Publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut.  Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e  regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me disa nga ‘familjet reaksionare’ dhe pinjollët e tyre, të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie. al

                                               Vijon nga numri i kaluar

 Shkrimi im në moshën 11 vjeçare, kundër imperializmit amerikan

Unë mendoja apo, më saktë, ndjehesha i “betonuar”. Familja ime ishte e lidhur ngushtë me pushtetin. Në rrethin tonë fisnor dhe atë shoqëror të gjithë ishin anëtarë të Partisë së Punës (Komuniste), besnikë të saj të pakushtëzuar, të gatshëm të mbronin me fjalë dhe me armë, po të ishte nevoja, regjimin në fuqi. Në këtë ambient edhe indoktrinimi im gradual, ishte në rrugë të “mbarë”. Për herë të parë, në moshën 11 vjeçare, pasi dëgjova rastësisht, një emision të radios “Zëri Amerikës” në shqip, shkruajta dy faqe fletoreje si përgjigje. “Zëri i Amerikës”, mesa më kujtohet, fliste për disa ndihma që po i ofroheshin Shqipërisë nga Perëndimi. Unë, i revoltuar, shkruajta, pak a shumë, se populli shqiptar nuk pranon ndihma nga imperializmi ndërkombëtar, ky armik i betuar i paqes dhe lumturisë së popujve.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Kam vazhduar më poshtë me fraza të gatshme propagandistike, të ngulitura në trurin tim, duke folur për heroizmin e popullit tonë në shekuj dhe heroizmin partizan, që gjunjëzoi bishën naziste, etj., etj. Porsa mbarova së shkruari shkova në shkollë, ku takova Besa Bajraktarin, udhëheqëse e pionierëve të shkollës, njëlloj komisareje politike e nxënësve. I’a tregova asaj çfarë kisha shkruar. Besa, pasi e lexoi “artikullin” tim, e entuziazmuar e rishkroi atë me shkrimin e saj, mjaft të rregullt dhe vuri në fund emrin tim. Ajo i vendosi faqet e rishkruara në Gazetën e Murit të shkollës. Të dy ishim të gëzuar dhe krenarë. Ky ishte, në fakt, artikulli im i parë. Pas diçka më shumë se 10 vjetësh, do të filloja punë si gazetar dhe gjatë afro 20 vjetësh të tjerë, do të shkruaja qindra dhe pse jo, mijëra artikuj politikë kundër imperializmit amerikan, por sidomos kundër atyre që njiheshin si socialimperialistë sovjetikë ose carë të rinj të Kremlinit.

Debatet me babanë tim, të cilit “i tregoja arat”!

Indoktrinimi im arriti në atë nivel sa unë, në një rast, guxova t’i kundërvihem hapur edhe babait tim, t’i tregoja atij kufijtë e tij dhe të mijtë! Ne në familjen tonë, si të gjithë të tjerët, kishim vështirësi në jetë. Vitet po kalonin dhe entuziazmi i njerëzve po binte. Ishte premtuar një jetë e lumtur. Premtimi duhej mbajtur ose së paku, duhej bërë diçka për të treguar, se ai do të mbahej. Nuk po ndodhte kështu. Babai im, Selimi, nuk ishte njeri që interesohej për politikën, ndryshe nga nëna. Ai, pas Luftës, nuk shkoi as të marrë dekoratat, që i ishin akorduar nga Kuvendi Popullor, si ish pjesëtar i qëndresës antifashiste. “Nuk kam luftuar për medalje”, më tha një ditë. Në këto rrethana, një mbrëmje, ai filloi të flasë e të thotë se si jetohej në kohën e Monarkisë. Kishte një notë nostalgjie në fjalët e tij, jo për Monarkinë, por për jetën e përditshme, për përpjekjet për ta fituar atë, për forcën e monedhës në atë kohë, etj. të kësaj natyre.

Unë nuk mund të pajtohesha me babanë. Jo vetëm kaq, por u tregova dhe agresiv. “Ti, i thashë babait, nuk e don pushtetin popullor. Ty të pëlqen Monarkia”. Babai e dinte mirë peshën kobë sjellëse të këtyre fjalëve. Ai mori kacinë, që u gjend diku pranë tij dhe më goditi me të në kurriz. “Unë, tha ai, kam luftuar dhe kam derdhur gjak, për këtë pushtet, ndërsa ti…”!

Inati, ndoshta dhe shqetësimi i tij, ishte i madh. Goditja e parë me kaci, duket se nuk do të ishte e fundit në kurrizin tim. Fati më ndihmoi. Atë mbrëmje kishte ardhur tek ne, vajza e hallës së nënës, Liria. Ajo i’a rrëmbeu kacinë tim eti. Ajo i tha babait që të qetësohej, se unë isha fëmijë dhe nuk kuptoja me të vërtetë se ç’thonja. Babait, siç duket, nuk i kaloi inati. Liria më mori për dore, i tha atij se unë do të flija tek ajo atë mbrëmje. Unë shkova atë natë tek shtëpia e Lirisë, që banonte diku pranë nesh. Ajo, për të më qetësuar, më përgatiti edhe një pjatë me petulla. Kështu u mbyll ndeshja ime e parë ideo-politike në gjirin e familjes. Mua nuk më vinte aspak keq përsa kishte ndodhur. Isha i bindur se kisha patur të drejtë.

Inati im për Mbretin dhe Monarkinë që zgjati mbi 40 vjet!

Babait nuk mund t’i mbaja inat, por inati me monarkun, që u bë pa dashje sebep për kacinë në kurrizin tim, siç duket, nuk më kishte kaluar as pas më se 40 vjetëve. Në vitin 1997, ambasada e Rumanisë në Bruksel dha në selinë e saj një pritje, ku ishin të ftuar mjaft ambasadorë të akredituar në kryeqytetin belg. Unë isha në atë kohë ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës. Pritja organizohej, mesa më kujtohet, me rastin e vizitës së Mbretit të Rumanisë, Mihal I-rë, në Bruksel. Në vitin 1997, ai bëri një udhëtim në Evropë për të mbështetur pranimin e Rumanisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Në një moment, ambasadori rumun më tërheq mënjanë dhe më prezanton tek Mbreti. Biseduam së bashku, pa pjesëmarrjen e ambasadorit edhe për fatin e Monarkisë në Shqipëri. Mbreti, më pyeti se ç’mendim kisha unë a do të rivendosej Monarkia në Shqipëri apo jo?

I thashë hapur dhe prerë mendimin tim, duke ju përgjigjur me një “jo”. Ai më pyeti sërish, përse mendoja kështu? I’u përgjigja duke i thënë se monarku ynë, nuk vinte nga familje mbretërore, por ishte vetëshpallur mbret, se pas kaq vitesh dhe pas një propagande të fuqishme të komunizmit kundër Monarkisë, njerëzit nuk kishin një vlerësim të plotë e të pavarur për monarkun dhe Monarkinë në Shqipëri. Së fundi, i thashë atij edhe se Mbreti ka rreth vetes persona, që nuk e njohin realitetin shqiptar dhe si të tillë, as mund të operojnë në këtë realitet në favor të Monarkisë. Në një rast tjetër, po në Bruksel, do të ishte ambasadorja e Afrikës së Jugut, që do të kërkonte të takohej me mua për të biseduar për Monarkinë shqiptare. Në të vërtetë në Bruksel, kishte edhe një celulë monarkiste dhe një përfaqësues i saj ishte takuar dhe kishte biseduar me ambasadoren jug afrikane, lidhur me të drejtën e pretendentit të fronit mbretëror për t’u kthyer në pushtet në Shqipëri. Ambasadores i dhashë, pak a shumë, të njëjtin shpjegim si edhe Mbretit të Rumanisë.

Për herë të fundit në Bruksel kam biseduar për Mbretin e Shqipërisë, me një avokat belg, zotin Olivier Slusny, në vitin 2010. U gjendëm një mbrëmje të dy në një birrari pranë Pallatit të Drejtësisë, ku ishte si gjysmë pronar, në mos gaboj, një shqiptar, personazh simpatik nga Prizreni i Kosovës me emrin Ferid. Olivier Slusny dhe Feridi njiheshin mirë. Ishte Feridi ai, që e ftoi zotin Olivier në tavolinën ku isha unë së bashku me gruan time, Desin dhe miqtë tanë Shpresën dhe Ramadanin. Olivier Slusny pasi mori vesht se ne ishim shqiptarë, më tregoi se xhaxhai i tij, një pianist i njohur, kishte luajtur në piano me rastin e martesës së mbretit të shqiptarëve, Ahmet Zogut dhe se ai kishte edhe fotografi nga ceremonia e rastit. Këto historira të vonuara me mbret, ndoqën atë të fëmijërisë time.

Duke u kthyer sërish në vitet e fëmijërisë, më kujtohet se diçka e ngjashme si ajo me babain më ndodhi disa kohë më pas, tani jo më në gjirin e familjes, por me nënën e Lirisë, hallën e nënës time, Xhaharije Çelmetën.

Arrestimi i kushëririt tonë, nipit të Myslym Pezës, që shau misrin gjeorgjian

Xhaharija jetonte në fshat, në Pezë, së bashku me dy djemtë e saj, Dylin dhe Xhevdetin, me nipër e me mbesa. Ajo ishte motra e madhe e ‘Heroit të Popullit’, Myslym Peza, për të cilin do të flas gjithashtu më vonë. Dyli ishte djali i madh i saj. Edhe ai kishte qenë partizan i orëve të para të qëndresës antifashiste, ishte komunist. Si tip ishte gjithnjë i gëzuar, gjithnjë i gatshëm për të krijuar situata të papritura komike në fshat, disi anarkist në shpirt. Ai nuk nguronte, p.sh., t’i hipte kalit në mes të natës, t’u ngjitej kështu kreshtave të thepisura të fshatit dhe, ndërsa shiu binte rrëmbyeshëm, të thërriste mesa kishte në kokë, se kjo ishte nata e fundit, nata e qametit, prandaj të gjithë duhet të luteshin për të shpëtuar shpirtin e tyre. Këto thirrje i shoqëronte me deklamimin e disa vargjeve të përçudnuara në arabisht, që duheshin pranuar si të nxjerra nga Kurani. Dyli vetë nuk ishte aspak besimtar. Kështu ai vetëm argëtohej.

Dylit, të fuqishëm si një ari rus, i ishte dashur njëherë të ndeshej trup me trup me një derr të egër në pyll. Ai kishte dalë për të gjuajtur. Në një moment ishte gjendur përballë derrit, kishte provuar të qëllonte, por pushka nuk i kishte ndezur. Derri i egër e kishte sulmuar Dylin. Ai e kishte kapur për koke derrin, kishte afruar njërin vesh të tij tek goja e vet, duke i thërritur me sa fuqi kish. Derri, i tronditur ndoshta nga kjo ulërimë në veshin e tij, ishte larguar. Kështu na e ka treguar këtë histori vetë Dyli. Ndoshta ka në tregimin e tij edhe teprime, siç kanë shpesh tregimet e gjuetisë. Sidoqoftë, plagët e një përleshjeje me kafshën e pyllit, Dyli i kishte në trupin dhe fytyrën e tij dhe na i tregonte për të qenë bindës.

Dyli shpëtoi nga derri i egër, por një ditë, atë do ta kanoste një rrezik tjetër jo më i vogël dhe, me siguri, më pak i ndjeshëm ndaj ulërimës së njeriut. Ai u arrestua dhe u mbajt i izoluar disa ditë në një dhomë paraburgimi. Arsyeja? Ai u akuzua se kishte dashur të prishë kooperativën bujqësore të Pezës, d.m.th., kishte dalë kundra orientimit dhe vendimeve të Partisë për fshatin socialist. Fakti është se fshatarët shqiptarë nuk i pranuan asnjëherë me zemër kooperativat bujqësore. Politika e Partisë së Punës ndaj fshatit ishte katastrofike, e dëmtoi atë më tepër se një pushtim, e varfëroi atë si kurrë më parë në historinë e Shqipërisë. Në të vërtetë, Dylit as i kishte shkuar fare në mendje ajo për të cilën akuzohej. Ai thjesht kishte ironizuar me disa vargje një farë misri, që ishte sjellur në Pezë nga Gjeorgjia, një nga ish republikat sovjetike. Kjo lloj fare, që mund të ishte mjaft prodhuese në Gjeorgji, në Pezë ishte joprodhuese, rriste degë të fuqishme, por pa kallinj.

Këtë thonin, pak a shumë, edhe vargjet humoristike të thurura dhe të kënduara sipas motiveve të një kënge popullore nga Dyli. Kaq kishte mjaftuar që ai të arrestohej. Në atë kohë miqësia e përjetshme dhe e pathyeshme me Bashkimin e Madh Sovjetik nuk mund të lejonte një herezi të tillë. Dyli nuk donte të dinte shumë për parulla të tilla. Ai ishte njeri praktik. Një herë më ka thënë se para formimit të kooperativës bujqësore, edhe sikur të mos punonte fare, vetëm nga ullinjtë e tij merrte më shumë se sa fitonte duke punuar në kooperativë e gjithë familja nga mëngjesi në mbrëmje. Po kështu më kishte treguar se fshehtas, dërgonte dikund për ta mbarsur pelën e tij. Ai pasi e rriste po fshehtas këlyshin e lindur, e shiste atë gjithashtu fshehtas. Nga i gjithë ky «operacion klandestin», ai përfitonte një shumë lekësh më të madhe se të ardhurat që i siguronte të gjithë familjes një vit pune në kooperativën bujqësore.

Arrestimi i Dylit alarmoi nënën e tij, Xhaharijen. Ajo la fshatin dhe erdhi në Tiranë për të shpëtuar të birin. Xhaharija erdhi edhe në shtëpinë tonë. Në shtëpi isha vetëm unë. Që në oborr Xhaharija, halla e nënës, që më kishte rritur mua në vitet e Luftës kur prindërit e mi ishin angazhuar në çetat partizane, filloi të më tregonte e tronditur, se si i kishin vënë prangat Dylit dhe përse. I dridhej buza, zëri dhe i gjithë trupi. Meqë prindërit e mi nuk ishin në shtëpi, ajo nuk qëndroi gjatë me mua. U largua me një hap të nxituar dhe me një frymëmarrje të rëndë, që dukej sikur do t’i bllokonte gjoksin pa arrirë të kapërcejë ato disa metro të oborrit tonë.

Sigurisht më erdhi mjaft keq për hallën e nënës, të cilën edhe unë e thërrisja si nëna ime, “hallë”. Në fëmijëri, mendoja se ky edhe ishte emëri i saj! Keqardhja ime nuk shkonte më tej. Nga sa dëgjova prej saj, për mua Dyli ishte armik i Partisë, prandaj kishte përfunduar aty ku ishte. Unë isha me Partinë, isha për burgosjen e kushëririt. Unë isha njëlloj ‘Pavlik Morozovi shqiptar’. Në atë kohë ishte botuar në shqip, përkthyer nga rusishtja, edhe një libër me këtë titull, “Pavlik Morozov”.

Pavlik Morozovi ju servir si hero, si martir, si model gjatë 60 vjetëve pionierëve dhe rinisë sovjetike nga autoritetet komuniste. Ai kishte denoncuar pranë policisë sekrete, babain e tij, për lidhje të fshehta me kulakët, që përfaqësonin fshatarësinë e pasur, kundërshtare e komunizmit. Si pasojë, babai i Pavlikut u arrestua dhe u internua. Vetë Pavliku u vra nga gjyshi i tij, që u ekzekutua më pas nga pushteti sovjetik. Unë nuk denoncova babanë tim, që e akuzova për «monarkist». Nuk isha unë që akuzova Dylin. Sidoqoftë, për mua, «drejtësia» komuniste ishte në vend të parë. Babai, Dyli apo kushdo tjetër, vinin më pas.

Dyli nuk u gjykua, pra nuk u dënua. Ai u lirua, por nuk i harroi kurrë prangat dhe dhomën e izolimit. Në fillimin e viteve 90-të, kur studentët shqiptarë dhe populli  u ngritën në mitingje dhe demonstrata të fuqishme për t’i dhënë fund diktaturës komuniste, Dyli ishte komunist, por ai u rreshtua kundër diktaturës, kundër prangave dhe burgjeve.

Unë “Pavliku” shqiptar, ndryshe nga ai rus, që  bëri denoncimin e parë duke qenë ende fëmijë, ndjeva shijen e hidhur të denoncimit të parë politik kundër meje, duke qenë ende fëmijë. Dija dhe Skënderi, vajza dhe djali i xhaxhait të nënës, Myslym Peza, ishin autorë të tij. Përse?

Në vitin 1957, isha në klasën e shtatë, d.m.th., isha 13 vjeçar. Mësimet i bëja në “Shkollën e Kuqe”, aty ku gjatë pushtimit nazist, kisha qenë i burgosur me nënën. Midis të tjerëve, në klasën tonë ishin edhe dy motra binjake. Njëra quhej Firdes Kodra. Emëri i tjetrës nuk më kujtohet. Ato kishin ardhur në Shqipëri nga qyteti i Dibrës, në Maqedoni. Ne fëmijëve na bënin përshtypje rrobet plot lule dhe ngjyra të binjakeve, ndonjë byzylyk pa vlerë, por që tërhiqte vëmendjen tonë, ndonjë karficë e shndritshme në flokët e tyre. Ky ishte kontakti ynë i parë me një botë të panjohur, që gjendej në anën tjetër të kufirit. Bisedonim me to për jetën në Dibër. Përgjigjet, me detaje dhe të sinqerta, të motrave Kodra, na bënë të mendojmë se andej, përtej kufirit, tek armiku ynë më i madh, Tito, jeta ishte më e mirë. Këtë gjë unë e bisedova edhe me Dijen dhe Skënderin, duke këmbëngulur në të vërtetën e shoqeve të klasës. Kjo ishte herezia ime e parë. Dija dhe Skënderi ish partizanë që fëmijë, të dy komunistë, nuk mund t’ia falnin këtë një fëmije si unë, në një far mënyre nipi i tyre.

Këshillat e drejtorit të shkollës, Sofokli Afezolli, pasi më denoncuan kushërinjtë

Nuk e di se cili prej tyre, njëri apo tjetri apo të dy bashkë, takuan drejtorin e shkollës, Sofokli Afezolli, tek i cili bënë edhe denoncimin. Sofokliu, më parë se të bëhej drejtor i ‘Shkollës së Kuqe’, kishte punuar në Radio-Tirana. Prej andej u largua sepse në vitin 1956, në Konferencën e Partisë së Tiranës, bashkë me disa kolegë të tij dhe të tjerë pjesëmarrës në Konferencë, kërkuan një komunizëm me fytyrë njerëzore. Konferenca u dënua nga diktatori dhe u cilësua si armiqësore ndaj Partisë dhe udhëheqjes së saj. Duke patur këtë njollë mbi shpinë Sofokliu duhej të tregohej i kujdesshëm, tepër vigjilent ndaj armikut të klasës që vepronte edhe në bangat e shkollës, siç kishte vepruar me mua! Ky ishte mendimi i Skënderit dhe Dijes pas bisedës që kisha patur me to.

Drejtori i shkollës më thërriti në zyrën e tij dhe më dha disa këshilla në stilin komunist. Edhe nëse mendonte ndryshe, nuk mund të vepronte ndryshe. Këtë gjë e kuptoja. Ajo që nuk arrija të kuptoja ishte tjetër gjë. Si ishte e mundur që kushërinjtë e mi, të keqpërdornin një bisedë të sinqertë, besimin tim, për të bërë hapin që bënë? Këtë jo se unë isha nipi i tyre, por se veten e shihja në të njëjtin kamp me ta, në një farë mënyre në shembullin e Morozovit.

Vite dhe vite më vonë mësova se Skënderi, që në moshën 14 vjeçare, kur ishte partizan, kishte denoncuar me shkrim tek Enver Hoxha, babain e tij, Myslymin. Kjo letër u gjend në arshiva nga Sali Verdha, një bashkëluftëtar i Myslymit. Sala i tregoi edhe Myslymit letrën e gjetur, denoncimin që i kishte bërë atij i biri tek Enver Hoxha. Në atë kohë, Pavlik Morozovi nuk njihej në Shqipëri, por komunizmi që në lindjen e tij, pillte edhe tek ne deformime të tilla njerëzore. Nuk i mbajta inat asnjëherë Dijes, aq më tepër Skënderit, sidomos pasi mësova se ai kishte shitur babain e tij. Pse jo mua? Kështu u mbyll kjo ngjarje e pakëndshme. /Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: