Nga UVIL ZAJMI
-Historia e “Mbretit” të parketit shqiptar, që italianët kërkuan ta blinin për 100 milionë lireta, aq sa kushtonte Jabbar, lojtari më i mirë i NBA-së.

Me Agim Fagun, është e lidhur një botë e tërë sportive shqiptare, por jo vetëm. Janë pasionet e një brezi, e një rinie, për njeriun model, simbol i admiruar pafundësisht. Ai sportist i jashtëzakonshëm, shumë popullor, i famshëm, në tifozë në Pallatin e Sportit, në ndeshje, stërvitje, shëtitje, kudo, vetëm për ta parë, e për të qenë pranë tij. Një personalitet i padiskutueshëm në fushë e, jashtë saj. Takimet e bisedat me Gimin, me shumë diskutime, por ajo lidhur me “Oransodën”, na ka emocionuar thellësisht, na ka befasuar jashtë mase. Madje, kur u kthehemi atyre 40 minutave, vitin kur ajo është luajtur, na duket sikur ka qenë një tjetër kohë, si në legjenda. Po, sepse “Partizani” – “Oransoda”, përveç rezultatit, ka një pikë kulmore e që i referohet vetëm Agim Fagut, autori i 48 pikëve, që shtangu një kontinent të shportës.
Kujtoj fjalët e Sergej Biellovit, “Carit” të basketbollit rus, thënë Petrit Becit, ish-drejtorit të Kinostudios, (Klan, RTVSH-së, etj.), kur në vitin 1993, i ndodhur në Pezaro, Rimini, për Festivalin e Filmit “Nuova Cinema”, pati dëgjuar prej tij, se; “Ishte fat i madh, që Shqipëria qëndronte e mbyllur dhe ne që rrinim me shpresën që Agim Fagu, të mos arratisej. Ai ishte një lojtar i madh, me një ekip të vogël, mendoni po të luante me një klub europian të elitës”, ishte shprehur Bjellov, gjiganti i parketit.

Apo, kur nga një interesim i imi me italianët që e kanë përjetuar nga afër ato sfida, kur presidenti AL-ONESTA, njëkohësisht edhe i “Oransodës”, i ofron shifrën e 100 milionë liretave, që Fagu të transferohej në Itali, kur shifra më e lartë e një futbollisti të famshëm të kohës, si Anastasi, futbollisti i “Juventusit”, ishte 300 milionë lireta. Dhe drejtori teknik i “Oransodës”, që i shpjegonte se 100 milionë, kushton Abdul Qerim Jabbar (legjenda amerikane e NBA-së) dhe deri në 80 milionë, mund të paguhet për një lojtar në Europë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“Me Fagun, dal kampion në Itali dhe në Europë”, këmbëngulte ai. Çmimi më i madh ofruar për një lojtar në Europë. Dhe Bjellovi, që në atë periudhë ishte i pari lojtar europian i kërkuar në NBA-a, por rusët nuk e lejuan. Shumë sportiv edhe sot, me një vullnet dhe fizik të pandryshuar, ndërsa vrapon sistematikisht te liqeni, Agim Fagu, u ndal për një çast kur i kërkova që përballjen me “Oransodën”, t’ua rikthejmë lexuesve dhe sportdashësve, të shoqëruar me episode, momente të kujtuara prej tij.

Fillimisht hezitoi, u mendua dhe falë miqësisë që kemi, me shumë modesti, kërkoi të mos flitej për të. Asnjëherë nuk ka folur për karrierën e tij brilante, aq më shumë për atë mbrëmje të ftohtë dhjetori, zhvilluar gjysmë shekulli më pare, si në Pallatin e Sportit “Partizani”, e në Kantu, ku ka qenë protagonist absolut i sfidave. Një histori e rrallë në një rrëfim nga vetë Agim Fagu, legjenda e basketbollit shqiptar.

Z.Fagu, ju kujtohet momenti i shortit?

Kur pas shortit u njoftuam se ekipi ynë “Partizani”, do të luajë me kampionen e Italisë, “Oransoda”, ishte surprizë. Ishte e panjohur, por në ato vite, klubet italiane bashkë me CSKA e Moskës, “Realin” e Madridit, rivalizonin për fitimin e trofeve. Kështu na krijoi një “pasiguri” te neve dhe publiku, në kuptimin sportiv të fjalës, dhe sigurisht që pyetja ishte: Si do përgatitemi? Astriti, trajneri ynë, hartoi një program të detajuar dymujor, i cili ndërthurej me kampionatin. Përpiqeshim të mos harxhonim kohë, në ndeshjet në rrethe, si në Korçë, etj.

Kujtoj, kur një shi i madh e mbushi me ujë fushën e Korçës, na thanë ta bëjmë të nesërmen. Ne nuk pranuam dhe pranë stadiumit, gjetëm diku një fushë lagjesh, pa ujë, e vizuam, vetëm që të mbaronim takimin e të niseshim për Tiranë. I kushtuam kujdes të veçantë përgatitjes fizike dhe veçanërisht asaj taktike. Ndeshja e Tiranës duhej shfrytëzuar edhe për faktin se ata nuk na njihnin. Ishte pak më ndryshe për ne, që kishim një informacion për ata.

Pse kaq rëndësi në aspektin taktik?

Astriti gjykoi se, përballë një skuadre me kualitet e cilësi individuale të larta europiane e botërore, arma në sulm, do të ishte një kombinacion me blloqe dyshe dhe dalja ime në pozicione të lira, pasi Greva, kishte bindjen se nëse efektiviteti i precizonit do të ishte i lartë, kjo do të ishte e vetmja mënyrë, sesi ne mund të rivalizonim dhe kjo duhej shfrytëzuar. Edhe për faktin se gjatë atyre dy viteve, unë shënoja rreth 30-35 pikë në ndeshje. U përgatitëm për një mbrojtje tërësisht agresive, secili të vetin, që mbyllej përballë lojtarëve të gjatë, që ne na mungonin e na mungojnë, historikisht dhe sot. Pastaj dalja e shpejtë me kundërsulme “hap e mbyllu”, të cilat duan një përgatitje të lartë fizike.

Dhe vjen zarfi nga “Oransoda”…?!

Dhjetë ditë para ndeshjes na vjen një zarf, nisur nga Kantu, brenda të cilit ishin disa dhjetëra foto, me lojtarët e “Oransodës” të rreshtuar, në pozicione loje, dikush në driblim, një tjetër në gjuajtje, me ato uniformat e bukura, sigurisht me një mjeshtri fotografimi, që te ne krijoi një efekt negativ, pasi të dukej si një pike, që ti nuk mund të ngjiteshe deri atje. Katalogu me foto, kartolina individuale. Madje, ditën e takimit në drekë, ndërsa ne qëndronim te Hotel “Donika”, nga ballkoni, pamë lojtarët e “Oransodës” të veshur me kostume “legenate”, që shëtisnin në bulevard.

Një skuadër me amerikanë, apo jo?

Mike Lynn, lojtar qendër, i ardhur nga Ukla e Kalifornisë, katër herë kampione e Universiteteve në Amerikë, në një skuadër me Jabbar, që shkoi në basketbollin profesionist, ndërsa Lynn, erdhi në Itali. Bërxhes, amerikani europian i “Realit” të Madridit, i niveleve të larta, D’Akuila, bashkë me qendrën De Simone, të dy argjentinas. Dy lojtarë të kombëtares, kapiteni Frixherio e Rekalkati, një nga yjet e ardhshëm të basketbollit italian, si dhe disa lojtarë premtues, si; Della Fiore, Farina, etj. Kjo krijoi një atmosferë “frike” sportive.

I afrohemi ndeshjes, si ishte situata…?

Kujtoj shumë mirë, që pati një vendim pak të guximshëm. Ndeshja ishte të mërkurën, ne u stërvitëm të hënën, ku u pa një gjendje e mirë fizike, precizion relativisht i mirë dhe kjo ishte seanca e fundit, pasi vendosëm të mos bëjmë stërvitje të martën. E bëmë pushim, kundër rregullit, organizuam një shëtitje nga liqeni që na krijoi qetësi e forcë fizike dhe e vërteta është se në ndeshje, pavarësisht anës teknike, ka qenë një paraqitje fizike e mrekullueshme, që i befasoi edhe italianët. “Oransoda” nuk ishte e përgatitur për lojën tonë.

Pse…?!

Ishte ritmi i jashtëzakonshëm i yni, që i goditi dhe nuk ambientoheshin dot. Ishim agresivë në mbrojtje dhe, për fatin tonë të mirë, kishim një precizion absolut. “Oransoda” nuk ishte e përgatitur për lojën tonë. Deri në minutat e fundit, ne, ose ata përpara, kujtoj një moment, kur ishim katër pikë avantazh dhe ne mund të shkonin gjashtë pikë përpara, por Agim Lahi, i lire, nuk realizoi dhe Bërxhes e De Simone, ngaqë ne ishim të ngarkuar me personale, arritën të shënonin tre kosha, duke dalë dy pikë përpara, kur kishte edhe pak sekonda në përfundim.

Të ndalemi pak në minutën dramatike. Çfarë ndodhi?

Kishin mbetur rreth 15 sekonda, topi për ne që kishim në dispozicion vetëm një sulm. Traineri Greva, orientoi dy-tri qarkullime dhe topi adresohej tek unë. Në çastin që e marr topin, shoh një dyndje lojtarësh italianë, drejt meje dhe i ndodhur te harku i zonës, bëra një lëvizje, për t’iu dhënë idenë se do të gjuaja, apo depërtoj. Me bisht të syrit, kam parë Besnikun (Pëllumbi), e lirë, në të majtë të sulmit tone, nga koshi jugor dhe ndonëse i rrethuar, kam pasuar topin tek ai, pa e parë fare.

Në të vërtetë, në momentin e pasimit, kishin mbetur rreth 1 ose 2 sekonda lojë. Nga tavolina e gjyqtarisë, Zeneli, tekniku i orës, vendosur në një tabelë kineze, me rrathë sekondash, ngadalëson rrahjen e tyre. Pëllumbi, sigurisht hezitoi, por duke ditur që ishte mundësia e fundit dhe që loja kishte mbaruar, e gjuajti me një gjysmë këmbe të ngritur dhe topi hyri kosh. Kur ajo përfundoi, faktikisht kishin kaluar më tepër se dy sekonda, por ndërhyri Xhons, që mbylli gjithçka.

Pati reagim?

Diçka filluan të flisnin arbritrat, por rezultati, entuziazmi, bëri që të mos merreshin më. Askush nuk besonte që loja u mbyll në barazim. As ne, por edhe italianët të hutuar, shikonin njëri-tjetrin dhe për disa minuta, ishin si të paralizuar. Sigurisht, në mendjen e tyre, kishin qetësinë se do ktheheshin në Kantu. Dhanë dorën, u përshëndetën, por pa shenja gjallërie.

Si ishte atmosfera gjatë dhe pas ndeshjes?

Nuk po flas për tifozerinë, e jashtëzakonshme. Me qindra bileta false të bëra, që kishin zaptuar Pallatin, aq sa ata që erdhën pak çaste para fillimit, mbetën jashtë te dera, pasi policia, mbante turmën, sepse njerëzit tentonin të futeshin me forcë. Si para e gjatë takimit, pallati po çahej nga thirrjet “Partizan, Partizan”.

Ngaqë në atë kohë pihej cigare, nga tymi, lart nga shkalla e 20-të, fusha nuk dukej fare. Kujtoj një vajzë apo grua, që nga presioni i njerëzve që qëndronin në këmbë, po asfiksohej, dhe dorë më dorë, e zbritën te shkalla e parë. Atmosfera pas ndeshjes, ishte një mrekulli e vërtetë. Njerëzit të ekzaltuar, thuajse të gjithë në parket. Kujtoj një grup shokësh, tifozë të basketit, intelektualë, profesorë, kimistë, mjekë, na pritën dhe na shoqëruan përgjatë Rrugës së “Durrësit” deri në qendër. Ishin ata që flisnin për ndeshjen, pasi ne nuk ishim në gjendje, nuk e perceptonim, ata tregonin skena të takimit.

Kur u informuat për 48 pikët?

Si para dhe pas “Oransodës”, nuk e kam ditur asnjëherë se sa pikë kam bërë. Shënoja, pa u marrë me to. E kuptova që ishin shumë, por jo saktësisht, pasi ishte e zakonshme të realizoja mbi 30 pikë në ndeshje. Por, në këtë rast, luanim me një skuadër në elitën e Europës dhe ishte ndryshe. Në bisedat me miqtë gjatë rrugës, dikush më thoshte 40, një tjetër 42, pastaj 46. Erdhi Rodolf Cici, një ndër arbitrat e tavolinës që konfirmoi saktë: janë 48 pikë. Unë kujtoja vetëm që kisha gjuajtur 6 personale, asnjë e humbur, të tjera ishin me gjuajtje nga loja. Kujtoj se kam luajtur me geta të rëna.

Në moshë të re dhe ishit kapiten i “Partizanit”…?!

Në sport, por edhe në jetë, te disa fëmijë ka një moment që quhet pjekuri para kohe. U rrita në një familje sportive, me edukatën për shkollën e përkushtim për sportin, sakrifica, dashuri, korrektesë, seriozitet, ndershmëri, për atë çfarë bën. Një djalë 20-vjeçar si unë, duhet të drejtonte një skuadër që quhej “Partizani”, me dëshirën për ta bërë sa më të madh. Pra, fillova të rritem, të piqem shumë herët të drejtoja, mobilizoja, i frymëzoja, me lojë e rezultat, jo me fjalë.

Kështu u lidhëm, u flisja, i bashkoja lojtarët, kuptoheshim me sy, më ndiqnin, kudo, si stërvitesha, çfarë regjimi mbaja. Gjithçka e tyre ishte përqendruar tek unë. Edhe atë ditë unë isha një njëzetvjeçar i pjekur, edhe pse përballë kishim një skuadër si “Oransoda”, por që unë kisha krijuar besimin, se ata, bëjnë atë që bëjnë ata, ne, do bëjmë këtë, që bëjmë ne. Dhe ashtu ndodhi.

Shtypi italian, shprehej se as amerikanët, nuk e ndalin Fagun. A ishit në dijeni të kësaj?

Në Tiranë, më kanë markuar katër lojtarë, midis tyre dy amerikanët. Po të kishim qenë mbrapa në kohë, pasi në ato vite shumica e gabimeve personale, merreshin anësore, me numrin e madh të personaleve të shkaktuara ndaj meje, me rregullat e sotme, duhet të kisha gjuajtur mbi 13, 14 të tilla.

Banketi me Ulliam Xhonsin dhe…..?!

Në banketin e organizuar në Hotel “Dajti”, personaliteti që dominonte ishte Uilliam Xhons, një figurë e madhe mbi 25 vjet drejtues i Federatës Botërore, një burrë me stilin britanik, u shpreh me fjalë të mira për ekipin, ndërsa mua më dha një flamur të FIBA-s. Unë e falënderova anglisht, se isha student e studioja për atë gjuhë dhe komunikimi me të ishte pozitiv.

Thuhet se ju erdhi ftesa, për në përfaqësuesen e Europës. Mund të na thoni diçka rreth saj?

Ishte dëshira e Uilliams, që unë të thirresha në kombëtaren e Europës. Në shkurt, erdhi njoftimi zyrtar që më ftonte si lojtar i përfaqësueses europiane, në ndeshjet që organizonte FIBA, si ato kundër Amerikës, për Kupën “Koraç”, apo takime tradicionale që zhvilloheshin në Europë.

Po ju, pse nuk shkuat?

Unë nuk dija asgjë, por babait, duke qenë në ministri për një mbledhje, i treguan ftesën zyrtare dhe ai në një letër të zakonshme, kishte shënuar emrat e lojtarëve të thirrur, midis të cilëve isha edhe unë. Vjen në shtëpi, më thotë: “Të kanë ftuar në kombëtaren e Europës”. I lexova dhe një pjesë të tyre i njihja, nga rusët; Aleksandër dhe Sergej Bjellovë, çekët Zidek, Zednicek, dy jugosllavë, belgu, amerikanin Stivenier, i famshëm në atë kohë.

Rikthehemi tek “Oransoda”…?

Me “Oransodën”, u ndamë në Tiranë, ndërkohë po afrohej Viti i Ri dhe u diskutua si do organizonim mbrëmjen tradicionale. Për një skuadër, në një regjim të ashpër sportiv, duhej të gjendej mënyra. Ramë dakord që, natën e 31 dhjetorit, ta kalonim në Shtëpinë Qendrore të Oficerëve, pra festojmë, por edhe të kontrollohemi, që asgjë të mos ekzagjerohej. Ishte një grup që nuk e tepronte, një skuadër e rregullt sportive.

A u transmetua ndeshja në televizor?

Po, edhe e kam parë pas një ose dy javësh, kur së bashku me prindërit e mi, ka shumë mundësi të kemi qenë për vizitën e Vitit të Ri te familja e mjekut Ilo Kola. Ai kishte një televizor që e kishte sjellë nga Bashkimi Sovjetik dhe kur filloi ritransmetimi, “u prish” vizita, se të gjithë ndiqnin ndeshjen…! Nga ajo ndeshje, fatkeqësisht disa sekonda kanë mbetur.

“Partizani” arrin në Milano, ju presin si “Mister 48-pikëshi”…?!

Kujtoj se para nisjes, qepa një kostum të ri, me një copë që babait, ia kishte dhënë në Turqi, Myslym Bej, presidenti i “Fenerbahçes”, në vitin 1961. Pastaj mbërritja në Linate, që na bëri përshtypje, jo vetëm mua, por të gjithëve. Një aeroport gjigant, që hynin e dilnin qindra e mijëra njerëz, midis tyre gazetarë, shumë të interesuar që prisnin ekipin tone të “Partizanit”. Erdhën drejt meje e filluan me pyetje, gjë që ishte jashtë mënyrës së sjelljes e jetesës sonë. Ne kishim orientim, por jo shumë biseda dhe i përmbajtur iu përgjigja se unë isha tërësisht i “Partizanit” dhe në aspektin personal nuk më interesonte asgjë.

U sistemuam në Komo dhe në mbrëmje shkuam në Kantu, për stërvitjen njohëse. U kthyem, qetësi absolute, hoteli shumë i mirë buzë liqenit dhe në dhomë isha me Besnik Pëllumbin. Kur u zgjuam, shohim Komon mbuluar nga dëbora, një mrekulli e vërtetë. Bëmë një shëtitje deri pranë kufirit zviceran dhe me ftesë të drejtuesve italianë, shkuam për një vizitë në Klubin e “Oransodës”. Mund të ketë qenë ora 11:00, lojtarët po konsumonin mëngjesin, ndërsa drejtuesit, na ofruan një pritje të ngrohtë.

Gazetat italiane, pyesin: Do e përsërisë Fagu, Tiranën?

Jam befasuar kur ditën e takimit, gazetat shkruanin: “Duke ndjekur mbrëmë stërvitjen e “Partizanit”, pamë që trajneri Greva, përgatiste Përmetin dhe Palin për gjuajtje”. Gazetarët kishin nuhatur që ne do luanin me tjetër taktikë, që Fagu, nuk do të gjuajë, por do t’u pasojë të tjerëve. Kujtoj që pas drekës, bëmë analizën, ndeshja ishte shumë vonë jashtë, orareve tona. Gjetëm njerëz, çamë korridorin e krijuar dhe kur dolëm për nxehje, te koshi ku ne sulmuam pjesën e parë, një grup të rinj entuziastë, para e gjatë lojës, tërhiqnin vëmendjen, duke bërtitur e mbështetur “Partizanin”. Pastaj, takimi që nuk ka shumë nevojë për komentet e mia.

Pra, aplikuat tjetër strategji, po përse?

Të dyja skuadrat, kishin tashmë njohje për mënyrën si luanin. Nga ne, u mendua të aplikohej një strategji loje logjike, që ndodh zakonisht në basketboll, kur dy tre lojtarë, markojnë një, luhet me variantet që topi, të dërgohet tek ai që është i lirë. Por, nuk funksionoi, sepse mungoi saktësia në realizim dhe në pak minuta, u krijua diferenca me 20 pikë, që në njëfarë mënyre, e përfundoi lojën, kur përballë ke një skuadër, si “Oransoda” dhe në fushën e saj. Në të dytën, ndryshuam taktikë, zhvilluam një ndeshje të mirë, gati e barabartë. Unë dola në lojën time, realizova 23 pikë, vetëm me gjuajtje, disa prej tyre nga tetë metra largësi.

Edhe në Kantu, amerikanët nuk kanë mundur t’ju ndalin…?!

E vërteta është se ndërroheshin me njëri tjetrin. Në minutën e 10-të, Lynn, kishte 3 personale, në të 13-ën, katër, dhe në fund të pjesës së pare, shkaktoi të pestën, por arbitri zviceran, ma bëri më shenjë: “lërë Fagu, nuk ia vlen ta zgjasim”. Lyn, ishte natyrë e një sportisti nervoz, jo me disiplinën europiane, por si amerikanët, që shpërthejnë. Kur bëri personalin e pestë në pjesën e dytë, doli me ulërima, fliste me Stakoviçin, debatonin midis tyre, ankohej dhe dukej i irrituar edhe pse ishin me pikë përpara, por nuk kuptoja asgjë, se isha larg. Edhe në Tiranë, shfaqte shenja nervoziteti, kur më markonte.

E konsideroni “Oransodën”, kulmin e karrierës?

Po ta marrësh nga pikët, nga kundërshtari dhe vlera e rezultatit, si dhe nga koha kur u arrit ai rezultat, për atë që përfaqësonte ajo ndeshje, pra, për basketbollin shqiptar, sigurisht, që është një kulm. Por, teknikisht, si lojë, nuk është kulmi im. Ka disa ndeshje që janë shumë të bukura, si ajo një vit më vonë, në Bukuresht në Kupën e Kampioneve, kundër “Dinamos” vendase, ajo ndaj austriakëve të “Vienerberger” me “Çepel”-in në Budapest, me francezët e “Aspo-Tour”, me “Crvena Zvezdën” në Beograd, si dhe në eliminatoret e Kampionatit Europian në Holandë, Kaljari, Budapest, apo Universiadën Botërore Studentore, zhvilluar në Torino.

Si është historia e fotografisë?

E keni fjalën për foton me “Oransodën”, publikuar në “Sporti”? Si nga ana artistike, sportive dhe momenti, personazhet me Bërxhes, ajo është një foto, që i ka të gjitha të rralla. Atë foto, nuk e kam pasur se nuk e kërkova në atë kohë. Kur u kujtova, nuk e gjeja. Ma kanë sjellë disa miq, kur më erdhën për vizitë në shtëpi në Londër, në vitin 2000. Ndërsa fotografin nuk e njoh, nuk e kam parë e takuar asnjëherë.

Një pasion i lidhur edhe me futbollin, si përfunduat basketbollist?

Në jetë, njeriu, asnjëherë nuk e di çfarë mund të bëhet. Futbollist, si babai, mundet, pasi e kam luajtur mirë, një qendërmbrojtës shtatlartë, i shpejtë, me kërcim dhe goditje mjaft të mirë të topit. Edhe sot, e ndjek, dhe jo vetëm e shoh, por kam përshtypjen se e lexoj futbollin, e mund të diskutoj për të, njësoj si për basketbollin.

Tifoz i Interit, a ishte Macola një model për ju?

Si Macola, edhe unë nxënës shkolle, në ato fillime. Macola më pëlqente nga stili i thjeshtë, shumë preciz, teknikë e lartë, mbështetur te një pasion, një fanellë, një ngjyrë, morali, forcë, freski. Ka qenë një model për mua. Por, edhe basketbolli sovjetik, lojë e thjeshtë. Si dhe muzika italiane, Roberto Karlos, Katerina Kazelit, mbetem tifoz i Çelentanos.

Z.Fagu, nuk i jeni ndarë numrit 9 asnjëherë?

Ka qenë rastësi…! Kur isha nxënës në “Qemal Stafa”, vajza dhe djem, na dërguan për të marrë fanellën, për ndeshjet me shkollat, në magazinën që ndodhej përballë dyqanit të Modës, në fillim të “Rrugës së Dibrës”. Kam qenë bashkë me Rinën, gruan e Tomorr Shehut, volejbolliste me Tiranën. Magazinier Karapici, asaj i dha 10-ën, ndërsa mua, një fanellë blu me numrin 9, me të cilën luajta me “Partizanin” dhe në kombëtare, pa e ndryshuar asnjëherë.

Sot në kohët moderne, nga të gjithë bëhet një pyetje kurioze: nëse do të funksiononte trepikëshi në atë kohë, sa do ishte shifra ndaj “Oransodës”?

Nëse kujtojmë tablonë e lojës dhe nga ku janë realizuar e janë shënuar pikët, mund të them se, nga 21 koshat, 10 deri në 12 prej tyre, janë të gjitha nga distanca e trepikëshit, plus personalet, të paktën edhe dhjetë pikë të tjera, gjykoni vetë shifrën, pasi unë nuk mund ta llogaris.

 Pas disa vitesh, ju jeni ambasador i Shqipërisë në Londër, ku arrin edhe fama për ju, si ish-basketbollist i shquar?!

Gjatë një ceremonie zyrtare, kur u bë prezantimi i të pranishmëve, për mua, nga një ambasador i Bullgarisë, të cilin nuk e njihja, tejet entuziast, ai shtoi edhe disa fakte sportive. Nga kurioziteti e pyeta, nga ku e kishte marrë këtë informacion? “Kam qenë ambasador në Tiranë, në vitet kur ti ishte një basketbollist i njohur”, më tha.

Sot, 55 vite, nga ajo përballje, çfarë vlerash mbart për Agim Fagun?

Ajo nuk ishte thjesht një ndeshje, jo vetëm rezultati sportiv, por një përballje, me vlera të mëdha politiko-shoqërore, që dha një frymëmarrje kombëtare. Sepse ne kemi vlera, kemi mundësi të përballemi me këdo, siç ishte “Oransoda” kampione e Italisë. Një përballje sportive, që u reflektua gjerësisht, që largon frikën, kur barazohesh me të mëdhenjtë. Rezultati dhe loja me “Oransodën”, demonstroi se një basketboll shprese po afrohej, i cili u shpreh mjaft mirë, në vitet ’70-të. Këtë 55-vjetor e konsideroj dhe duhet të jetë një vlerësim kombëtar dhe jo personal./Memorie.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb