Lëvizja e kryeministrit për të dërguar në Shkodër, Valdrin Pjetrin në postin e prefektit e bën atë, ashtu si në rastin e Elbasanit, një kandidat potencial për postin e kryetarit të Bashkisë në zgjedhjet e 30 qershorit.

Burime nga PS thanë për ‘BalkanWeb’, se ashtu si prefekti i Elbasanit, Gledjan Llatja, i cili pas sondazheve u konfimua si kandidat për Bashkinë e Elbasanit,  edhe Valdrin Pjetri do të jetë pjesë e pyetësorit për qytetarët në Shkodër.

Po sipas të njëjtave burime skuadra e sondazheve do të nisë së shpejti pyetesorin mbi kandidatin e PS në qytetin që njihet si bastion i së djathtës, pjesë e të cilit do të jetë edhe emri i prefektit të ri, Valdrin Pjetri. Përzgjedhja e Valdrin Pjetrit duket se nuk është rastësore, pasi ai është lindur në Shkodër dhe lidhjet e tij janë të forta atje.

Valdrin Pjetri u emërua sot Prefekt i ri i Shkodrës. Deri para këtij emërimi, Pjetri mbante detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Hipotekave dhe lëvizja bëhet pas shkrirjes së këtij institucioni me ALUIZNI-n.

Valdrin Pjetri do të zëvendësojë Çesk Milljen, i cili mbante postin e Prefektit të qarkut të Shkodrës prej shtatorit 2017.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb