TIRANE- Prokuroria për Krime të Rënda do të fillojë gjatë kësaj jave hetimin pasuror për të pandehurin Mark Frroku, ish-deputet.

Prokuroria e Përgjithshme, pasi ka dorëzuar në Gjykatën e Lartë kërkesën për gjykim për të pandehurin, të akuzuar për vrasje; fshehje pasurie; pastrim të produkteve të veprës penale dhe ndërtim të paligjshëm, i ka kaluar për kompetencë Prokurorisë për Krime të Rënda hetimin pasuror, duke qenë se kjo strukturë është përgjegjëse për zbatimin e ligjit “Antimafia”, shkruan panorama.

Nga hetimet e Prokurorisë së Përgjithshme, për të cilën ka dorëzuar dosjen në gjykatën e lartë ditën e mërkurë (dt. 16.12.2015), ka rezultuar se i pandehuri Frroku ka fshehur mbi 2 milionë dollarë, ndërkohë që nuk rezultojnë burime të ligjshme edhe për pasuri të krijuara më parë, në vlerë rreth 700 mijë euro.

Pikërisht për këto shuma, pra për fshehjen dy milionë dollarë dhe pasurinë rreth 700 mijë euro të krijuara më parë, por edhe për të tjera pasuri, tashmë deputetit Frrokut do t’i duhet t’i justifikojë me burime të ligjshme në hetimin që do të zhvillohet në Prokurorinë për Krime të Rënda.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: