Publikohet historia e panjohur e tregtarët te grurit dhe prodhuesit e miellit në vitet e Monarkisë së Zogut, të cilët duke dashur që të fitonin dhe të pasuroheshin sa më shpejt, abuzonin me çmimet, duke i ngritur ato në mënyrë fiktive. Cili ishte mendimi i ekonomisteve të asaj kohe në lidhje me këto probleme, dhe çfarë masash i sugjeronin ata qeverisë, në mënyrë që ajo t’u ndalte dorën spekulantëve…?!  E gjithë historia e  problemit të ngritjes së çmimit të bukës në atë kohë gjeti një pasqyrim të madh edhe nga shtypi i kohës, i cili  i bënte thirrje qeverisë që të merrte masa për stabilizimin e situatës dhe t’u ndalonte dorën spekulantëve që abuzonin në kurriz të popullit. Një nga ato organe shtypi që u mor gjerësisht me atë problem, ishte dhe gazeta “Besa” e Tiranës, prej së cilës ne kemi është përzgjedhur këtë shkrim që ajo botonte në disa numra të saj në vitin 1933.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Gazeta “Besa” e vitit 1933: Spekulimi i tregtisë së grurit

Korrespodenti ynë i Korçës, siç e botuam dje në pjesën e kronikave, na lajmëroi ankesat e popullit të atij qyteti mbi sjelljet e fabrikës së miellit, e cila duke treguar për shkak ngritjen e çmimit të grurit, ka shkaktuar shtrenjtimin e bukës me ngritjen që i bëri çmimit së miellit. Të këtilla ankime po dëgjojmë jo vetëm nga Korça, por nga të gjitha qytete të tjera të vendit, të cilat gjenden nën influencën direkt të fabrikave të miellit. Sistemi i përdorur në Korçë, për spekulimin e grurit, aplikohet, pikë për pikë në të gjitha qytetet e tjera pa asnjë ndryshim. Kjo na jep të kuptojmë se të gjitha fabrikat e miellit janë marrë vesh midis tyre dhe, duke formuar një trust, e caktojnë vleftën e grurit dhe të miellit ashtu siç t’u pëlqejë. Në asnjë shtet të botës, tregtia e grurit nuk është lënë e lirë. Por këtë të drejtë, të cilën në vende të tjera e kanë ruajtur qeveritë për veten e tyre dhe që e ushtrojnë me anën e bankave qeveritare, këtu tek ne kanë munduar ta shtien në dorë fabrikat e miellit, të cilat mundin të sigurojnë fitime, pa as më të voglin kontroll, në dëm të bujkut dhe të gjithë konsumatorëve.

Taktika e trustit të fabrikave të miellit

Taktika e ndjekura prej trustit të fabrikave të miellit është fare e qartë: në kohën e lëmenjve, kur bujku ka nevojë ta shesë produktin e tij, e blejnë grurin me atë çmim që ta caktojnë vetë dhe, pasi i mbushin depot e tyre, gjejnë një pretekst dhe shkaktojnë një vlerësim fiktiv në pjacën e grurit për të përfituar vetëm fabrikat e miellit. Këto fabrika kështu siç kanë mbetur gjer më sot të lira në veprimet e tyre, nuk kënaqen vetëm me fitimet që bëjnë prej miellzimit (bluarjes), të grurit, por spekulojnë dhe tregtinë e grurit. Me fjalë të tjera; nuk janë vetëm fabrika mielli, por janë edhe shoqëri të forta, të bashkuara, të cilat ushtrojnë tregtinë e grurit. Taktika e tyre ka disa pak vjet që po përsëritet rregullisht dhe kurrkush nuk ka mundur t’u imponojë një sjellje më korrekte; fati i bujkut, vlefta e bukës dhe interesi i përgjithshëm kanë mbetur në mëshirën e fabrikave të miellit. Pak muaj më parë, kur fabrikantët e miellit kishin nevojë të mbushnin me grurë depot e tyre, vleftën e grurit e caktuan pesë ose gjashtë franga kuintalin. Tani që u a do interesi të ngrihet çmimi i grurit, blejnë disa pak kuintal, me tetë ose me nëntë franga, vetëm sa për të alarmuar pjacën (bursën e grurit), dhe sa për të shkaktuar një vleftë fiktive. Me gjithë që kjo lodër është fare banale dhe qesharake, prap ato mund të spekulojnë dhe të shesin miellrat e tyre me vleftën që dëshirojnë.

Komisioni qeveritar për ngritjen e çmimit të grurit

Përse vallë u ngrit çmimi i grurit pikërisht tani që nga dora e bujkut shkoi në depon e fabrikave? C’farë eksportime, në sasira të mëdha u bënë që të shfaqej në bursën tonë një hipje me çmimin e grurit. Gjë prej gjëje. Të gjitha hipjet dhe zbritjet në bursën e grurit rregullohen dhe caktohen lirisht prej fabrikave të miellit sipas interesit të tyre. Ne, në vend që të ankohemi prej këtij spekulimi flagrant, vazhdojmë t’i mbrojmë dhe t’i përkrahim këto fabrika duke mos lejuar çeljen e këtyre fabrikave të tjera. Sjellja e këtyre fabrikave nuk ka munguar t’i heqë vërejtjen e Qeverisë, e cila nja dy muaj më parë formoi dhe një komision të posaçëm për të studiuar këtë çështje. Ky komision ka për detyrë  që të raportojë masat që duhen marrë për prerjen e hovit e gjithë spekulimeve që bëhen në kurriz të bujkut dhe të popullit konsumator. Komisioni akoma nuk e ka mbaruar misionin e tij, por nuk kemi shpresë se ky komision të mundi të nxjerrë në dritë një vepër të mbaruar. Komisioni në fillim thirri këtu në qendër gjithë fabrikantët e miellit dhe disa tregtarë; deshi të merrej vesh me ta për gjetjen e një mënyre që tregtia e grurit dhe e miellit të ushtrohej nën kontrollin e Qeverisë. Fabrikantët dhe tregtarët, me pretendimet e tyre dhe me pengimet që ç’faqnin u rrëfyen krye këput kundër dëshirës së ç’faqur prej komisionit. Nuk i mbeti, pra, detyrë e komisionit veç se të bëjë një farë rregullore për të shënuar se si duhet të veprojnë Bashkitë për të caktuar çmimin e bukës. Nuk besojmë që të ketë qenë ky qëllimi i Qeverisë për formimin e një komisioni me kaq rëndësi. Qëllimi kryesor është ndalimi i spekulimit në tregëtin e grurit; çmimi i bukës i mbrojtur me miellrat e fabrikave nuk mund të ndryshojë sipas vleftës që do të ketë çdo javë gruri, por sipas vleftës që ka pasur gruri në kohën kur u depozitua në depot e fabrikave. Me fjalë të tjera duhet gjetur mënyra që fabrika të mos bëjmë edhe tregtinë e grurit edhe tregtinë e miellit. Fabrikave duhet të u lejohet një fitim vetëm aq sa duhet të fitojnë prej bluarjes së grurit miell, dhe asgjë tjetër.

Dështimi i punës së komisionit!

Pasi shohim që komisioni i posaçëm nuk mundi të realizonte dot gjë për sa i përket çështjes së tregtisë së grurit, vepra e sajë e cila do të kufizohet në mënyrën e caktimit e çmimit të bukës, nuk ka aspak atë rëndësi që u shpresua të kishte në fillimin e formimit të këtij komisioni. Qeveria, fabrikat e miellit mund t’i përdorte fare mirë si institute për të mbajtur vleftën e grurit në atë gradë që ta gjente të pëlqyer, por një gjë e këtillë, pasi nuk do ta lejojë më spekulimin e grurit, u refuzua prej fabrikantëve të miellit dhe fati i bujkut dhe konsumatorit qëndron përsëri në mëshirën e këtij trusti. Në numrin e nesërm do të shfaqim mendimin se ç’mund të bëhet në rast se qeveria do të insistojë ta ndalojë spekulimin që bëjnë sot fabrikat e miellit. Siç e theksuam edhe pak më sipër në këtë shkrim, jemi i vetmi shtet në të gjithë botën që tregtinë e gririt e kemi lënë kryekëput të lirë. Me përjashtimin e ndalimit të importimit të drithërave, s’kemi bërë dot gjë prej gjëje për t’i siguruar produktit bujqësor një vleftë të detyrueshme, ashtu siç po bëjnë të gjitha qeveritë e botës. Përveç kësaj, me një apati të çuditshme po bëjmë sehir dhe spekulimin që bëjnë fabrikat e miellit në tregtinë e grurit. Pa dyshim që ky është gabimi më i madh që jemi duke bërë kundrejt ekonomisë së përgjithshme të vendit tonë.

Pse duhet të insistojë qeveria për çmimet?

Qeveria, po të insistonte mund të rregullonte fare mirë tregtinë e grurit me anë të fabrikave të miellit duke i këmbyer këto në një shoqëri të privilegjuar me disa të drejta të caktuara. Këto fabrika në vend që të lihen të lira ashtu siç janë sot që të spekulojnë në dëm të bujkut dhe të konsumatorit, mund të luajnë rolin e një instituti para-qeveritar për të mbajtur ekuilibrin e vleftës së grurit. Këtë gjë qeveria mund ta bëjë duke i detyruar fabrikat e miellit që grurin ta blejnë me një çmim të caktuar nga Ministria e Ekonomisë Kombëtare; mielli i fabrikave, duke u ndarë në disa kualitete, do të shitet në bazë të vleftës së grurit dhe pronarët e furrave do të detyrohen të mos përdorin tjetër miell përveç atij të fabrikave. Sivjet, për shembull, sikur fabrikat e miellit të ishin në dispozicion të qeverisë, grurit mund t’i caktohesh një çmim prej dhjetë frangash kuintali. Kjo vleftë fiktive do të rëndonte miellin e fabrikave dhe bukën. Konsumatori, në vend që bukën ta hante; dymbëdhjetë ose katërmbëdhjetë lekë kilogramin, do ta hante, sipas proporcionit që do t’i takonte kualiteti, gjashtëmbëdhjetë ose tetëmbëdhjte lekë kilogramin. Dëmi që do të shihte konsumatori prej vleftës fiktive të grurit, me që do të shkonte drejt për drejt, në dobi të bujkut, do të ishte një fitim nga pikëpamja ekonomike e përgjithshme. I tërë populli do të kontribuonte në përkrahjen e bujkut dhe të bujqësisë. Në shumë vende të botës caktohet vlefta e bukës jo nga frika se mos furxhinjtë e shesin më shtrenjtë, por për t’i detyruar këta që të mos e shesin të lirë. Një marrëveshje e këtillë, midis Qeverisë dhe fabrikantëve të miellit, nuk i dëmton aspak fabrikat e sotme, përkundrazi duke ua njohur këtyre një e drejtë në formë monopoli për bluarjen e miellit, do të mundnin të përfitojnë në proporcionin e caktuar prej Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare dhe do të marri formën e një shoqërie konçesionare me shumë të drejta. Kësaj shoqërie mund t’i ndihmojë dhe Qeveria për eksportimin e grurit ose, në rast nevoje, vetëm kësaj shoqërie mund t’i lejohet importimi i grurit dhe i misrit. Mirë po. Fabrikant e miellit, të mësuar siç janë të spekulojnë tregtinë e grurit dhe të bëjnë fitime ilegale në dëm të prodhuesit dhe të konsumatorit, natyrisht që nuk do të duan të hyjnë nën një kontroll qeveritar dhe do të preferojnë të vazhdojnë në tregtinë e tyre ashtu siç kanë vepruar deri më sot. Këtu është vendi që të theksojmë se sot asnjë tregti, sidomos tregtia e grurit dhe e miellit, nuk lejohet të ushtrohet lirisht. Koha e tregtisë së lirë ka perënduar prej vitesh, Populli me kënaqësi mund ta hajë të shtrenjtë bukën, kur e di se me këtë mënyrë kontribuon në dobi të bujkut, por nuk mund ta durojë që të ushqehet shtrenjt vetëm për të pasuruar fabrikantët dhe fabrikat e miellit.

Qeveria të nisi hetimet për abuzuesit

Qeveria këtë çështje duhet ta hetojë dhe ta shikojë seriozisht. Në rast se konstaton se fabrikat e miellit nuk janë gjë tjetër veçse ca parazitë që ushqehet me gjakun e bujkut dhe kur të shikojë se këto fabrika nuk duan të vijnë në asnjë marrëveshje me të, do të bënte shumë mirë, sipas mendimit tonë, t’ua blinte pronarëve fabrikat e mëdha të miellit, dhe t’i drejtonte me nenpunës qeveritarë. Këto fabrika, të gjitha bashkë nuk mund të kapin një shumë aq të madhe sa ta venë në një pozitë të ngushtë Qeverinë, por edhe sikur t’i kushtojnë shumë, qeveria mund t’a caktoj pagimin në një mënyrë që të mos i rëndohet. Interesi privat duhet të sakrifikohet për interesin e përgjithshëm. Ky propozim i yni, nuk duhet të konsiderohet aspak i guximshëm, po të kujtojmë ligjin e reformës agrare. Qeveri për të liruar bujkun prej një skllavërie shekullore, i shkeli, me ligjin e reformës agrare, të gjitha të drejtat që i kishin pronarët e mëdhenj mbi tokat që i gëzonin ligjërisht. Kur pra, qeveria për dobi të përgjithëshme, sakrifikoi interesin e mijra pronarëve, nuk ka aspak arsye që të tërhiqet prej blerjes së katër a pesë fabrikave që ekzistojnë sot në Shqipëri. Pasi Qeveria duhet të bëhet e zonja e këtyre fabrikave dhe pasi tregtinë e miellit ta deklarojë të sajën, përnjëherësh do të formohet shoqëria me kapitale të mëdha që të vinë në marrëveshje me Qeverinë dhe fabrikat e sotme sipas vleftës dhe konditës që do ta caktojë qeveria vetë. Komisioni i formuar posaçërisht për të studiuar çështjen e tregtisë së grurit dhe të miellit, në vend që ta shkojë kohën me përgatitjet e një projekti për mënyrën e caktimit të vleftës së bukës, do të bënte shumë më mirë që të studionte masat që duhen marrë për ndalimin e spekulimit që po bëjnë sot fabrikat e miellit. Një komision i përbërë gati prej të gjithë shefave të ministrive, duhet të mendoje masa dhe reforma radikale me rëndësi të pajtuara me gjendjen e sotme dhe në bazë të parimeve që janë pranuar në të gjithë botën e qytetëruar. Na vjen keq një komision me kaq rëndësi të merret me rregulloren e furxhinjëve, të cilën mund ta bënte kushdo dhe fare lehtë duke përkthyer një rregullore të huaj. Sjellja e fundit e fabrikave të miellit duhet t’i kujtojë komisionit rëndësinë e misionit të tij dhe duhet ta bindi që të ketë çështje ta studiojë më thellësisht dhe të kujdeset më shumë nga sa bën sot./Memorie.al

Copyright©“Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb