Të martën, 1 nëntor, ish-deputeti i Partisë Socialiste dhe shkrimtari, Ben Blushi, shpalli partinë e tij të re, të quajtur LIBRA. Në fjalimin e tij, Blushi i kushtoi edhe një moment ngjyrës së verdhë, me të cilën ka vendosur të përfaqësohet në imazh: “LIBRA” ka vendosur të ketë ngjyrën e diellit. Në simbolikën e ngjyrave, prej mijëra vitesh, e verdha përfaqëson mençurinë, optimizmin dhe intelektin.

Edhe pse shpesh njerëzit ngjyrën e interpretojnë si çështje shijeje, në fakt, ka me qindra studime mbi psikologjinë e ngjyrave që lidhen drejpërdrejt me njerëzit që i zgjedhin ato si të preferuarat e tyre. Përzgjedhja e të kuqes nga LSI, magenta-s (e purpurt) nga PS, blusë nga PD dhe tashmë të verdhës nga LIBRA, nuk janë aspak të rastësishme. ‘Anabel’ ka bërë një kërkim mbi shpjegimet e ngjyrave dhe ka nxjerrë disa karakteristika, të cilat shpjegojnë edhe imazhin që disa prej liderëve kryesorë të
politikës shqiptare kanë apo duan të kenë tek populli.

Edi Rama – Kryetar i Partisë Socialiste. Ngjyra dominante e kësaj partie është e Purpurt (Magenta)
ca78997f23e6e68588701824c9563012
– Nëse ke zgjedhur ngjyrën e purpurt, ti kërkon harmoni dhe ekuilibër në çdo aspekt të jetës; fizikisht, emocionalisht dhe shpirtërisht. Ajo ndihmon që të çlirohen mendësitë e vjetra të të menduarit, të sjellurit dhe të shtyn të ecësh përpara për një ekuilibër edhe më të madh.

– Me një imagjinatë të gjallë dhe aftësi kreative, ti ke dëshirë të shohësh jetën nga një këndvështrim ndryshe.

– Të pëlqen e bukura sepse nxit krijmtarinë.

– Nëse zgjedh të purpurtën, ti je optimist dhe ke dëshirë të motivosh të tjerët që të arrijnë më të mirën.

– Je i ndjeshëm, i mirë dhe kërkon që të gjithë përreth të ndihen të lumtur. Ke një natyrë bashkëpunuese.

– Je shumë shpirtëror, por nuk je fetar – ndërgjegja jote shpirtërore dhe zhvillimi janë pjesë e rëndësishme e jetës sënde.

– Me natyrën tënde spontane dhe impulsive, ti dëshmon shpirt nismëtari në përditshmërinë tënde.

– Edhe pse je inovator dhe impulsiv, je gjithashtu shumë praktik.

– Je ose shumë emocional, ose aspak emocional dhe gjithmonë kërkon të gjesh një ekuilibër midis të dyjave.

– Me ngjyrën e purpurt, ti kërkon lumturinë edhe tek gjërat më të vogla dhe vlerëson
çdo gjë që ke.

– Si i apasionuar pas të purpurtës , ti nuk ke dëshirë të të kushtëzojnë në asnjë fushë të jetës. Je një shpirt i lirë që urren rregullat.

– Edhe pse shpirt i lirë, ti jeton një jetë të organizuar.

– Ke shumë humor dhe shpesh ke një humor të pazakontë për masat.

– Ti ke tendencë të bëhesh obsesiv dhe posesiv edhe për gjërat më të vogla në jetën tënde. Çështje të parëndësishme të konsumojnë, të bëjnë egoist dhe kërkues deri në ekstrem. Shpesh sjellja jote mund të bëhet shumë mbytëse për të tjerët përreth. 

Sali Berisha – Ish-kryetar i Partisë Demokratike. Ngjyra dominante e kësaj partie ështe BLUJA
b6365b595db0a6c0a17d5dec539f5519
– Nëse ngjyra që ke zgjedhur të përfaqësohesh është blu, atëherë ti je konservativ, u gjendesh njerëzve pranë dhe krijon besim. Në të njëjtën kohë, ti ke dëshirë të madhe që njerëzit të të besojnë.

– Nuk je impulsiv dhe spontan – mendon përpara se të flasësh dhe të veprosh. Merr kohën tënde për të procesuar dhe për të ndarë mendimet.

– Je i sinqertë dhe e merr seriozisht përgjegjësinë tënde.

– Ke dëshirë për paqe dhe harmoni në të përditshmen tënde dhe madje, do të ishte e këshillueshme edhe një orë meditimi.

– Ti shfaqesh me shumë vetëbesim dhe shumë i vetëkontrolluar, edhe pse fsheh anën tënde vulnerabël.

– Je shumë i përmbajtur nëse emocionet nuk të marrin përpara. Në rast se ndodh kështu, shfaqesh shumë emocional ose indiferent.

– Je i ndjeshëm ndaj të tjerëve dhe kujdesesh për miqtë e tu më të mirë. Edhe pse ke shumë miq, preferon shoqërinë e njerëzve më të afërt e të besuar.

– Ti ke karakter shpëtimtari dhe ke shumë dëshirë që njerëzit të ta kenë nevojën, por fillimisht duhet që të duash veten.

– Je shumë i rreptë kur bëhet fjalë për traditën. Të pëlqen t’u rrish besnik metodave që njeh mirë dhe nuk preferon të hysh në rrugë qorre. I bën gjërat në mënyrën tënde, edhe pse mund të ketë mënyra më të mira për t’i bërë.

– Ke nevojë për rregull në shtëpi dhe në zyrë. Papastërtia dhe paparashikueshmëria të bezdisin.

– Nuk ke dëshirë të marrësh të gjithë vëmendjen, por të pëlqen të punosh prapa skene.

– Edhe pse përpiqesh të evitosh konfliktet, shpesh je ti shkaku i konflikteve; mund të bëhesh shumë manipulues në një mënyrë shumë elegante.

– Je besnik në martesë, je një mik i sinqertë dhe i besueshëm. Krijon lidhje shumë të forta, por rrezikon që të krijosh varësi nga këto lidhje.

– Mund të bëhesh shumë emocional, ndikohesh nga ndjenjat e të tjerëve dhe gjendjet shpirtërore të të tjerëve.

– Je sentimental dhe të pëlqen e kaluara. Qan lehtë kur sheh filma.

– Ti krahason të kaluarën me të tashmen, merr shembull nga Sgura autoritare: prindër, shefa apo udhëheqës të tjerë për të mbështetur mendimet e tua mbi botën.

– Je shumë i ngrohtë dhe njerëzit ndihen të mirëpritur në praninë tënde.

– Ke një etje për dije dhe ke dëshirë të shfaqësh mençurinë tënde në çdo fushë që të
intereson.

– Je shumë shpirtëror, i përkushtuar ndaj familjes, Zotit apo çdo gjëje që ti e quan të
rëndësishme.

– Shqetësohesh edhe për gjënë më të vogël.

– Ndodh shpesh që ti bëhesh viktimë e vetëmëshirimit.

Ilir Meta – Kryetar i LSI (Lëvizjes Socialiste për Integrim). Ngjyra dominante e kësaj partie është E KUQJA
5a52a5c9ba674f0e215bb07314492ae0
– Je ekstrovert dhe optimist, kurajoz dhe ke besim në vete.

– Ke dëshirë për aksion dhe je shumë aktiv fizikisht. Seksi ka shumë rëndësi për ty. Ke instikte të forta mbijetese.

– Ke dëshirë të jesh qendra e vëmendjes dhe tërheq shumë njerëz pas vetes.

– Ke aftësi të stimulosh të tjerët dhe rrezaton shumë energji.

– Je ambicioz, konkurrues dhe dëshiron të fitosh gjithmonë. Vendi i dytë nuk të
intereson. Ose të gjitha, ose asgjë.

– Zakonisht e fiton shumë lehtë respektin e të tjerëve me sjelljen tënde dhe me aftësinë për të vendosur kufij.

– Adhuruesit e të kuqes janë pionerët e botës, sipërmarrësit dhe ndërtuesit të cilët duan të jenë të parët që të zbulojnë realitete të reja fizike.

– Nëse zgjedh të kuqen si ngjyrën tende, ke pasion dhe entuziazëm për jetën dhe nuk ke frikë të ndjekësh ëndrrat.

– Je impulsiv dhe duhet të numërosh deri në 10-të përpara se të reagosh në situata të caktuara, sepse karakterizohesh nga zemërimi dhe agresiviteti.

– Je gjithmonë në nxitim e sipër. Kërkon t’i bësh të gjitha gjërat sa më shpejt.

– Nuk ke dëshirë t’i lësh gjërat për në momentin e fundit, kur mund t’i bësh sot.
– Të pëlqen shumë puna.

– Je agresiv, nxehesh shpejt dhe karakterizohesh edhe nga nje energji e pasion negativ, shpesh të dhunshëm. Ndizesh shumë shpejt, por fikesh edhe aq shpejt. Nuk mban mëri.

– Adhuruesit e të kuqes nuk janë shumë shpirtërorë dhe fetarë.

– Ke një dëshirë të madhe për pushtet dhe kontroll.

– Gjithmonë shfaqesh sikur i di të gjitha, sepse nuk ke dëshirë të të komentojnë si injorant, apo jo inteligjent.

– Punon shumë dhe mirë, por nuk je shef aq i mirë. Natyra jote agresive nuk përkon me pozicionin menaxherial.

– Je shumë i përkushtuar kur do diçka, por ke vëmendje të shkurtër, mërzitesh shpejt dhe kërkon sfida të reja.

– Ngjyra e kuqe të jep një ego shumë të madhe dhe shpesh shfaqesh më i vetësigurt seç je përpara publikut dhe me një vetëvlerësim të fryrë.

Ben Blushi – Kryetar i partisë më të re “LIBRA”. Ngjyra dominante në logot e kësaj partie është E VERDHA
898e2bca34953af9c87b7204f68b7507
– Je shumë argëtues dhe njerëzit kanë qejf të shoqërohen me ty.

– Je krijues dhe i pari që sjell ide të reja, por ke dëshirë që këto ide të materializohen nga të tjerë. Shpesh ke tendencë të ëndërrosh mbi re.

– Je shumë kritik ndaj të tjerëve, por edhe ndaj vetes. Je perfeksionist.

– Analizon çdo gjë, gjatë gjithë kohës dhe je shumë metodik në të menduarin tënd.

– Shpesh je impulsiv në vendimet e tua dhe ndonjëherë arrin në konkluzione të gabuara, vetëm sepse nxiton.

– Je i pavarur dhe ke një grup selektiv shoqëror. Të pëlqen më shumë të kesh shokë që mendojnë si ty dhe të shoqërohesh me ta, sesa të ndjekësh evente ku ka shumë njerëz.

– Ti përdor mendjen për të arritur pikësynimet e tua dhe jo energjinë fizike.

– I fsheh mirë emocionet dhe gjithmonë shfaqesh shumë krenar, edhe në momente të
vështira.

– Je spontan – ke aftësi të mendosh shpejt dhe të marrësh vendime të shpejta.

– Ke një vizion modern. Teknologjia e re nuk të huton.

– Komunikon shumë mirë me njerëz që mendojnë si ty, por mund të bëhesh shumë i hidhur me ata që të kundërshtojnë.

– Je shumë i aftë për të përdorur njohjet dhe për të marrë informacion. Gazetarët shpesh e kanë ngjyrën e preferuar të verdhën.

– Edhe pse bën lehtë para, i harxhon ato po aq lehtë.

– Je kokëfortë, por nga ana tjetër, urren njerëzit e vegjël dhe mendjengushtë.

– Mendon se je inteligjent dhe i mirëedukuar, me njohuri në shumë subjekte.

– Je shumë i mirë në çdo sport që përfshin mendjen dhe jo trupin, si: shahu, fjalëkryqet, lojërat me letra etj.

– Vishesh dhe dukesh gjithmonë bukur.

– Shfaqesh shpesh si arrogant, pretencioz dhe snob.
(Anabel)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: