Kombëtarja shqiptare ka udhëtuar drejt Islandës me çarter për ndeshjen e parë në Ligën B, Grupi 2, për Ligën e Kombeve. Por nuk ka qenë kështu për kuqezinjtë para 32 viteve, kur më 30 maj udhëtuan për herë të parë drejt Islandës në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Europianin e vitit 1992. Ky udhëtim i para 32 viteve ka pasur histori sa të dhimbshme dhe shqetësuese për ngjarjet që kanë ndodhur.

 

E para ka të bëjë me peripecitë e shumta gjatë udhëtimit transit në aeroportin Hithrou në Londër, për të vijuar më pas udhëtimin nga Anglia drejt Islandës. Dihet që gjatë udhëtimit transit të kuqezinjve ka ndodhur një episod i pakëndshëm, që edhe sot pas pak më shumë se tri dekadash flitet me rezerva prej disa protagonistëve, pasi tetë lojtarë u shoqëruan dhe u ndaluan nga policia londineze, për shkak të veprimeve që kishin kryer një pjesë e konsiderueshme e delegacionit në aeroportin e Hithrout. Në një rrëfim të Bejkush Birçes, ish-trajneri i Kombëtares për një periudhë të gjatë, që përkon edhe me transfertën e para 32 viteve drejt Islandës, në librin e ish-doktorit të Kombëtares Lluka Heqimi, na tregon detaje, por të rezervuara në emra.

Pikërisht bëhet pjesë për një rrëfim të ish-trajnerit në librin “Bejkush Birçe, futbolli nuk është vetëm lojë” me autor Lluka Heqimin, i cili në ngjarjen e mësipërme përveç rolit si mjek i kuqezinjve ka kryer edhe rolin e përkthyesit dhe negociatorit me palën angleze në lidhje me lirimin e pjesëtarëve të ekipit përfaqësues. Edhe më herët ka pasur rrëfime rreth kësaj ngjarjeje para ndeshjes me Islandën më 30 maj 1990, por jo kaq të imtësishme sa i ka dhënë ish-trajneri Bejkush Birçe, i cili gjithsesi është munduar që ta ruajë etikën, duke mos përmendur emra, që për hir të së vërtetës asnjë stuhi rrëfimi nuk ka arritur t’i zbulojë edhe pas 32 viteve.

“Panorama Sport” në dy botime do t’ju paraqesë rrëfimin e Bejkush Birçes të pasqyruar në librin e ish-mjekut të Kombëtares, Lluka Heqimi, si trajtë dosieri në lidhje me vizitën e parë të kuqezinjve në Islandë. Në pjesën e parë do të trajtohet udhëtimi, ngjarja e shëmtuar në aeroportin e Londrës, ndalimi dhe shoqërimi i fajtorëve në polici, negociatat dhe prapaskenat e lirimit dhe mosmbajtja e fjalës së agjentit të policisë londineze, për të vijuar më tej me udhëtimin nga Hithrou drejt Reikjavikut në Islandë për ndeshjen.

 

UDHËTIMI NGA TIRANA NË REIKJAVIK
“Në short na ra një ndeshje shumë larg. U nisëm nga Shqipëria për një rrugë të gjatë drejt Polit të Veriut, shumë afër tij. Do të udhëtonim në drejtim të Republikës së Islandës. Njerëzit që merreshin me udhëtimet tona pranë federatës kishin vrarë mendjen si të shpenzonin sa më pak lekë, pa marrë parasysh që sporti i kërkon disa privilegje gjatë udhëtimit. Këta njerëz duke mos qenë sportistë ose duke qenë, por pa shpirt sportiv, kishin një të menduar të çuditshëm në drejtim të udhëtimit dhe qëndrimit në aeroport. Kishim raste që ekipi harxhonte një ditë të tërë në transit ose të kalonte një natë të zezë në stolat e pasagjerëve. Kam përshtypjen që këtë kërkesë tonën për të pasur një udhëtim sa më komod nuk mundi ta kundërshtojë askush. Duhet ta pranojmë se organizimeve të udhëtimeve tona nuk i vinte asnjëherë era sport. Fluturimi ynë drejt Reikjavikut do të ishte rekordmenia e largësisë së udhëtimeve të ekipit tonë përfaqësues dhe e shpenzimeve më të pakta të paguara për një rrugë kaq të gjatë. Ju them me siguri që kjo vonesë qëndrimi u bë shkak i një ndodhie që se kishim imagjinuar kurrë në përmasat që do të merrte”.

NDODHIA NË AEROPORTIN E HITHROUT TË LONDRËS
“Nuk mund të rri pa e treguar qartë historinë tonë të Hithrout. Kjo është një nga ndodhitë më të çuditshme, më të pabesueshme e më të shëmtuara në historinë e futbollit shqiptar. Duhet përmendur dhe kjo ka edhe një arsye emblematike sociale, që krahas aktit të shëmtuar, ka edhe vend për një justifikim që lidhet me mbylljen tonë, lidhjet që kemi me njerëzit që na rrethojnë brenda vendit dhe dëshirave të shokëve për të pasur një kujtim nga ai që del jashtë. Në ‘Duty Free Shop’ të aeroportit, një pjesë e sportistëve morën disa xhingla-mingla pa mohuar edhe disa gjëra të shtrenjta nga një lojtar që me sa duket po përgatiste darovitë për nusen.

Veprimet tona ranë në sy jo nga kamerat, sepse në atë kohë nuk ekzistonin, por nga një agjent i policisë angleze me pamje japonezi dhe me një aparat fotografik hedhur mbi supe si një udhëtar i zakonshëm turist aziatik. Agjentët e veshur ushtarakisht erdhën shpejt dhe e kapën djalin që kishte vënë dorë mbi disa bizhuteri. Lajmin e parë e mori doktor Lluka, i cili me rrëmbim takoi agjentin kryesor me emrin Dejvid. Me sa do të më tregonte më vonë ai i ishte lutur personit përgjegjës që ta kalonte këtë akt pa denoncuar me shpejtësi. I propozoi agjentit të dorëzonin ato që ishin marrë ose të jepnim paratë e dëmit që kishim bërë. Shteti ynë, i kishte thënë mjeku, i dënon të gjithë, madje edhe ne që nuk e kemi kryer këtë veprim.

Agjenti u çudit nga kjo fjalë dhe kërkoi që t’i përsëritej edhe një herë fjalia. ‘Oh’- tha ai me vete, këtu në vendin tonë dënohet vetëm ai që e ka kryer krimin. Agjenti do ta kishte pranuar propozimin, por tani njoftimi ishte dhënë në stacionin e policisë së aeroportit. Në atë kohë aeroporti i Hithrout në Londër, vinte i dyti në Europë dhe i gjashti në botë nga numri i trafikut të pasagjerëve. Ishte 12.27 km katror, i ndërtuar pranë një fshati me emrin Hithrou. Punimet i kishin filluar në vitin 1929 dhe në vitet e Luftës së Dytë Botërore ishte kthyer në aeroport ushtarak. Pas luftës ai u zmadhua. Më 25 mars të vitit 1946 u quajt aeroporti i Londrës dhe në 1966 aeroporti Hithrou. Unë u informova menjëherë.

– Si kështu? – iu ktheva lajmëtarit.
– Po, – tha, – madje duhet të kontrollohemi të gjithë.

Anglezët e vunë ekipin në një dhomë të madhe të improvizuar enkas për këto punë dhe filluan kontrollin. Tetë lojtarë u gjendën me nga një gjë të vogël dhe u proceduan. Më vonë mora vesh se edhe disa sende ishin fshehur te tualetet, poshtë qilimave dhe kolltuqeve ku rrinin pasagjerët. Anglezët si mjeshtra e bënë punën e tyre dhe zbuluan gjithçka.

– Ata kanë gabuar, – më tha Lluka, – sepse kanë izoluar të dyja ekipet, Përfaqësuesen dhe Shpresën, në një kohë që duhet të izoloheshin vetëm ata të 8-të që ishin kapur fizikisht me faj.
– Kërkoje! – i thashë unë.
– Jam dakord! – më tha ai, por anglezët i quajnë të gjithë fajtorë.

Ata të policisë do të pendoheshin për aktin e kryer shpejt. Kishin frikën e ndonjë ankese që mund të bënim ne. Tani ishim si ‘gjenerali i ushtrisë së vdekur’. Stafi kishte ngelur jashtë në stacionin metropolitan të policisë së aeroportit dhe ata të gjithë të izoluar në burgun e aeroportit. Konsultimet tona se si duhet të shpëtonim skuadrën për ndeshjen e radhës i mbylli Edmond Dilaveri, i cili tha: S’kanë nga t’ia mbajnë, do të na lirojnë se s’bën, dhe kështu ndodhi me të vërtetë.

 

Po errësohej. Ne ishim sfilitur dhe mezi qëndronim në këmbë nga kjo lodhje që më shumë ishte psikike. Ata na drejtuan si staf në një nga hotelet ‘Exlesior’ të aeroportit, por askush nuk kishte dëshirë të flinte, vetëm të shtrihej. Ishte vetëm një largim nga vendi i ndodhisë. Në orën 3 të mëngjesit, thirret nga agjenti Dejvid, mjeku i ekipit. Anglezët deshën të korrigjonin veprimin e palejueshëm të izolimit të të gjithë lojtarëve. Tetë personat e kapur në flagrancë duhet të firmosnin dokumentin e kontrollit me sendet e marra në ‘Duty Free Shop’.

– Të lutem, – i kishte thënë agjenti Llukës. Duhet të firmosin dokumentin këta 8 persona. Lluka i ishte përgjigjur menjëherë: nëse do të firmosnin 8, a do ta lironit ekipin.
Po! – ishte përgjigjur ai, por nuk e mbajti fjalën.

Ekipi u lirua në orën 12 të drekës nën vëzhgimin e kamerave të televizioneve. Qëllimi kishte qenë në tjetër vend. Shqipëria, ky vend komunist, duhet të diskreditohej plotësisht në sytë e botës. Ishim zënë ngushtë”.

PAS IZOLIMIT, NISJA NË REIKJAVIK
“Pas lëshimit të grupit të lojtarëve nga burgjet londineze të aeroportit, ne u përgatitëm për t’u nisur në destinacionin final. Një autobus vetëm me ne na çoi pranë një avioni të madh. Djemtë si të shpërfillur nga ajo që kishin kaluar, ngjisnin me zhurmë shkallët e avionit, një aerobus gjerman që tundej sa andej-këndej. Gazetat e asaj dite kishin shkruar në faqet e para për ne dhe një foto e madhe në mesin e saj binte menjëherë në sy. Skuadra kishte dalë nga një izolim nate disaorësh dhe kishim marrë avionin për të zbritur në bazën e famshme ushtarake amerikane të Keflavikut.

Duke kaluar në korridorin e bordit të avionit, mbushur me udhëtarë që dinin se do të vinin fajtorët, si për inatin tonë, mbahej një qetësi mortore. Të gjithë ne kërkonim një lloj zhurme që zakonisht ndodh para nisjes, si një gjë maskuese për të zënë vendet tona. Nën një shikim qortues nga të gjithë pasagjerët e lidhur dhe të gatshëm për të fluturuar, ne zumë vendet tona, jo sipas numrit të biletës, por sipas vendeve bosh dhe u lidhëm. Ishim tamam për t’u lidhur. Pak më vonë futbollistëve u ‘ngjallën krimbat’. Djemtë filluan muhabetet dhe hera-herës dëgjohej ndonjë blegërimë, si një diçka e përmbajtur për të mos i dhënë tragjedisë tonë më shumë gjakderdhje. Avioni u ngrit duke lënë aeroportin e Londrës në një ditë të zymtë, por shi nuk binte. Udhëtimi do të ishte i shkurtër. Në historinë e aviacionit botëror nuk do të kishte dhe s’ka për të pasur kurrë një histori, ku gati 30 vetë dalin nga burgu pa ‘dokumente pafajësie’, udhëtojnë si të gjithë të tjerët me avion dhe të pashoqëruar nga njerëzit e shërbimit.

Skuadrën e drejtonte Joakim Klinger, i Federatës Gjermano-Lindore. Për të ishte ndeshja e parë me një përfaqësuese kombëtare futbolli. Por fatkeqësisht trajneri i huaj në ndeshjen e parë të edicionit të Kampionatit Europian nuk ishte këmbëmbarë. Do të ndodhej ai para një situate, që nuk do t’i shfaqej kurrë në jetën e vet edhe në një ëndërr të tmerrshme. Anglezët i morën edhe aparatin fotografik që kishte me vete. Kujtuan se edhe ai ishte përzier në këtë ngjarje. Gjermani nuk e donte veten dhe kaloi në momentet e kontrollit dhe të mbajtjes së aparatit fotografik në një gjendje shumë të vështirë psikologjike. Më vonë anglezët e panë se aparati fotografik ishte gjermano-lindor dhe e dorëzuan me një ‘bag your pardon’. Në udhëtimin për në Islandë, Klinger qëndronte në bordin e avionit me doktor Llukën. Pas pak minutash udhëtimi vjen ngjarja më interesante. Lluka shkëputet nga ndenjësja e tij dhe afrohet në vendin ku qëndroja unë me Edmond Dilaverin, sekretarin e përgjithshëm të FSHF-së. Ai flet me një zë gjysmëserioz, gjysmë për të qeshur, të paktën unë kështu e kuptova.

-Dëgjoni, Klinger ka frikë nga ngjarja e Londrës për pasojat që mund t’i lindin në vendin e vet dhe jep pa diskutim dorëheqjen edhe si një ndihmës. Ai do të jetë një spektator i thjeshtë në tribunë dhe nuk dëshiron që kjo ngjarje të ketë si personazh edhe atë. Ai lutet që të ketë t’ia transmetoj sekretarit, juve shoku Edmond! Kështu foli Lluka dhe sytë i hodhi në fytyrat tona për të parë reagimin e mundshëm nga një sjellje gjermane jo shumë e pakuptueshme prej nesh. Mondi si një djalë praktik që ishte, lëshoi një të sharë që kishte brenda fjalën gjizë dhe u drejtua nga ne.

-Ti Bejkush do të jesh trajneri i vetëm i skuadrës sonë. Nuk ke nevojë të marrësh mendjen e ndokujt. Trajneri gjerman do të jetë në tribunë. Të jesh i bindur që atje ka për të të ndenjur. Tani ndihmë kërkoju vetëm lojtarëve, megjithëse e di se ti s’para e ke qejf këtë.
-Lëri këto, – i thashë unë. – Tani fillon puna jonë. Kam menduar ashtu kot brenda një kohe të shkurtër se vendosjet ose largimet nga detyra nuk janë shumë të favorshme nëse do të diskutohen në ajër.

Për momentin m’u kujtua Zhukovi, të cilit iu komunikua shkarkimi në ajër pas vizitës që bëri në Shqipëri. Mua, për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar m’u hoq në ajër edhe ndihmësi dhe m’u ngarkua detyra e drejtuesit kryesor. Kjo ishte diçka e kundërt me atë që thashë unë më parë dhe nuk kishte ndodhur kurrë në jetën e federatës sonë. Caktimi im si i vetëm në krye të përfaqësueses u pranua pa diskutime nga qendra. Mondi e kishte gjykuar shpejt dhe drejt.

 

Ndeshja u zhvillua më 30 maj 1990 në Reikjavik. Gjermano-lindori qëndroi në tribunë si spektator. Ai zbriti në pushimin e lojës, kur ne në minutën e fundit të pjesës së parë morëm një gol të shëmtuar nga pakujdesia. Klinger ishte entuziast nga skuadra që kishim hedhur në sulm. E kishim përgatitur së bashku. Asnjëherë dhe në asnjë lloj fushe gjuha ime s’ka qenë kurrë për mbrojtjen, por vetëm për sulmin duke shikuar te taktika edhe mbrojtjen. Kisha marrë 6 vetë nga Dinamoja Strakoshën që luante për herë të parë më përfaqësuesen, Nogën, Vatën, Koven, Abazin dhe Demollarin. Pësuam edhe një gol nga fundi i pjesës së dytë dhe kështu me një lojë të mirë dhe me një mbyllje të pamerituar e humbëm këtë ndeshje 2-0. Pavarësisht se unë do ta lija përfaqësuesen, për ato që do të thuheshin direkt dhe indirekt në zyrat ambicioze të sportit, jam i bindur se i solla ekipit dy nga lojtarët më të mirë të përfaqësueses: Rudi Vatën dhe Foto Strakoshën”…

Vijon me pjesën II nesër, më datë 06.06.2022, në versionin print të “Panorama Sport”

Monografia e Lluka Heqimit për trajnerin Bejkush Birçe
“Bejkush Birçe, futbolli nuk është vetëm lojë” është një libër monografik i shkruar nga ish-mjeku i Kombëtares, Lluka Heqimi, për ish-trajnerin e kuqezinjve dhe disa ekipeve në Shqipëri. Autori pohon se monografia që ka botuar për trajnerin e Kombëtares dhe Mjeshtrin e Madh Bejkush Birçe është një përpjekje e tij për të vlerësuar një nga specialistët më të devotshëm të futbollit shqiptar. Libri është botuar para një viti. Heqimi tregon zanafillat e bashkëpunimit me Birçen që te Partizani, ku së bashku me Panajot Panon formuan treshen ose staf që e ngriti skuadrën e kuqe në nivele të përparuara. Pjesë e këtij libri është edhe rrëfimi i ish-trajnerit Birçe për peripecitë e hequr në vizitën e parë të kuqezinjve në Islandë/PANORAMASPORT.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: