Në rubrikën “Autokton” të gazetares Anila Ahmataj në News24, u trajtua këtë të dielë, historiku i fshatit Iballë të krahinës së Pukës si dhe veprimtaria e heroit Zenel Aga.

Historiku i Iballës, fshatit më të vjetër të Pukës

Iballë, është një emër i vjetër mijra vjet para Krishtit. Një fshat i cili ndodhet në veri-lindje të qytetit të Pukës, i rrethuar me male në formën e një kurore.
3-4 shekujt e fundit para Krishtit, Pirustët, xehatarë në këtë vend kanë shkrirë metale, kanë prodhuar arin, argjendin dhe armë luftarake. Pirustët në Iballë kishin kalanë e tyre ku brenda mureve të saj gjendet edhe sot kisha e fisit Thaç dhe varrezat e tyre. Në malin Bale që gjendet në perëndim të fshatit Iballë, edhe sot gjenden gurŕë, furrë dhe farkë që janë përdorur nga Pirustët.Ky fshat është i lashtë sa vet lashtësia.
Iballë është vendëlindja e heronjëve, e dëshmorëve dhe e njerëzve më në zë të kohërave.Një ndër ta, më me emër, ēshtë,
Zenel Mustafë Aga.

Jeta dhe vëndlindja e Zenel Agës

Zenel Aga lindi në Iballë më vitin 1860-të. Zeneli ishte fis Kabashi, një prej Zotnive më në zë të Pukës. Jeta e tij ishte përkushtuar mbrojtjes së autonomisë së viseve të Pukës.Ai u ngrit në krye të lëvizjeve për të kundërshtuar edhe me armë masat shtypëse.Mosmarrveshjet me kajmekamin e Pukës i ktheu në një revoltë popullore.

Mbledhja e Kuvendit të Shtatë Bajrakëve të Pukës, në Tmug të Midhës

Zenel Aga në krye të 2000 malësorëve zbriti në Shkodër dhe demostroi para valiut kundër kajmekamit.
Një nga besatuesit kryesorë bashkë me Bibë Ndoja,Palush Markaj e Frrok Kolë Pemati Iballe, e shumë të tjerë.
Në maj të vitit 1912 -Kuvendi i Shtatë Bajrakëve të Pukës mblidhet në Tmug të Midhës, ku vendosi Beslidhjen e kryesinë me prijësin e saj, Zenel Mustafë Agën.
Më 12 -qershor të vitit 1912-të besatuesit e beslidhjes së Bajrakëve të Pukës mblidhen dhe vendosin 29 -qershorin, ditën e sulmit mbi garnizonin turk në qytezën e Pukës.

Ngritja e flamurit, katër muaj para shpalljes së pavarësisë së vitit 1912-të

Nga 25-korriku i vitit 1912- 4 muaj para pavarsisë viset e Pukës ishin plotësisht të lira prej sundimtarëve turq dhe vetqeveriseshin prej krenëve vendor tradicional. Më 8 shtator mbi gërmadhat e ish garnizonit të qytezës së Pukës, aty ku më parë ngrihej flamuri turk, u ngrit flamuri i Bajrakut të Pukës.
Qyteti I Pukës jo vetëm personifikohet nga emri i Zenel Agës, por krenohet për veprimtarinë heroike dhe patëriotike të tij. Profesor Qemal Mece një prej historianëve më në zë dhe më të vjetër të Pukës, mes rrëfimit për familjet dhe pasardhësit e heronjëve, sa here kthehej mbas në vite nga sytë i rridhnin lot.

Mark Bajraktari, thoshte: “Asht nji mëkat i madh me e lanë në heshtje gjakun e dëshmorëve!”
Krentë e bajraqeve të Pukës, të nxitur prej dom Gasper Thaçit e Zenel Mustafë Agës u besatuen për “Besën e Bajrakve”, “Besëlidhjen e Shtatë Bajrakve” për çlirimin e gjithë krahinës prej turqve

Puka është krahinë gjeografike mbi udhët që lidhnin bregdetin Adriatik e Shkodrën me Kosovën dhe në lidhje të ngushtë me ta si edhe me Mirditën, ishte në dijeni të ngjarjeve politike, të forcimit në rritje të përpjekjeve për Liri e Pavarësi. Ndërthurja e maleve me luginat e thella, mbulesa të dendura pyjore me siperfaqe të eroduara, lëndina e livadhe që ndërpriten nga lumenj e përrenj të shumtë, kroje me ujë të kulluar ushqyer nga dëbora e shumtë që shpesh zbardh deri në verë. Ketu jeton një popullsi vitale, e shpërndarë në gjithë territorin, me një histori të pasur, që dëshmohet nga prania e qendrave arkeologjike, kalatë, gjurmët e mureve ilire, shpellat si dhe me një kulturë shpirtërore që shprehet në traditat e zakonet, në këngët e vallet popullore aq të bukura të kësaj treve.

Si u strehua Bajram Curri në kullën e Zenel Agës!

Me ardhjen e forcave serbe, Zenel Aga u mor me mbrojtjen e Iballës e strehimin e refugjatëve të Rrugës së Madhe. Me pushtimin e Kosovës, kulla e Zenel Agës bëhet streha e mbështetja kryesore e Bajram Currit në Iballë…
Mirpo Zenel Aga iu përgjigj propozimit të Hasan Prishtinës për të organizuar një Kuvend e Besëlidhje të Shtatë Bajrakëve në Qerret më 1915, për të luftuar kundër forcave të Esat Pashës.
Lëshoi kushtrimin nëpër bajraqe. 500 burra u mblodhën në Kuvend dhe kështu bënë Besëlidhjen e Pukës e të Mirditës Gjithashtu iu pergjigj thirrjes së zërit patriotik për në Kuvendin e Lushnjës ,(Kongresin e Lushnjës) bashkë me Nikollë Currin e Spaçit

Për veprimtarinë e tij të shquar atdhetare për liri e pavarësi dhe drejtësi shoqërore, pasardhësit e tij flasin me nostalgji ato çfarë gjyshrit iu kanë rrëfyer… Nipi i tij, që mban edhe emrin e Zenel Agës, ruan ende në mënyrë autoktone odën në të cilën Zenel Aga kishte bërë mbledhjet më vendimtare dhe kishte pritur Bajram Currin e Hasan Prishtinën…

Rrugëtimi ishte sa i bukur aq edhe nostalgjik,pasi pasardhësit e Zenel Agës na rrëfyen në terren në vendet ku ka zhvilluar veprimtarinë luftarake.
Më 1925, në Dushaj Tropojë u sulmua pabesisht nga Muje Hoxha me xhandarët e tij, me pretekstin se kishte qëllime prishjen e situatës politike si përkrahës i Bajram Currit. Aty vritet bashkë me të kushërinjtë e tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb