TIRANË

Kreu i Unionit Turistik Shqiptar Rrahman Kasa ka shpjeguar me detaje gjithçka çfarë pritet të ndodhë me turizmin shqiptar pas aksionit te “Prestige Resort”.

Kasa shpjegoi mbrëmë në “Open” në News24 se si funksionon turizmi i organizuar me charter dhe që vendimi nga operatori turistik “Apollo” ishte marrë dy ditë para aksionit për të vijuar fluturimet edhe vitin e ardhshëm, por kompania mëmë vendosi të ndërprë operimet.

“Agjencia e mirënjohur ndërkombëtare Apollo ka një sistem vlerësimi, të cilin e marrin nga klientët e tyre. Normalisht duke qenë dhe pandemia kishte një pjesë të hoteleve që ndoshta nuk kishin vlerësimin. Ne po diskutonim me shumë zor, vendosëm që edhe vitin tjetër të operonin me fluturime charter në Shqipëri dhe ata kanë 6 fluturime charter në javë. Përfundimisht u mor vendimi dy ditë para aksionit që ata të fluturonin dhe vitin tjetër. Kjo që ndodhi i dha një goditje, ku përfundimisht bordi drejtues dhe kompania mëmë e tyre që është një ndër më të fuqishmet e Gjermanisë vendosi që të ndërpresin operimet në Shqipëri nëpërmjet fluturimeve charter.
Maksimumi që mund të bëjnë, mund ta bëjnë nëpërmjet paketave dinamike, me njerëz që mund të bëjnë një rezervim hoteli apo të bëjnë një biletë”, deklaroi Kasa.

Sipas tij, ky është një ogur shumë i zi për turizmin shqiptar, duke pasur parasysh imazhin e Shqipërisë si destinacion, ku akoma ka shumë njerëz në Evropë, kur kthehen turistët, iu thonë ‘çfarë ndodhi atje’, ‘nuk ju vranë atje’, ‘nuk ju ndodhi gjë’.

“Shqipëria akoma është një destinacion i brishtë për sa i përket turizmit për një pjesë të madhe të popullsisë, për qytetarët e thjeshtë të vendeve të Evropës dhe më gjerë. Këto ndikime kaq negative na çojnë shumë vite pas. Nëse kemi arritur këto vite që këta operatorë turistikë ta fusnin në kalendarin turistik, ishte meritë e sektorit privat të turizmit. Shumë prej këtyre bizneseve marrin pjesë në panairet e mëdha të turizmit, kanë arritur t’i bindin këta operatorë turistikë ta fusin Shqipërinë në kalendarin e tyre. Flas për turizëm të organizuar, nuk flas për turizëm individual, të pavarur. Flas për turistë që vijnë nëpërmjet paketave të organizuara me fluturime charter.
Këta turistë që vijnë blejnë dhe ekskursione gjatë ditëve të pushimit dhe harxhojnë në Shqipëri një shifër minimumi 100 euro në ditë për person dhe kjo është një e ardhur e madhe për ekonominë shqiptare”, deklaroi Kasa.

Ai tha se ka efekte të tjera zinxhirë, teksa paralajmëroi se operatorët turistikë do të bëjnë denoncime, do të sjellin avokatët e tyre dhe faturat.

“Për sa i përket imazhit negativ që u përçua dhe nga mediat, por edhe në rrjetet sociale, se këta turistë kanë qenë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë në botë, sepse duke dhënë referenca të shkëlqyera për vendin tonë, kanë bërë që numri të rritet nga viti në vit; tashmë jemi në krahun e kundërt të lëvizjes dhe do të na duhet kohë e gjatë për ta rikuperuar këtë imazh kaq negativ që është krijuar, përveç dëmeve të mëdha financiare.
Vetëm tani të gjithë klientët janë lëvizur nga ‘Prestige Resort’, janë rialokuar në hotele të tjera dhe hotelet e tjera do të paguhen nga operatorët turistikë.
Ata do të bëjnë denoncimet e tyre, duke filluar që në ambasadat tona, që te ministria e turizmit. Do t’i sjellin me shifra financiare, avokatët e tyre do të merren me këtë punë sepse nuk janë lodra. Durrësi në fakt i cili ishte destinacioni më i mirë, ose Antalia e Shqipërisë për turizmin, pësoi një goditje kaq të madhe. Durrësi ka struktura të mëdha akomoduese, ka hotele luksoze, ku investitorët që kanë bërë këto hotele kanë marrë kredi dhe do duhet të përballen me një mosshfrytëzim të plotë të kapaciteteve të këtyre hotele dhe do t’i detyrojë në vitet në vazhdim që të mos kenë mundësi të paguajnë kredinë, apo të vihen në vështirësi financiare. Është një efekt zinxhir, nuk përfundon me një prishje pishine, por pasojat janë shumë të mëdha. Turizmi është shumë delikat”, tha Kasa.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb