Kryeministri Edi Rama tregoi, gjatë një takimi elektoral me gra dhe vajza në Tiranë, bisedën me një grua, e cila e kishte falënderuar për mbylljen e basteve.

Gjatë fjalës së tij, Rama sulmoi dhe kundërshtarin e tij politik, Lulzim Basha, teksa tha se askush nuk beson se premtimet e tij mund të realizohen.

“Një grua më thoshte se si mund ta votoj unë PD, kur ti, më thoshte, ke shpëtuar nga halli më i madh që kam pasur, nga bastet ku burri humbte lekët dhe që ishte mallkimi jonë. Ky është dallimi mes nesh dhe PD. Ne nuk jemi të përsosur, nuk i kemi bërë gjithë gjërat mirë, por ne baste me jetën e shqiptarëve nuk vëmë. Çdo të thotë bast nuk vëmë? Do të thotë nuk luajmë bixhoz me të ardhmen. Bixhozet që u mbyllën, e duke ju thënë ‘më jepni votën, që t’iu jap lekë’. Ka blerje votash me lekë, po ka një blerje shumë më të madhe votash me bixhozin elektoral të PD, një blerje që është simetrike me blerjen që njësoj si në bixhoz iu bëri Rrapush Xhaferri mendjeve të shqiptarëve. Ti më jep një, unë t’i dyfishoj brenda dy javësh, brenda muajit t’i katërfishoj, e kështu me radhë, derisa shqiptarët arritën sa të shesin dhe shtëpitë.

Madje Rrapushit ia shtronin rrugën me sheqer, edhe Lulit ja kishin shtruar në Lezhë. Rrapushi thoshte ‘më jep një, të jap dy’ dhe aty dy në fakt u bënë dy gishta, që shqiptarëve iu futën në sy. Rrapushi ka trajtën e Lulzim Bashës. Është natyrisht më i qetë se Rrapushi, është më i vështirë për t’u marrë vesh, por është rikthyer për t’u bërë shqiptarëve të njëjtin test, testin e atij mallkimi, që shqiptarët i ka ndjekur dhe kapur në disa momente, kur të lodhur e të zhgënjyer, kanë vajtur nga pas. Si mundet sot të ketë njerëz, që t’i dorëzohen stresit, lodhjes, mërzisë, pakënaqësisë, dhe të shkojnë pas një Rrapushi e të besojnë se ato që ai thotë, mund të bëhen. Dhe kush i thotë? Ai që kur shkoi për të marrë Bashkinë e Tiranës, shkonte te furrat e bukës e ju thoshte më shihni në sy, dhe kapte bukën e thoshte se do të ulë çmimin e bukës.

Pas kësaj vjen boshllëku, në të cilin shoqëria zhytet përsëri. Vjen ajo forca thithëse që e tërheq Shqipërinë poshtë në forma të ndryshme. Unë nuk them se nëse votohet ky Xhaferri i vogël, do shkojë Shqipëria në flakë, por do shkojë poshtë. Në këtë moment është shumë e rëndësishme, që gratë, ato që e dinë çfarë do të thotë të mbash shtëpinë, fëmijët, të kujdesesh për burrin, për prindërit e burrit e të tutë, dhe aq më tepër në një kohë kaq të vështirë si kjo, duhet të marrin fatin e votës në dorë më 25 prill. Askush më shumë e mirë se gratë nuk e kupton çfarë do të thotë të dorëzohesh, kur lodhesh, kur mërzitesh, kur zhgënjehesh. Askush më mirë se gratë nuk e kupton se ka vetëm një rrugë për t’u përballur me mërzinë, lodhjen. Kush del e thotë ‘lekë, lekë, lekë’, thjesht kërkon ta manipulojë shpirtin e lodhur, të trazuar, ndërsa kush thotë ‘punë, punë, punë’, kërkon ta motivojë, ta çojë në betejë, sepse Shqipëria duhet të vazhdojë betejën, duhet të jetë sot më e vetëdijshme se asnjëherë që asgjë nuk është e pamundur”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb