Nga Vasil Kureta
Zhvillimet në marrëdhëniet ndërkombëtare janë të vrullshme dhe me ngjarje shumë të rëndësishme, që pasurojnë me shpejtësi përmbajtjen e marrëdhënieve ndërkombëtare, me ndryshimet që mundësojnë e realizojnë. Brenda këtij procesi vend të veçantë zë dhe samiti i fundit i G7 në Kebek të Kanadasë. Pas deklarimeve para samitit dhe sidomos pas reagimeve komplekse pas samitit, tash lind pyetja, jo vetëm për pritshmëritë dhe pasojat që mundëson, por se si mund të lexohet kjo G7, apo se si mund t’i afrohesh thelbit të vërtetë të saj? Cilat mund të jenë pasojat më të mundshme? Ka shumë rëndësi të mos mbetesh shumë te pamja e jashtme e deklarimeve, se sa te përmbajtja dhe thelbi i problemit, që përmban ky samit. Ky format pune e bashkëpunimi është me histori të gjatë, pavarësisht se ka ndryshuar numri pas G-së.

Ai nuk ka lindur rastësisht, por ka qenë produkt i filozofisë së punës dhe bashkëpunimit të perëndimit, për të diskutuar e vendosur bashkërisht, jo vetëm për probleme të rëndësishme ekonomike e tregtare, të sigurisë, por dhe politike e strategjike, pavarësisht se sa ka qenë pesha dhe vëllimi konkret i këtyre përbërësve. Filozofia e ndërtimit të marrëdhënies dhe bashkëpunimit brenda perëndimit, kishte të harmonizuara edhe ideologjinë, mendësinë e të gjykuarit duke u mbështetur në sistemin e vlerave, por dhe me pragmatizëm funksional. Këto përbërës esencialë definuan qëndrimin, vendimmarrjen dhe veprimin perëndimor, që mendohej se mbronin dhe fuqizonin interesat e përbashkëta, por dhe e ushqenin dhe e mbronin vazhdimisht modelin perëndimor. Kishte kështu një harmonizim e ekuilibër mes ideologjisë dhe pragmatizmit.

Harmonizimi i këtyre përbërësve i kontribuoi forcimit të kohezionit të brendshëm, por dhe efektivitetit në përballimin e sulmeve dhe goditjeve nga jashtë, sidomos në periudhën e luftës së ftohtë 1. Sot nuk ka ndonjë ndryshim thelbësor për të ecur me më pak ideologji dhe me më shumë pragmatizëm, aq më tepër që është bërë tepër e mprehtë mbrojtja e sistemit të vlerave. Nëse vërtet ndodh një ecje e tillë kjo do të thotë një dobësim i forcimit të brendshëm, i vetëmbrojtjes aktive të modelit perëndimor. Nëse vërtet kjo ndodh, atëherë do të ishte një zhvillim vërtet negativ. Është vërtet nevojë historike që modeli perëndimor të udhëheqë, sepse kjo i shërben progresit dhe përballimit të sulmeve e goditjeve aktive nga modelet autokratike apo diktatoriale. Me këtë filozofi pune e përmbajtje ka funksionuar ky format edhe në periudhën e luftës së ftohtë 1, por dhe pas, saj deri në ditët e sotme. Janë mbledhur dhe kanë diskutuar fuqitë perëndimore në këtë format edhe kur kanë dialoguar për bashkëpunimet ekonomike e tregtare, apo për çmimet e produkteve bujqësore, por edhe për çështjen e mprehtë, se si mund e duhej përballuar rënia e shpejtë e komunizmit, apo se si mund të monitorohej ky proces i ri dhe se cila do të ishte përmbajtja konkrete e këtij monitorimi.

Pavarësisht se ka ndryshuar mundësia e njohjes së përmbajtjes së informacionit për këto veprimtari, apo se sa informacion është bërë publik dhe sa jo, apo që është klasifikuar sekret, gjithnjë është punuar me këtë filozofi pune. Në periudhën e luftë së ftohtë 1, kuptohet pjesa e konsideruar sekret me vështirësi mësohej, apo mësohej kur konkretizohej, ndërsa tash situata ka ndryshuar, se ka më shumë informacion, apo mundësi për të mësuar më shumë nga çfarë thuhet e publikohet zyrtarisht, jo thjesht për shkak të teknologjisë së informacionit, por sidomos për një demokratizim të ndjeshëm, sa i përket informimit të publikut. Vendet perëndimore kanë grumbulluar një përvojë të pasur, sa i përket bashkëpunimit dhe tërheqjes së aktorëve të rëndësishëm në bashkëpunim, që ka krijuar dhe formatin tjetër të G20. Në çdo rast këto formate pune kanë fokusuar një problematikë të mprehtë, me qëllim që të përballohej ky zhvillim apo ndryshim i pritshëm.

Pikërisht dhe ky samit i G7 u thirr në një moment të rëndësishëm, kur shihen dukuri e prirje të ndryshimeve brenda rendit botëror, kur ka një problematikë të mprehtë e jo të zakonshme brenda Perëndimet, sa i përket formave të bashkëpunimit, jo vetëm ekonomik e tregtar, por edhe politik, të sigurisë dhe ato strategjike, apo një grindje reale mes BE dhe SHBA; kur janë shfaqur mosdakordësi mes SHBA dhe BE ndaj zbatimit të marrëveshjes bërthamore me Iranin; kur ka zhvillime të rrezikshme në disa kriza, si ajo e Lindjes së Mesme dhe ajo e gadishullit korean, me kërcënimet publike të Koresë së Veriut ndaj SHBA e me vringëllim të armëve bërthamore, apo kur SHBA deklaroi tarifa të njëanshme ndaj importeve të çelikut dhe aluminit, që vendet e BE mendojnë se afektohen rëndë dhe vijnë në një mënyrë të njëanshme e të pa diskutuara; kur ka shumë paqartësi, shqetësim real e pasiguri sa i përket përmbajtjes së bashkëpunimit mes SHBA dhe BE; kur disa lëvizje të SHBA po interpretohen nga aleatët e saj, si shmangie apo ndryshim i filozofisë së komunikimit e bashkëpunimit dhe të punuarit së bashku. Po kështu janë shfaqur edhe lëvizje për të shmangur qëndrimet e dakordësuara, siç ishte dhe një deklarim i ministrit italian të Brendshëm se Roma mund të vendosë veton në BE, sa i përket çështjes së sanksioneve ndaj Rusisë, që e detyroi kreun e NATO-s Soltenberg të deklarojë qartë, se sanksionet ndaj Moskës nuk preken dhe aleatët duhet të kenë qëndrim të përbashkët. Në thirrjen e samitit të G7 trysni të veçantë ka bërë dhe ka përcaktuar pikërisht kjo problematikë komplekse. Kjo G7 u mendua të zhvillohet pikërisht në një moment ku ka shumë paqartësi, shqetësim real e pasiguri konkrete, sa i përket përmbajtjes së bashkëpunimit brenda perëndimit. Disa lëvizje nga SHBA, duket se po interpretohen nga BE si shmangie apo si ndryshim i filozofisë së komunikimit e të punuarit së bashku. Samiti i G7 u zhvillua pikërisht në këtë klimë apo procese ndryshimesh të padakordësuara e pikëpyetjesh konkrete. Samiti i G7 mund të lexohet e vështrohet në kënde e mënyra të ndryshme, por aktualisht tërheq vëmendjen një ndryshim i filozofisë së krijimit e funksionimit të këtij formati dhe rolit e mundësive që ka për të kontribuar në zhvillimet e qëndrueshme ekonomike, politike e sociale, por dhe strategjike e gjeopolitike, për kontributin real në sigurinë e stabilitetin e sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare. Çdo herë këto formate pune kanë tërhequr vëmendjen veçanërisht, sepse në vazhdimësi kanë sjellë kontribute konkrete, por këtë radhë ndjehet dhe shqetësimi për një ndryshim të filozofisë së punës e të misionit të tij.

Çdo herë ka pasur diskutime e debate të gjalla brenda perëndimit edhe në këto formate bashkëpunime, që kanë harmonizuar qëndrimet, por këtë radhe edhe pse u arrit një dakordësim për nënshkrimin e deklaratës përmbyllëse të samitit, ngjau që SHBA, deklaroi tërheqjen prej saj. Arsyeja e këtij veprimi të presidentit amerikan Trump ishte mendimi apo akuza, se po vendosen tarifa masive ndaj SHBA. Nëse lexon me vëmendje deklaratën e publikuar vëren se në të nënvizohet teza për një sistem tregtie të bazuar në rregulla. Mbështetur në këtë fakt duhet evidentuar një element domethënës se, megjithëse SHBA kishin deklaruar në mënyrë të njëanshme tarifa të reja për çelikun dhe aluminin, nuk i pengoi vendet europiane, por dhe Kanadanë të nënshkruanin deklaratën. Megjithatë, duket se presidenti Trump nuk ka pritur mirë deklaratën e kryeministrit kanadez Trudeau, se do të nxiste ndërmarrjen e tarifave kundërvënëse ndaj SHBA, duke filluar nga 1 korriku. Kanadezët ka deklaruar Trudeau janë të sjellshëm e të arsyeshëm, por nuk do të merren aspak nëpër këmbë. Në këtë situatë BE lëviz të deklarojë se do t’i qëndrojë deklaratës së përbashkët, pavarësisht vendimit të Trump. Këtë qëndrim shprehu edhe Britania e Madhe. Që të kuptohet më qartë se është një formë lufte brenda perëndimit apo kontradiktë në zhvillim, duhet sjellë në vëmendje porosia e presidentit amerikan për zyrtarët e vet se po shqyrtojnë edhe tarifat e reja për automjetet. Në se mban në konsideratë edhe pohimin e presidentit amerikan për kryeministrin kanadez si „tepër të pandershëm dhe të dobët“, kupton më mirë atmosferën brenda Perëndimit. Natyrisht që pas reagimeve të këtij lloji vjen dhe qetësimi e arsyetimi më i shëndoshë dhe ajo që mbetet e ka vlerë, është teza e deklaratës së samitit për nevojën e një tregtie të lirë, të drejtë dhe me përfitime të ndërsjella, por duke e vënë theksin në luftën kundër proteksionizmit.

Pas kësaj vjen vetiu pyetja: sukses apo dështim ishte ky samit? Nëse nisesh nga përmbajtja e deklaratës së presidentit amerikan se ishte një samit shumë produktiv, apo që në fund u dakordësuam me disa hapa e qëndrime konkrete, por që mban në konsideratë dhe tërheqjen e nënshkrimit nga teksti i deklaratës, atë here më drejtë është të pranosh një realitet me kontradikta e probleme brenda Perëndimit, ku duhen mbajtur në konsideratë edhe ndarjet për marrëveshjen për klimën, për konfliktin izraelito-palestinez, apo për marrëveshjen bërthamore me Iranin etj. Natyrisht ka filluar dhe një proces reflektimi rreth këtyre zhvillimeve, që është vërtet me interes dhe këtu mund të sillet në vëmendje një deklaratë e presidencës franceze, se diplomacia nuk mund të diktohet nga krizat e inatit. Le të jemi seriozë dhe të denjë për popullin tonë, nënvizon Macron. Ne ndërmarrim angazhime dhe i përmbahemi atyre. Bashkëpunimi ndërkombëtar nuk mund të ndikohet nga ndjenjat e zemërimit dhe inatit. Kjo është filozofia, principi dhe metodologjia që Franca mbështet në marrëdhënien perëndimore.

Ka një mendim se ky qëndrim i presidentit Trump mund të interpretohet si një formë aplikimi e konkretizimi i tezës “America first” edhe në marrëdhëniet brenda Perëndimit. Mendohet kështu nga disa se, ajo që ndodhi në këtë samit është vërtet dëshmi se presidenti Trump nuk është i interesuar më shumë për multilaterizmin se sa për unilaterizmin. Edhe pse ministri gjerman Mass ka pohuar, se Europa e bashkuar është përgjigja e duhur ndaj slloganit “America first”, kuptohet se më shumë vlerë ka qëndrimi i bashkuar si Perëndim. Në këto kushte tërheq vëmendjen reagimi shumë i matur i Kancelares Merkel, që pasi e vlerëson këtë samit të G7, por duke mbajtur parasysh tërheqjen e presidentit Trump, flet për një eksperiencë depresive dhe dëshpëruese, duke theksuar se liderët europianë nuk dëshirojnë të marrin avantazhin në këtë tregti. Kjo dëshmon qartë se Merkel as e dëshiron e as e ushqen një luftë tregtare. Ky qëndrim i përmbajtur dhe realist i shërben gjetjes së kompromisit e shmangies së një lufte tregtare brenda perëndimit. Natyrisht nuk mund të mos shprehte dhe shqetësimin e saj në formën se unë fola për një eksperiencë dëshpëruese, por që për mua është shumë apo flet shumë. Ajo është e qartë se samiti i Kebekut prodhoi një deklaratë të mirë, por që duhet pranuar, se diferencat me SHBA qëndrojnë. Prandaj duke iu referuar deklaratës së tërheqjes së SHBA, Merkel deklaroi, se kjo na bën esëll dhe pak të dëshpëruar. Kjo deklaratë është më afër realitetit të zhvillimeve brenda Perëndimit e sidomos sa i përket cilësisë së marrëdhënies mes BE dhe SHBA. Merkel u tregua e qartë dhe e shqetësuar për mënyrën e shfaqjes së dallimeve dhe kontradiktave, kur pasi shprehu keqardhjen për tërheqjen e SHBA nga deklarata, nënvizoi se kjo u bë përmes një “cicërime në Tuiter”.

Askush nuk mund të parashikojë saktë se si do të evoluojë kjo kontradiktë e grindje brenda tyre, që në këtë moment tregoi fraxhilitetin e konsumimin e marrëdhënies mes BE dhe SHBA. Që të kuptohet më mirë situata, duhet mbajtur parasysh edhe sqarimi i mëtejshëm i presidentit Trump, se nuk ka barazi në partneritetin tregtar apo se nuk mund të lejojmë aleatët tanë të marrin avantazhin në tregti, që në një farë mënyre dëshmon aplikimin e “America first” edhe në marrëdhënien me aleatët e vet. Duket që edhe kërkesa ndaj aleatëve e sidomos ndaj Gjermanisë, për të shpenzuar më tepër për sigurinë e NATO, shkon në këtë linjë të kritikës amerikane për aleatët. Theksohet se Gjermania paguan 1% te GDP për NATO, kur ne paguajmë 4% të GDP, që përbën GDP më të madhe në aleancë. Këto dëshmojnë se ndryshimi i mëtejshëm i marrëdhënies brenda Perëndimit mund të thellohet më tej, të zgjerojë përmbajtjen. Me sa duket ka ardhur koha e një ndalese konkrete që të fokusojë diskutimin e atyre problemeve që ndajnë në aleancë.

Këto zhvillime brenda Perëndimit nuk mund të mos tërheqin vëmendjen e Rusisë dhe Kinës, të cilat, jo rastësisht organizuan në një kohë edhe atë takimin e organizmit ekonomik të bashkëpunimit euro-aziatik SCO, që mund të vlerësohet edhe si një formë rivaliteti. Madje Putini është ndjerë shumë komod përballë këtyre zhvillimeve brenda Perëndimit, duke përcjellë deklaratën, se do të jemi të lumtur të shohim çdonjërin në Moskë. Po kështu, Putin bën dhe parashikuesin, kur deklaron se në një farë mënyre unë ju kam paralajmëruar për sanksionet. Në këtë moment mësohet edhe një sygjerim i presidentit amerikan Trump për ta rikthyer Rusinë në formatin e G7. ”Ne takohemi pa Rusinë ka nënvizuar presidenti Trump. Ata duhet të lejojnë Rusinë të kthehet në këtë grup elitar”. Z.Trump thekson se Rusia duhet të jetë në takim ne duhet ta kemi atë në tryezën negociuese. Kjo deklaratë në këtë moment grindjeje brenda Perëndimit, nuk mund të mos tërheqë vëmendjen e BE, aq më tepër, kur qëndrimi i Perëndimit për largimin e Rusisë nga formati G8, nuk erdhi rastësisht, por si një masë e sanksion ndaj aneksimit të Krimesë dhe shpërthimit të konfliktit në Lindje të Ukrainës, që akoma nuk është zgjidhur, por është ngurtësuar si një konflikt i ngrirë.

Perëndimi e akuzoi Rusinë kështu, për shkelje të rëndë të ligjit e të drejtës ndërkombëtare, për ndryshimin me dhunë të kufijve të Europës. Edhe pse Rusia ka nënshkruar dy marrëveshjet e Minskut, nuk ka plotësuar akoma detyrimin e dorëzimit të kontrollit të kufirit Ukrainës. Atëherë lind pyetja se çfarë ka ndryshuar që të rikthehet Rusia në këtë format, apo pse është në interes të të gjithëve rikthimi i Rusisë në këtë format, siç mendon kryeministri i ri italian?

Në përgjigje të pyetjes dhe kërkesës së presidentit Trump, Kancelarja Merkel shfaq konsekuencën perëndimore ndaj këtij gjykimi e qëndrimi, teksa argumenton se një gjë e tillë nuk do të ndodhë, deri sa të ketë progres substancial në zgjidhjen e konfliktit në Lindje të Ukrainës. Edhe Kanadaja, përmes ministres së Jashtme Freelad, ka theksuar se “Rusia e ka bërë të qartë se nuk ka interesim që të sillet në bazë të rregullave të demokracisë perëndimore. Nuk ka bazë me këto veprime të Rusisë, ajo të rikthehet në G7”. Siç shihet jeton brenda Perëndimit harmonizimi i elementit ideologjik, politik dhe ekonomik e tregtar apo një filozofi pune që orientohet nga sistemi i vlerave , por edhe nga ligji e drejta ndërkombëtare.

Siç shihet nga këto zhvillime, mendimi apo deklarimi i tipit se formati G7 duhet futur në muze, duket mjaft i nxituar e jo realist. Ky samit prodhoi shumë lajm e ngjarje, ku duke mos harruar tërheqjen e SHBA nga deklarata pasi e kishte nënshkruar atë, samiti dëshmoi se funksionon, pavarësisht dallimeve dhe kontradiktave, të cilat tash kanë mundësinë të bëhen më të njohura për publikun e gjerë. Edhe ky zhvillim i transparencës do të ndihmojë për zgjidhjen e këtyre kontradiktave, por dhe ndaj zhvillimeve të qëndrueshme ekonomike, politike e sociale, duke i dhënë më tepër inkurajim anëtarëve të këtij formati të përmbushin përgjegjësitë komplekse ndaj popujve të këtyre vendeve, por sidomos edhe sa i përket zhvillimeve të qëndrueshme ndërkombëtare, sigurisë e stabilitetit në botë. /GazetaShqiptare/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb