Mjeku Arjan Mezini foli këtë të shtunën në emisionin “Kjo Javë” me Nisida Tufën në News 24 dhe për përballimin e valës së dytë të koronavirusit teksa bashkë me të vjen edhe gripi i stinës.

Mezini tha se patjetër në spitale duhet bërë një ndarje e pacientëve. Ai foli edhe për një test që e detekton virusin për 45 minuta, por tha që në spitalet tona covid nuk është vënë ende në punë edhe pse e kanë.

“Kjo do jetë një histori më vete si për individin dhe për sistemin. Duhet ta kuptojmë se është shumë e vështirë të ndash gripin nga Covid, pasi shenjat janë pak a shumë të njëjta. Do mendoja që ka ardhur koha që për pacientët që nuk janë me tampon pozitiv në periudhën nëntor, dhjetor apo janar duhet të ndahen nga të tjerët. Ne e nxjerrim përgjigjen për 45 minuta, e kemi aparaturën. Tani jemi në kulmin e Covid nuk kemi hyrë në fazën e gripit. Për mua kjo është zgjidhja: Të vihet tamponi i shpejtë që jep përgjigje për 45 minuta. Aparaturën e kemi, por nuk është vënë ende në punë”,- sqaroi ai.

Sa për peticionin e mjekëve drejtuar qeverisë për plotësimin e katër kërkesave të tyre, Mezini tha se kanë gjetur dakordësi dhe presin të firmosin një kontratë të mërkurën.

“Kam qenë pjesë e takimit në kryeministrie me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, drejtorin e QSUT dhe të tjerë. Unë do ta quaja të frytshëm, pasi pati vullnet për t’i plotësuar 4 pikat: Kemi kërkuar shpallje ‘Dëshmor Atdheu’ të personelit shëndetësor që humb jetën për shkak të covid 19 në krye të detyrës, indeksim të pagave të personelit shëndetësor, pra të paguhen në mënyrë dinjitoze, pika e tretë ishte siguracioni i jetës që duhet të merret përsipër qoftë nga ministria dhe spitalet, mbrojtja e personelit shëndetësor, jo në Covid 1 dhe 2, por për mjekët në periferi apo mjekët e familjes.

Mjekët janë të gjithë të unifikuar në këtë qëndrim. Ministria i pranoi kërkesat tona. Të mërkurën kemi takimin e famshëm për firmosjen e memorandumit të mirëkuptimit dhe ngritja e 4 grupeve të punës për realizimin e këtyre 4 pikave. Nëse takimi firmoset do ketë konferencë nga sindikata e mjekëve për të specifikuar vendimin. Shpresoj që të ecim në këtë rrugë”,- sqaroi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb