Të tjera detaje dalin në dritë lidhur me 4 të arrestuarit në kuadër të operacionit “Laguna e Vilunit”, në mesin e të cilëve ishte edhe miku i Elton Çiços, Andrea (Renato) Çaushi, banues në Tepelenë. Burime pranë hetuesve të çështjes bënë me dije për “Gazeta Shqiptare” se ky i fundit, ka rezultuar se më datë 31.08.2014, së bashku me shtetasit Mikel Hoxha e Ervis Sulo (të arrestuar në tetor 2014), me një makinë fuoristradë kanë organizuar edhe transportimin e një sasie lënde narkotike kanabis sativa nga Krahësi i Tepelenës për në Fushë-Krujë, ku është magazinuar nga shtetasi Indrit Rraja (i arrestuar në tetor 2014), bashkë me një sasi tjetër të konside-rueshme të siguruar më parë prej tij.

Gjithashtu, nga hetimet e kryera nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ka rezultuar se Çaushi është edhe furnizuesi me lëndë narkotike në episodin e datës 06.09.2014, ku në vendin e quajtur “Qafa e Koshovicës”, automjeti me targë AA 041 CP është ndaluar nga shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier, te kryqëzimi i Cakranit. Ky mjet drejtohej nga shtetasi Gazmir Rraja. Pas kontrollit të mjetit, u gjetën dhe sekuestruan disa pako me forma të ndryshme të mbështjella me natriban, me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kanabis sativa, e cila kishte një peshë prej rreth 100 kg. Ndërkaq, në sajë të hetimeve, për hetuesit e çështjes ka rezultuar se shtetasi Ermal Mehmeti (i arrestuar në tetor 2014), për organizimin e trafikut të paligjshëm ndihmohej nga bashkëpunimi aktiv i shtetasit Kasëm Piluri.

Ky i fundit, banues në Vlorë, u arrestua një javë më parë së bashku me shtetasit Altin Rramolli, banues në Tiranë, Andi Mita, banues në Vlorë, si dhe Andrea (Renato) Çaushi. Ky grup kriminal, lëndën narkotike e siguronin kryesisht në zonën e Tepelenës, e më pas e dërgonin atë në zonën e Sicilisë, në Itali. Grupi shqiptar bashkëpunonte me tre grupe kriminale që operonin në territore të ndryshme të Katanias. E konkretisht me vëllezërit Moraboito, që e zhvillonin aktivitetin e tyre në zonën e populluar të lagjes “Picanello”, familjes Nizza, e cila e zhvillonte aktivitetin në lagjen “Libriono”, dhe Lorenzo Saita, i quajtur “Skeleti”, duke i furnizuar këto lagje me lëndë narkotike të llojit kanabis sativa në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri, nga i njëjti furnitor. Ndërkaq, burime të besuara pranë prokurorisë sqaruan se me qëllim finalizimin e trafikut, dorëzimi i shumave të mëdha të parave për blerësit shqiptarë bëhej nëpërmjet transportimit të tyre nga shoferi i autobusit të linjës Shqipëri-Sicili, i identifikuar si Altin Ramolli.

Shkrimin e plotë e gjeni në GSH.AL duke klikuar tek linku  http://www.gsh.al/2017/06/11/si-e-organizoi-miku-i-elton-cicos-transportin-e-droges-nga-tepelena-ne-fushe-kruje/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: