189 milionë lekë të rinj është buxheti i këtij viti për Akademinë e Shkencave, rreth 70 milionë më shumë se ç’ishte para se Akademia të drejtohej nga Skënder Gjinushi. Në mbledhjen vjetore të Asamblesë, ai u ndal te përparësitë.

“Buxheti gjithsej për këtë vit është 189 milionë lekë, nga të cilët 65 milionë janë të paracaktuara për pagat e pagesat për tituj e 10 milionë për shpenzimet operative apo administrative. Shuma prej 114 milionë që mbetet për t’u administruar nga Akademia është programuar: 55 milionë lekë për tre projektet në albanologji dhe 26-27 milionë lekë për punën kërkimore e studimore të njësive të tjera… 12 milionë për botimet (duke përfshirë periodikët), 5 milionë për çmimet e akorduar nga ASHSH dhe për marrëdhëniet me jashtë e rreth 10 milionë për aktivitetet e të gjitha niveleve, nga Asambleja tek komisionet”, tha Gjinushi.

Pas reformës që solli në krye të Akademisë vetë Gjinushin, një ligj i ri u miratua për institucionin. Megjithatë, vetëm pak ditë më parë u kërkuan ndryshime ligjore që i japin të drejtë Gjinushit të rizgjidhet për një mandat të dytë, për çfarë akademiku Apollon Baçe e kritikoi propozimin.
“Ne na kritikoi Rama për instanjacion, na tha se jeni të ndryshkur. Tani kur ke forcën nuk e do as ligjin as drejtësin”, u shpreh Apollon Baçe.
Vetë Gjinushi u përpoq të argumentonte se ndryshimet ligjore bëhen për të tjera arsye, por pranoi megjithatë, se do të rikandidojë.
Synimet e Gjinushit shtrihen në disa fronte. Me një qeveri dashamirëse dhe buxhete bujare ndaj akademisë, ai rishprehu synimin për të marrë institutet albanologjike ndonëse terminologjia që përdor, e bën të paqartë mënyrën se si institutet do punojnë për akademinë pa shkrirë atë të studimeve Albanologjike, megjithatë, pohoi se kjo ka të bëjë edhe me paratë.

“Kthimi i Akademisë së Shkencave në institucionin më të lartë të kërkimit e koordinimit të vetë sistemit. Me reformën e vitit 2007, është krijuar një handikap. Nuk duam të shkrijmë, por duam të fuqizojmë institutet dhe po, patjetër, bashkimi me institutet, mund të ndikojë në uljen e kostove sepse nuk ka pagesa dyfishe”, tha Gjinushi.

Pos rizgjedhjes së tij, që u kritikua nga Baçe, asambleja nuk kundërshtoi asgjë nga program i këtij viti, vetëm Pëllumb Xhufi, kërkoi që çështjet të diskutohen në asamble e jo vetëm në Kryesi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb