Të moshuarit që kanë plotësuar moshën e përcaktuar me ligj dhe kenë minimumi 15 vite pune me kontribute mund të përfitojnë pension pleqërie. “Gazeta Shqiptare” publikon sot moshën e daljes në pension për gratë për vitin 2018, 2019 dhe 2020. Aktualisht për vitin 2018-të, mosha e daljes në pension sipas nenit 43, për gratë është 60 vite e 8 muaj (rritet për çdo vit me 2 muaj deri në vitin 2056 që arrin në 67 vjeç). Ndërkohë sipas kësaj llogaritjeje, mosha e daljes në pension për gratë në 2019-ën do të jetë 60 vjeç e 10 muaj, ndërsa në 2020 do të jetë 61 vjeç.

Sakaq, burrat duhet të jenë mbi 65 vjeç, në mënyrë që të mund të marrin këtë lloj pagese (mosha fillon rritet që nga viti 2033 me nga 1 muaj në vit për të arritur në 67 vjeç në vitin 2056). Sipas reformës së re të vitit 2014-të, masa e përllogaritjes së pensionit varet nga vitet e punës dhe paga, pra pensioni është produkt i viteve të sigurimit dhe pagës mbi të cilin janë paguar kontributet. Sa më shumë vite të ketë aplikanti dhe sa më e lartë të ketë qenë paga e tij, aq më e lartë do të jetë masa e përfitimit. Instituti i Sigurimeve Shoqërore thekson se vjetërsia e plotë kontributive për të dyja gjinitë është 35 vite e 8 muaj, e cila rritet me 4 muaj në vit, për të arritur me 40 vite në vitin 2029.

Përllogaritja
Formula e përllogaritjes së pensionit të pleqërisë është: pension social (bazë) plus një shtesë që është 1% për çdo vit sigurimi, për çdo vit punë, të bazës mesatare të vlerësuar për gjithë periudhën që individi ka paguar kontributet. Baza e vlerësuar për llogaritjen e pensioneve llogaritet si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihet si periudhë sigurimi. Për periudhën e sigurimit nga data 1.1.1994 e në vazhdim, për llogaritjen e bazës së vlerësuar merret shuma e pagave, për të cilat janë paguar kontributet nga data 1.1.1994 deri në fund të periudhës së sigurimit.

Për periudhën e sigurimit në institucione dhe ndërmarrje shtetërore para datës 1.1.1994, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merren pagat referuese, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Për periudhën e sigurimit në ish-kooperativat bujqësore, për llogaritjen e bazës së vlerësuar merren pagat referuese të caktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave. Në rastet kur personi i siguruar ka periudhë sigurimi para dhe pas datës 1.1.1994, baza e vlerësuar llogaritet si mesatare aritmetike e ponderuar e bazës së vlerësuar të periudhave të sigurimit, si ish-punonjës i institucioneve apo ndërmarrjeve shtetërore dhe ish-anëtar i kooperativave bujqësore përpara vitit 1994 si dhe e periudhave të sigurimit si person i punësuar, i vetëpunësuar apo ekonomikisht aktiv pas datës 01.01.1994.

Shkrimin e plotë e gjeni në Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb