Analisti Artur Zheji dhe ish-prokurori Shkëlqim Hajdari ka diskutuar në emisionin “Pikat mbi i” të moderatores Ola Bruka, për vendimin e mundshëm që Gjykata e Apelit pritet të marrë përsa i përket çështjes së statutit të PD-së dhe vlefshmërisë s votimeve që çuan në zgjedhjen e Sali Berishës, kryetar.

Sipas Zhejit një vendim që do të rrëzonte Berishën si kryetar legjitim duke kaluar firmën dhe vulën sërish te Enkelejd Alibeaj do të shkaktonte protesta të mëdha në vend dhe tronditje politike.

Kjo sepse, analisti theksoi se ish-kryeministri Berisha konfirmoi forcën dhe rikthimin e tij në PD me një protestë me pjesëmarrje përtej parashikimeve më 7 korrik.

Ndërkohë, Hajdari nënvizoi anën ligjore të procesit duke sqaruar se vetëm 1 nga një listë me 3 vendime mund të merret nga Gjykata e Apelit në këtë rast.

Artur Zheji: Partia Demokratike jam unë dhe unë jam Partia Demokratike. Duket lojë fjalësh por që në krye të seancave të para të foltores tha se kryetar i PD do jem unë dhe kështu u bë. Thuhet se dera e shtëpisë është e hapur, nuk ka bashkim por është rikthyer i zoti i shtëpisë, dhe normalisht kush do të rrijë jashtë është gabim dhe kush do mund të hyjë se dera është  hapur dhe ty të falen mëkatet. Si ndodhi kjo? Ishte një vendim gjykatë që njohu Kongresin e 10 Dhjetorit. Pritet ankimi për ta rivlerësuar vendimin e Zhukrit, për ta lënë në fuqi apo hedhur poshtë. Berisha i vuri të gjithë para faktit të kryer, se e mbushi të gjithë këtë hapësirë me akt politik dhe pika kulmore ishte protesta, që ishte paqësore. Por në anën tjetër a e cënon apo jo qeverinë Rama mbetet për t’u parë por Berisha dhe grupi PD i mbyllën diskutimet në Partinë Demokratike, kush rri jashtë është me Ramën, ndërsa kush është aty është me doktor Berishën dhe me PD. Berisha e ka bërë faktin e kryer se tani një vendim gjykatë do ishte absurd, do jetë si të jepje vendim për katin e parë kur është hedhur kati i 10 i pallatit.

Shkëlqim Hajdari: Ne dhe pas 30 vitesh merrmi me emrat, Rama po Berisha. Çështja teknike juridike e zotit Berisha është sfumuar se politika nuk është vulë, por është frymë, lidership ndaj vendimet e gjykatës së Apelit, zotit Zhukri dhe gjyqtares të vendimit të statutit të Partisë Demokratike po zbehen dita ditës se ndikimi në strukturat në PD është zbehur. Nëse vendimi do mbetet në fuqi, kjo lëvizje e Berishës merr bekimin ligjor. Nëse ndodh e kundërta, gjykata do vendos në bazë provash dhe askush nuk ka të drejtë të gjykojë. Gjykata mund të rrëzojë vendimin e lënë në fuqi nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe të lërë në fuqi veprimet e bërë nga grupi i zotit Basha.

Gjykata shikon provat dhe nuk duhet të ndikohet nga asnjë zhvillim politik. Nëse gjykata e rrëzon vendimin e Shkallës së parë në PD krijohet një frymë që Berisha dhe mbështetësit e tij janë në krye por firmën dhe vulën do ta marrë një kryetar (Aliebaj) deri në momentin që të bëhet një garë sipas statutit. Edhe ndërkombëtarët janë shprehur se pas vendimit të gjykatës do vendosin se me kë pjesë të PD-së janë.

Artur Zheji: Zoti Hajdari zgjidhi një ekuacion juridik. Ne kemi shumë raste ku gjykatat në një shtet ligjor marrin vendime të pabesueshme. Marrin të drejtën të zhbëjnë validete që nuk konsiderohen ligjore. Kjo është teoria, por praktika thotë se kur krijohet një volum shumë i madh i politikbërjes, se është si të ndërtosh pa leje 10-15 kate dhe del vendimi që do prishet pallati, keni parë ju që të prishet ndonjë pallat. Jo vetëm ai i ish-kryetarit të opozitës zotit Basha në Vlorë, ndërsa gjithë të tjerët legalizohen.

Pa diskutim dhe çdo veprim që do bënte gjykata do ishte një veprim shumë i rëndësishëm, dhe nëse do guxonte ta bënte do konsiderohej si akt politik dhe drejtësi e shitur te mazhoranca. I gjithë debati që u bë, shikoni zoti Zhukri dha dorëheqjen njëherë për konflikt interesi, por kryetari i Gjykatës tha shiko se nuk ke konflikt interesi. Ai e beri njëherë tha ta heq nga duart këtë patate të nxehtë, ndërsa besoj se askush tjetër nga gjyqtarët nuk mund ta merrte përsipër. Zhukri ishte nën presionin e situatës. Në këtë lloj pritshmërie Berisha akuzonte gjykatën që ishte sipas tij shërbëtore e Ramës dhe fliste për padrejtësi.

Kur u mor vendimi i zotit Zhukri u harrua kjo gjë, se vendimi u pëlqye, i shkonte për shtat. Unë megjithatë them se një vendim tjetër që do pasonte vendimin e Zhukrit do shkaktonte protesta të mëdha, do trazonte politikën. Gjykata them unë do merrte një vendim as mish as peshk.

Shkëlqim Hajdari: Gjykata o do të lërë në fuqi vendimin, ose do të përmbysë vendimin duke lënë në fuqi zotin Alibeaj si kryetar ose do të rivendosë gjykimin nga një trup tjetër gjyqtarësh në shkallën e Parë.

Artur Zheji: Mund të ketë edhe një alternativë të katërt. Të gjitha gjykatat në vende si Franca, Italia Spanja si ne këtu kemi zvarritje kaq të mëdha. Një veprim energjik i një gjykate që do të zgjidhi çështjen jo të lajë duart me çështjen me shpejtësi duhej. Por këtu ishte përgjigja e zotit Zhukri e vonuar dhe kjo e Apelit është e vonuar. Ndaj njerëzit do të bëjnë vetëgjyqësi dhe do të ndjekin reagimin e zotit Berisha që do thotë është drejtësi e blerë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb