Presidenti i Republikës Bajram Begaj në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa ka zbuluar si do të vijojë mbajtja e marrëdhënieve me arbëreshët në Itali.

Begaj u shpreh se tashmë ka marrë jetë një fondacion arbëresh që të gjitha komunat e këtij komuniteti të bashkohen dhe të shohin mundësitë e bashkëpunimit me Shqipërinë.

Kreu i Shtetit theksoi se pas vizitës së tij në Kalabri kanë filluar edhe projektet e para të cilat pritet të finalizohen me punë konkrete në muajt e ardhshëm.

“Ka filluar një punë e mirë në Itali përmes fondacionit arbëresh që të gjitha komunat të bashkohen përmes tij që të shohin mundësitë më të mira të bashkëpunimit më Shqipërinë, drejtim edhe të bashkëpunimit dhe rrugës ekonomike. Do ishte mirë që këto komuna arbëreshe t’i binjakëzonim me komuna në Shqipëri. Të organizonim edhe shkëmbimin e turizmit, edhe pse te ne është kryefjalë tani. Do donim të zhvillonim edhe një turizëm patriotik që do mbante gjallë turizmin arbëresh.
Besoj pas vizitës time të parë në Kalabri kanë filluar projektet e para për t’i finalizuar më pas me punë konkrete muajt e ardhshëm”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb