Ditën e sotme në “Top Channel” nisi emisioni më i ri “Shqipëria Live”. Në puntatën e parë u trajtua historia e vrasjes së dyfishtë që ndodhi pak ditë më parë në Australi, ku babai vrau të bijën dhe bashkëshortin e saj.

Miku i tij nëpërmjet një bisede ka treguar arsyen që sipas tij e çoi Osmanin të bëjë këtë krim të rëndë. Ai tregoi se autori donte të hakmerrej ndaj gruas pas divorcit.

“Kam 25 vite që e njoh autorin e krimit. Na ka tronditur kjo ngjarje. Lindita kishte 15 vjet që nuk jetonte me babain sepse prindërit iu divorcuan. Osmani kishte 7 vite i izoluar, kisha kohë që nuk dëgjoja për të. Kur e takova Linditën ajo dridhej dhe më tha “nuk e di, nuk kemi dëgjuar për të”.

Ai nuk ishte kujtuar për fëmijët më parë, por kohët e fundit kishte kërcënuar nënën e Linditës duke i thënë “do të të lëndoj ku dhemb më shumë”. Kush e mendonte se ai do vriste vajzën”, tregoi Naim Flamuri.

Më pas ai shton se vite më parë, Osmanit i kishin vrarë motrën dhe që nga ajo kohë nuk ishte mirë. “Osmani ishte një shpirt i trazuar. Atë e solli motra e madhe në Australi në fillim të viteve ’90. Edhe në atë kohë ndodhi një krim shumë i shëmtuar, motrën e madhe të Osmanit e vranë me gjakftohtësi për një çështje banale. Dhe nga ai moment, ai kurrë nuk ishte më Osmani që unë njihja.

Ai donte hakmarrje, jetonte vetëm për ditën e hakmarrjes. Vrasësi i motrës së Osmanit mori dënimin me burg. Më pas Osmani u divorcua, u trondit, u tjetërsua, la familjen, la fëmijët. Ai jetonte në periferi, ka patur ndikime narkotike që ia thelluan më tepër errësirën”, tregoi Naim Flamuri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb