enver Hoxhës, gjë e cila si duket, kishte ardhur për shkak të rezultateve të larta, që kisha pasur në Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Dhe ndërsa unë prisja që të emërohesha në atë vend, që ishte një privilegj për këdo, papritur më erdhi emërimi për në rrethin e Shkodrës, madje në Vermosh, (sot është nën administrimin e Malësisë së Madhe), pika më e largët dhe më e vështira, siç ju thashë. Kuptohet u mërzita për ku më emëruan, po lija rrugët e Tiranës e rrugicat e “Bllokut” të udhëheqjes, e po shkoja në skajin më verior të vendit, mes vështirësish të mëdha., në mes maleve të thepisura ku dimri zgjaste gjashtë muaj dhe bora shkrinte vetëm në verë…?!

Pse ndodhi kjo, përse nuk u aprovua emri juaj për të punuar në grupin e shërbimit të Enver Hoxhës, a mundët ta mësonit?

Po, munda ta mësoj më vonë, jo zyrtarisht, por nga burime të tjera, në rrugë miqësore e shoqërore. Shkak për të mos më dërguar mua aty, pranë grupit të shërbimit të Enver Hoxhës, ishte një dajo i imi, i cili ndodhej në Greqi, ku kishte shkuar si emigrant ekonomik, që nga periudha e Monarkisë së Zogut. Por edhe pse ne si familje nuk kishim asnjë lidhje apo korrespodencë me të, ky ishte shkaku, për të shërbyer pranë Enver Hoxhës, biografia të kalonte në vrimë të gjilpërës.

Prej sa vetash përbëhej efektivi në pikën kufitare të Mrekës?

Pika kufitare që komandoja unë, kishte 26 ushtarë dhe tre kuadro, dy oficerë e një nënoficer, që ishte me qenin e kufirit. Por aty nuk qëndrova për shumë kohë, pasi më ngritën në detyrë, duke më emëruar si komandant të Kompanisë së Kufirit të Vermoshit, që në atë kohë ishte tek shtëpia e Prek Calit, ku kisha zyrën. Ju thashë se më ngritën në detyrë, pasi ajo quhej Kompani Autonome dhe ishte në rang batalioni dhe unë kisha në vartësi, disa pika dhe posta të tjera kufitare, si: Lëpushë, Budaç, Bashkim, (ku ishte qendra e kompanisë), Sefërç, Velipojë, Kuadrat dhe Livadhi i Arushës. Te qendra e kompanisë, reparti që komandoja unë, kishte 7 oficerë në vartësi, të cilët mbanin detyra të ndryshme, si: shef Ndërlidhje, shef Prapavije, shef Zbulimi, shef Armatimi, shef Xhenjo, etj.

Në kohë që ju shërbenit në këtë pikë kufitare, kishte tentativa arratisje?

Nga viti 1974 e më pas pothuaj nuk kishte tentativa arratisje, për shkak të marrëdhënieve disi të mira që ekzistonin midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Pala jugosllave, i kthente ata që arratiseshin dhe nisur nga ky fakt, nuk kishte tentative arratisje. Kujtoj se në atë kohë, ka ndodhur vetëm një arratisje, ku dy persona, Gjeto dhe Kanto Vushaj, mundën që të arratiseshin nga Selca e Vermoshit, duke dalë në Jugosllavi, në zonën e Malit të Zi dhe ata nuk i ktheu pala jugosllave.

Po pas këtyre, në vitet që pasuan, a pati arratisje dhe ç’ndodhte në raste të tilla me repartet kufitare, pra a penalizohej apo dënohej njeri?

Në vitin 1978 në mos gaboj, u arratisën edhe 4 apo 5 pjesëtarë të një familje, duke kaluar kufirin në vendin e quajtur, Livadhi i Arushës, në zonën e Vermoshit. Ajo familje kishte organizuar një darkë familjare, që quhej “gost thiu”, pra një darkë ku therej një derr dhe me atë rast, të zotët e shtëpisë, thërrasin edhe miq. Duke shfrytëzuar këtë rast, ata 4 apo 5 veta, (nuk e kujtoj tani saktë, sa ishin), mundën të arratisen, duke bërë rreth 9 orë rrugë, deri sa kaluan kufirin shtetëror e dolën në Jugosllavi, pala jugosllave, ashtu si Gjeto e Kanto Vushaj, nuk i ktheu.

Çfarë ndodhi pas kësaj ngjarje me repartet e kufirit të asaj zone?

Arratisja e tyre bëri bujë të madhe, u bënë mbledhja e analiza të shumta si në repartet e Kufirit të asaj zone, ashtu dhe në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës dhe si përfundim, Ministria e Punëve të Brendshme, vendosi që, aty ku kaluan ata, pra në vendin e quajtur Livadhi i Arushës, të vendosej një postë kufitare, e cila u quajt Posta e Livadhit të Arushës.

Kujtoni të ketë pasur raste të tjera arratisjeje nga persona të ndryshëm, në zonë kufitare ku keni shërbyer ju në ato vite?

Një vit më vonë, në korrik të 1979-ës, ka pasur një tjetër arratisje. Nikoll Pjetër Gjeka apo Nikoll Hysaj siç njihej në atë kohë, e cili ishte nga Vermoshi, mundi të kalonte kufirin shtetëror krejt i vetëm, duke kaluar në Gërxharë Lipovicë, pasi kishte përshkuar rreth 4 orë rrugë, nga qendra e Vermoshit.

Si ndodhi arratisja e tij dhe u morën masa ndaj repartit të kufirit ku kaloi ai?

Këtë ngjarje, pra arratisjen e Nikollës, e kujtoj shumë mirë dhe e di me detaje çdo gjë, pasi për arratisjen e tij, unë mora masë me paralajmërim për shkarkim nga detyra e çmobilizim nga ushtria. Nikolla ishte nga Vermoshi, por për shkak të problemeve biografike, (babaj i tij, Pjetër Gjeka, i vrarë në kufi në vitet ’50-të, akuzohej sikur kishte vrarë pionierin Nik Pjetër Ndreka “Hero i Popullit”), Nikollën e kishin larguar nga zona kufitare dhe ai jetonte e punonte, diku nga Bushati i Shkodrës, në mos gaboj. Nisur nga ky fakt, sa herë që Nikolla vinte për në Vermosh, tek të afërmit e tij, vëllai etj, unë si komandant i kompanisë së kufirit të asaj zone, sinjalizohesha nga Dega e Brendshme e Shkodrës, për të gjitha lëvizjet që do bënte Nikolla, pasi ai ishte i detyruar që t’i tregonte ato kur merrte lejen, për të ardhur në atë zonë kufitare. Kjo bëhej, që unë si komandant i kufirit të asaj zone, të merrja masat përkatëse, për forcimin e ruajtjes së kufirit, gjë e cila bëhej edhe për organet e Kundërzbulimit, pra organet e Sigurimit të Shtetit, që edhe ata merrnin masat e tyre, për ndjekjen e survejimin e tij, ashtu siç i kishin rregullat dhe detyrat.

Vetëm për Nikollën ndodhte kjo, që ju lajmëroheshit për forcimin e shërbimit në kufi?

Jo vetëm për Nikollën, por edhe për të gjithë ata person të tjerë si puna e Nikollës, pra që kishin probleme të ndryshme biografike, që ndiqeshin e survejoheshin dhe ishin në përpunim nga Sigurimi i Shtetit. Për çdo person nga këta, sapo ata kalonin traun në Rrapsh, ku ishte porta e klonit dhe kontrolloheshin të gjithë, sidomos ata si Nikolla, mua personalisht si komandant i kufirit të asaj zone, më vinte sinjalizimi, se filan person, kaloi në postbllokun e Rrapshës.

U sinjalizuat ju për Nikollën?

Patjetër që u sinjalizova dhe mora masat për forcimin e shërbimit, por Nikolla mundi që të kalonte kufirin shtetëror e doli në zonën e Gucisë, pasi ai ishte banor i zonës dhe e njihte vendin mjaft mirë, pra shumë më mirë se ne pjesëtarët e reparteve ushtarake të kufirit. Sipas të dhënave që u bënë të ditura më pas, një ditë para se të arratisej, Nikolla ishte parë në qendër të Vermoshit, duke pirë kafe dhe thuhej se kishte qenë shumë i mërzitur. Ai ka qenë momenti i fundit ku ishte parë Nikolla dhe pas kësaj, ai ka marrë rrugën dhe është arratisur, duke përshkruar një rrugë, rreth 4 orë në këmbë, për të kaluar kufirin shtetëror, nga ku doli në Jugosllavi, në zonën e Gucisë.

Bëri bujë arratisja e tij dhe përveç jush, që thatë se u paralajmëruat për shkarkim nga detyra, çfarë masash të tjera u morën,  u penalizua njeri?

Arratisja e Nikoll Hysajt, bëri bujë të madhe dhe u bënë mbledhje e analiza të shumta, por çuditërisht përveç meje, që thashë se u mor masë me paralajmërim, për shkarkim nga detyra dhe çmobilizim nga ushtria, nuk pati masa të tjera.

Përse ndodhi kjo, mos ishte ndonjë lojë e Sigurimit, arratisja e tij?

Jo, aspak nuk ishte lojë e Sigurimit arratisja e Nikollës, ajo ishte arratisje tamam, po ju tregoj se si dhe në ç’rrethana u detyrua të arratiset ai. Pak më sipër ju thashë, se Nikolla kishte probleme biografike, pasi babai i tij, Pjetër Gjeka, i cili ishte arratisur nga Shqipëria në vitin 1949 në mos gaboj, akuzohej sikur, diku nga fillimi i viteve ’50-të, kishte ardhur nga jashtë si diversant, bashkë me një tjetër dhe kishte vrarë Nik Pjetër Ndrekën, pionierin 13 vjeçar, që më pas u shpall “Hero i Popullit” dhe për të u bënë libra, filma etj. Nisur nga ky fakt, pra, si familje me përbërje të keqe politike, siç thuhej atëherë, familja e Nikollës, kishte qenë e internuar në Kampin e Tepelenës dhe vetë Nikolla, si biri një “armiku të popullit”, deri ditën që u arratis, ishte nën vëzhgimin e organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, pra Sigurimit të Shtetit, etj.

Ju u shprehët, që babai i Nikollës, akuzohej se kishte vrarë Nik Pjetër Ndrekën, pse nuk ishte e vërtetë kjo?

Nuk ishte e vërtetë aspak, pasi jo vetëm i gjithë Vermoshi e dinte, se ai djal i vogël, kishte humbur jetën në mënyrë tragjike, pasi kishte rrëshqitur nga shkëmbi, duke ruajtur bagëtitë dhe babai i Nikollës, nuk kishte asnjë lidhje me atë ngjarje, por atë gjë e dinte edhe vetë familja e Nik Pjetër Ndrekës. Por edhe pse kjo dihej nga të gjithë, (madje edhe nga ne efektivat e Kufirit që shërbenim në atë zonë) askush s’guxonte ta thoshte hapur, se shkoje në burg direkt. Partia dhe shteti e kishin shpallur atë “Hero i Popullit”, duke thënë se e vrau diversanti Pjetër Gjeka dhe ishte mbyllur ajo punë, kujt ja mbante të thoshte se nuk është ashtu?!

Përse u morën masa vetëm ndaj jush?

Nisur nga problemet biografike që kishte Nikoll Hysaj, në atë periudhë kohe, disa muaj para arratisjes, (nuk mund ta them me saktësi se sa), ai pati presione të shumta nga organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, që ai të bashkëpunonte me ta. Kjo pra, që Nikolla kishte një problem të madh me ata të Sigurimit të Shtetit, dihej jo vetëm nga ne efektivat e Kufirit, por u mor vesh edhe nga populli dhe bashkëfshatarët e Nikollës. Kjo ishte lehtësisht e kuptueshme  se si ata e shikonin se njerëzit e Sigurimit, i vardiseshin Nikollës, apo ai vetë u ka tregur ndonjë pjesëtari të familjes apo miku të tij të besuar. Nisur nga ky fakt (dhe gjithashtu duke pasur parasysh se si u zhvilluan ngjarjet më vonë), logjika të thotë, se Nikolla është vënë para dy apo tre alternativave…!

Që ishin…?!

E para, që të pranonte të bëhej bashkëpunëtor me Sigurimin e Shtetit dhe të spiunonte bashkëfshatarët e tij e të tjerë që do t’i kërkohej nga këto organe, e dyta, që të mos pranonte të bënte atë punë dhe të rrezikonte arrestimin e burgun, dhe e treta të vinte kokën në rrezik dhe të arratisej jashtë vendit, ashtu siç dhe veproi në fakt. Pra, në një farë mënyre, Nikolla zgjodhi rrugën më të vështirë, duke ikur përfundimisht nga Shqipëria.

Si u komentua në popull ajo arratisje në atë kohë dhe pati dyshime që ajo mund të ishte një lojë e Sigurimit të Shtetit? Pra, që Nikolla mund të ishte dërguar jashtë me mision nga shteti?

Si çdo ngjarje e kësaj natyre, patjetër që pati përfolje, madje shumë më tepër se ç’mund të kishte ndodhur me arratisje të tjera, para, apo dhe pas tij. Por unë, nga vetë detyrat që kam pasur, (si në zonën kufitare dhe më pas në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës), nga informacionet që kam pasur e përjashtoj tërësisht dhe në mënyrë kategorike, se ajo ishte lojë e Sigurimit të Shtetit. Për të tilla gjëra, për kombinacionet e Sigurimit të Shtetit, (e kam fjalën kur shteti dërgonte njerëz me mision jashtë), ka pas disa rregulla strikte në atë kohë, që nuk mund të anashkaloheshin nga askush, kushdo qoftë ai. E para, kur shteti, do dërgonte njeri jashtë me mision, thirrej një ditë para komandanti i asaj zone kufitare, ku do kalonte personi në fjalë dhe i thuhej shprehimisht: “Nga të dhënat operative që kemi, nesër nga kjo orë deri në këtë orë, në filan vend, mund dhe pritet të ketë shkelje kufiri nga brenda jashtë, apo jashtë brenda dhe duhet të merrni masa, me të gjitha forcat dhe mjetet që dispononi, për të përforcuar shërbimin në atë vend”. Pas kësaj, unë si komandant kufiri, apo kushdo tjetër koleg i imi, nuk kishte të drejtë të pyeste qoftë dhe me një fjalë të vetme, se si e qysh, por ai urdhër zbatohej me përpikërinë më të madhe. Që do të thoshte, të gjitha forcat e kufirit që kishte posta apo pikë kufitare, duheshin përqendruar në ato koordinata, që të përcaktonte eprori dhe pjesa tjetër, lihej bosh. Kjo bëhej me qëllim, që personi që do të dilte jashtë me mision nga shteti, të mos të rrezikohej për t’u vrarë nga rojet kufitare, pasi ushtari, dihet që të vret në kufi, siç ka ndodhur me dhjetëra raste me shkelës të ndryshëm. Në periudhën që kam shërbyer unë në repartet e Kufirit, në rast se Nikollën do ta kishte dërguar shteti me mision jashtë, neve do të na ishte dhënë porosi, që Gërxharën, (vendin ku ai kaloi kufirin), mos e mbuloni me shërbim, por liheni zbuluar, se nuk ka rrezik.

Nuk i’u dha juve porosi që ku do të përforconit shërbimin?

Absolutisht jo dhe vetëm ky fakt, përjashton çdo mundësi apo hamendje, që ai mund të jetë dërguar jashtë nga shteti me mision. Kur organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme apo më saktë Sigurimi i Shtetit, rekrutonte ndonjë bashkëpunëtor, neve të reparteve të kufirit, nuk na jepej më asnjë informacion për të. Kurse për Nikollën siç ju thashë, neve na u dhanë informacione mbi lëvizjet e tij, deri ditën e fundit që ai mundi të arratisej. Por Nikolla, për të vënë në gjumë organet e Sigurimit, krijoi familje, pra më duket se u fejua në atë kohë. Lidhur me dyshimet që mund të jenë hedhur për arratisjen e Nikollës në atë kohë organet e Sigurimit të Shtetit, kishin edhe një armë të fortë, që shpesh funksiononte me shumë sukses: “Dezinformacionin”.

Që do të thotë…?

Që do të thotë se organet e Sigurimit, me metodat dhe njerëzit e tyre, hapnin fjalë për ngjarje të ndryshme, në mënyrë që populli të besonte, atë që ju interesonte atyre organeve dhe vetë shtetit. Kështu, edhe për raste të arratisjeve, kur ikte ndonjë jashtë shtetit, organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe kryesisht ato të Sigurimit të Shtetit, për të ruajtur figurën e tyre dhe njëkohësisht për ta diskretituar atë person që arratisej, si brenda ashtu dhe jashtë vendit, hapnin fjalë, sikur e ka dërguar shteti vetë me mision jashtë. Dhe e kundërta, kur shteti dërgonte njeri jashtë me mision, për ta kamufluar atë, hapte fjalë se sikur ai ishte “armik i popullit”, merrte masa dhe ndaj familjes së tij, duke e internuar, etj. Edhe për rastin e Nikollës, duket se funksionoi si jo më mirë, “arma” e dezinformimit, që përdorte jo rrallë Sigurimit i Shtetit.

Po masa që u morr vetëm ndaj jush, si e shpjegoni…?!

Menjëherë pas asaj ngjarje, pra arratisjes së Nikollës, erdhi një ekip kontrolli nga Drejtoria e Kufirit e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Dega e Kundërzbulimit, i cili kontrolli të gjithë praktikën, pra librat e shërbimit, etj. U mor masa vetëm ndaj meje, pra me paralajmërim për shkarkim nga detyra dhe deri në lirim nga ushtria. Kjo gjë mendoj, se lidhej edhe me faktin se unë, kisha pasur rezultate të mira në punën time, pra nuk kisha pasur probleme të këtilla dhe gjithashtu edhe me faktin se Nikoll Hysaj, ishte banor i asaj zone dhe ai e njihte shumë më mirë se ne, të gjithë atë vijë kufitare. Pra, të tilla raste, kishte jo pak në të gjithë zonën kufitare të rrethit të Shkodrës ku shërbeja unë në atë kohë. Memorie.al

                                                            Vijon numrin e ardhshëm

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: