NGA ORNELA MANJANI

TIRANE- Në rastet kur ka mbivendosje, domethënë kur dy ose më shumë pronarë pretendojnë kompensim për të njëjtën sipërfaqe toke, projektligji i ri për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave parashikon dy raste zgjidhjeje. Agjencia e Trajtimit të Pronave, sot Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, do të vijojë përllogaritjen e vlerës së truallit. Shuma që do të shkojë për kompensim do të kalohet në një llogari të veçantë bankare, ndërsa palët që pretendojnë të marrin paratë mund t’i zgjidhin me marrëveshje si t’i ndajnë ato, ose mund të presim përfundimin e shqyrtimit gjyqësor për sipërfaqen takuese.

Trajtimi i rasteve kur ka mbivendosje është parashikuar të zgjidhet në ligj në nenin 18 të tij, ku thuhet: “Trajtimi i rasteve me mbivendosje: Në rastet kur evidentohen mbivendosje të së drejtës për kompensim, ATPja bën vlerësimin përkatës, sipas përcaktimeve të këtij ligji. ATP-ja vijon procedurat për ekzekutimin e vendimit në pjesët që nuk kanë mbivendosje. Për pjesën që është me mbivendosje, Agjencia depoziton vlerën përkatëse në një llogari të veçantë bankare, e cila, pas zgjidhjes përfundimtare të mbivendosjes, i paguhet subjektit. Palët mund ta zgjidhin rastin me mbivendosje me marrëveshje me njëritjetrin ose në rrugë gjyqësore”.

KËRKESAT E PATRAJTUARA
Në draftin për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave, që ndodhet për shqyrtim në Kuvend, janë parashikuar tri raste kur pronarët përjashtohen nga kompensimi në të holla dhe tri raste kur ata përjashtohen nga kompensimi fizik. Kështu, në nenin 4 është parashikuar që, përjashtohen nga shqyrtimi ato kërkesa për kompensim të bëra para hyrjes në fuqi të këtij ligji, si dhe kërkesat e bëra brenda afatit të përcaktuar në këtë ligj, nëse prona nuk kategorizohet në pronat e përcaktuara në dispozitat e këtij ligji: Pronat e përfituara si rezultat i zbatimit të ligjit nr.108, datë 29.8.1945, “Për reformën agrare”, me ndryshimet e mëvonshme; Shpronësimet kundrejt një shpërblimi të drejtë, sipas përcaktimeve të kohës dhe pronat që i janë dhuruar shtetit, veprim për të cilin ka dokumente zyrtare. Ndërsa në nenin 25 të ligjit janë parashikuar rastet kur pronarët përjashtohen nga kompensimi fizik.

“Pronat që nuk kompensohen fizikisht. Nuk i nënshtrohen kompensimit fizik në pronën e njohur pronat e paluajtshme që: i shërbejnë një interesi publik; shërbejnë për realizimin e detyrimeve të shtetit shqiptar, që rrjedhin nga traktatet dhe konventat, në të cilat shteti ynë është palë; janë pronë publike e patjetërsueshme; janë të zëna sipas akteve ligjore, paraqitur në shtojcën 1, të ligjit”, thuhet në pikën 1 të nenit 25 të draftit për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave. Në këtë nen parashikohet gjithashtu, që në rast se pronat e paluajtshme, që përfshihen në pikën 1 të këtij neni, propozohen të tjetërsohen, ato u kalojnë subjekteve të shpronësuara kur këto nuk janë kompensuar për atë pronë. Në këtë rast, pronat kompensohen sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj.

FONDI I KOMPENSIMIT
Fondi i Kompensimit të pronave është një fond i vënë në dispozicion të kompensimit të vendimeve përfundimtare për kompensim, sipas përcaktimeve të këtij ligji, i cili përbëhet nga: Fondi Financiar i Kompensimit dhe Fondi i Tokës. Sipas ligjit, Fondi i Kompensimit është i paprekshëm. Asnjë organ administrativ apo gjyqësor nuk mund të disponojë mbi këtë fond, përveç subjekteve të parashikuara në këtë ligj për administrimin e tij. Të gjitha vendimet përfundimtare, që kanë njohur të drejtën e kompensimit dhe ato që do të merren deri në përfundim të procesit sipas këtij ligji, do të zbatohen sipas parashikimeve të këtij ligji.

Vlerësimi financiar i vendimeve përfundimtare për kompensim do të bëhet duke vlerësuar financiarisht pronën e njohur për kompensim sipas nenit 6 të këtij ligji, në përputhje me procedurën. Kështu, nëse vlerësimi i pronës së kthyer me vendim përfundimtar rezulton se është më i madh sesa vlerësimi i tokës së njohur për kompensim, atëherë subjekti i shpronësuar konsiderohet i kompensuar. Gjithashtu, në rast se vlerësimi i pronës që është njohur për kompensim është më i madh sesa vlerësimi i tokës së kthyer, atëherë subjektit i kompensohet diferenca, sipas përcaktimeve të këtij ligji. Ndërsa, në rast se vendimi përfundimtar nuk ka vendosur kompensim prone, atëherë vendimi dhe dokumentacioni përkatës arkivohet sipas rregullave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për arkivat.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: