Ka startuar këtë të mërkurë festa e Birrës, në qytetin juglindor të Korçës. Në një lidhje për ‘News24’, gazetarja Lorena Kodra tregoi ‘Live’ atmosferën në këtë qytet, ku duket qartë se ka nisur festa dhe mijëra turistë vendas e të huaj kanë mbushur sheshet, për të shijuar muzikën e bukur shqiptare e të huaj, shoqëruar me birrën freskuese të Korçës dhe Tiranës.

Gazetarja Kodra raportoi se në qytetin e Korçës janë ngritur tashmë dy skena, të ndara në dy pole, njëra te Pazari i Vjetër i Korçës dhe tjetra te Terminali i Autobusëve.

Referuar informacioneve më të fundit nga Bashkia e Korçës, gazetarja Kodra tha se krahasuar me vitet e tjera, shifrat tregojnë një pjesëmarrje masive të turistëve, të cilët kanë mbushur të gjitha kapacitetet e qytetit, por edhe të fshatrave turistike përreth. Madje, siç theksoi gazetarja për ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’, turistët që nuk kanë mundur të prenotojnë në Korçë, kanë prenotuar në Pogradec, për të qenë sa më afër dhe për të shijuar ditët festive.

Nata e parë e festës do të nisë me këngëtarin e njohur grek, Lefteris Pantazis, i cili do të performojë te skena e Terminalit të Autobusëve disa nga këngët e tij më të pëlqyera nga publiku. Teksa pritet që të nisë koncerti, edhe Terminali i Autobusëve pritet të mbushet plot e përplot me turistë, të cilët do të shijojnë këngët e Pantazis. Ndërsa në skenën e ngritur te Pazari i Vjetër pritet të ndezin sonte atmosferën këngëtarët shqiptarë Vikena Kamenica dhe Deviz Xherahu.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb