TIRANË

Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu tregoi me detaje se si ka  negociuar, që Klement Balili apo i siç e quajnë mediat greke si “Eskobari i Ballkanit” t’i dorëzohet drejtësisë shqiptare për dosjen e ardhur nga Greqia.

I pranishëm në emisionin “A show” në News 24 , Veliu hodhi poshtë të gjitha pretendimet se ai ka udhëtuar së bashku në makinë me Balilin. Drejtori i përgjithshëm tha mes tjerash se i është dashur të negociojë për më shumë se katër muaj me familjarët e Balilit, që ky i fundit  të pranojë të vetëdorëzohet në polici.

“ E para: Kur erdha këtu thashë do të them të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Dua të përgënjeshtroj dhe nuk është e vërtetë se Balili ka udhëtuar në makinën time dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme. Balili ka udhëtuar me forcat operacionale . Kanë qenë dy makinë, por jo në makinën time. Unë nuk e kam shkelur detyrën. Detyra e Policisë është që të bëjë gjetjen, arrestimin e personave që janë në kërkim. Qëllimi është që ky person në kërkim që t’i përgjigjet ligjit dhe drejtësisë. Kam negociuar me familjarët më shumë se katër muaj për të dorëzuar Balilin. Absolutisht nuk ka patur kushte. Unë thashë kam negociuar me familjarët që të dorëzohej dhe të vendoset para drejtësisë. Dosja ka ardhur nga Greqia”, tha Veliu.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: