Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka sqaruar deklaratat e tij për marrëveshjen LSI-PD para zgjedhjeve të 25 prillit. Ai tha në “Real Sotry”, se PD i kishte ofruar LSI 15 mandate të sigurta dhe të dyja të futeshin në një listë të përbashkët.

Nga ana tjetër sipas tij, LSI ka kërkuar që të jenë në listë të veçantë pasi nga sondazhet e tre do të merrnin minimumi 34 mandate deputetësh. Ai shtoi më tej, se nuk e kupton se kjo deklaratë e bërë prej tij u shoqërua me një sërë deklaratash fyese nga radhët e zyrtarëve të LSI.

“Sa kohë që zoti Meta do të jetë në zyrën e presidentit, nuk do të dëgjoni asnjë fjalë për mua ndaj tij në respekt të asaj zyre. Ai mund të bëj çdo gjë e të thotë çdo gjë ndaj meje e unë do të ruaj etikën time në raport me zotin Meta. Për mua institucioni i kreut të shtetit është i rëndësishëm. Unë nuk do të doja kurrë që nga ajo zyrë të dalin mesazhe përçarëse. Për LSI e kam thënë edhe më parë. Më pas pati një lëshim me deklarata nga më vulgaret e të pa vërteta. Unë nuk kam ndërmend t’i përgjigjem, por dua të konfirmoj se para se të finalizoheshin listat ka pasur dy qëndrime të ndryshme nga dy partitë. Ne donim që të futeshim në një listë të përbashkët. Sot do të kishim më shumë mandate nëse do të futeshim në një listë në zgjedhje.

Ata donin të futeshin me 1 listë veçmas se elektoratin e kanë të majtë dhe do e kishte shumë të vështirë një mbështetës socialist të votonte PD. Të jem i sinqertë unë ishte një pakicë brenda PD, sepse edhe unë doja të dilnim me dy lista. Ne i kishim lënë LSI 15 mandatesh. Qëndrimi i LSI ishte që të dilnin në listë të veçantë sepse sipas sondazheve të tyre rezultonte që me lista të ndara ato do të siguronin minimumi 34 mandate. Ky rrëfim i imi i vërtetë ka krijuar një shqetësim të pa zakontë te zyrtarët e LSI”, tha Bardhi.

Bardhi tha më tej se Berisha nuk mund të shkelmojë nderin e demokratëve dhe shtoi se ai nuk ka menduar për interesin e PD.

“Unë do të dëshiroja shumë që cilido prej atyre demokratëve që kanë marrë mbrapsht përgjegjësi nga demokratët, pavarësisht se janë në pozicionet që kanë pasur të mendojnë në plan të parë interesin e demokratëve. Nëse Berisha do të shkelmojë atë nder që ka marrë nga demokratët do të ishte zgjedhje e tyre. Unë do të doja të mos ndodhte që nga kjo lëvizje të dëmtoheshin demokratët. Kam bindje se zoti Berisha nuk është duke menduar për interesin e PD”, përfundoi Bardhi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb