TIRANE
Artistja e njohur shqiptare Hueyda El Sayed është ndarë papritur nga jeta në moshën 46-vjeçare. Balerina dhe ish-moderatorja mësohet se vuante nga një sëmundje e rëndë, betejën me të cilën nuk e ka fituar dot.

Ajo u nda nga jeta mëngjesin e së martës në një spital në Lukskemburg. Pas lajmit të rëndë për ndarjen nga jeta të Hueyda El Sayed, miqtë dhe kolegët e saj kanë shprehur ngushëllimet në rrjetet sociale.

Hueyda El Sayed i befasoi të gjithë kur preu flokët e saj kaçurrela që e karakterizonin, në muajin shkurt të këtij viti. Madje ish-moderatorja u përball me kritika nga ndjekësit, të cilët i kërkonin të rriste sërish kaçurrelat e saj.

Në një reagim në rrjetet sociale, ajo u shpreh se nëse do të kishte një shkop magjik dhedo të kishte mundësinë të ndryshonte jetën apo pamjen fizike, s’do e fillonte nga flokët.

Dhe duket se ky ndryshim në look lidhej pikërisht me sëmundjen e rëndë që vuante Hueyda El Sayed. Artistja mesa duket kishte vendosur të mos e ndante këtë lajm të trishtë me ndjekësit dhe në postimet në rrjetet sociale shfaqej pozitive dhe e qeshur.

46-vjeçarja është larguar prej disa vitesh nga Shqipëria dhe jetonte në Luksemburg, së bashku me djalin dhe partnerin e saj, Thierry.

Ajo dhe Thierry u martuan në fshehtësi në muajin dhjetor të vitit të kaluar. Në një intervistë në atë periudhë, Hueyda El Sayed tha se kishte një jetë që priste të martohej me partnerin e saj.

Hueyda El Sayed lindi në Tiranë në vitin 1975. Gjatë karrierës së saj profesionale, ka punuar në disa fusha, si piktore, balerinë, moderatore dhe spikere lajmesh. Ndërsa në vitin 2000 ka botuar romanin e parë me titull “Ngjyra e lëkurës sime”.

  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: