Media britanike DailyMail ka zbuluar një ngjarje ku disa agjentë të shërbimit informativ shqiptar të cilët financoheshin nga Britania kanë shitur informatat që posedonin te një grup kriminal që e ka përdorur informacionin e marrë për të eliminuar kundërshtarin e tyre.

Mësohet se informacioni nga përgjimet e zbuluara nga një agjent i korruptuar nga ekipi i fshehtë, i koduar Merlin, çoi në vrasjen e një burri si pjesë e një rivaliteti midis bosëve të drogës në Shqipëri, ka zbuluar hetimi i DailyMail. Gjithashtu është mësuar se të paktën dy nga agjentët e ‘Merlin’ kanë shitur informacionin e klasifikuar te rrjetet kriminale që ata supozohet të kapnin.

Merlin u krijua brenda shërbimit sekret të Shqipërisë, i njohur si SHISH, në vitin 2000 kur bandat nga Shqipëria filluan të vepronin për herë të parë në Britaninë e Madhe dhe që në fillim kanë marrë pjesën më të madhe të financimit nga buxheti i Britanisë.

Raportohet se agjentët shqiptarë u trajnuan nga Britania e Madhe dhe se aktiviteti i tyre është monitoruar nga një oficer kontakti me bazë në ambasadën britanike në Tiranë.
Sipas mediave britanike grupi Merlin ishte aq i fshehtë, saqë edhe ekzistenca e tij mbeti e pa raportuar për 16 vjet deri në vrasjen e Denis Kasajt, anëtar i familjes së krimit të klanit Kastrati, i cili u qëllua në një Mercedes me breshëri plumbash.

Vrasësi me pagesë Ilir Memushaj u dënua me 14 vjet burg në vitin 2017 për vrasjen për të cilën detektivët zbuluan se ishte kryer me kërkesë të një klani rival kriminal, Binjaku, si pjesë e një grindjeje të gjatë mes familjeve, ndërsa mësohet se të dy klanet kanë krijuar rrjete të mëdha droge në të gjithë Evropën, duke përfshirë Britaninë e Madhe.
Celulari personal ‘Blackberry’ i personit të armatosur kishte 12 fotografi të thirrjeve telefonike të transkriptuara të shënuara ‘sekret’ të cilat ishin marrë nga një agjent i Merlin përmes operacioneve të përgjimit. Gjatë këtyre telefonatave, anëtarët e grupit kriminal zbuluan detaje për makinën Mercedes, për pasagjerët e tij dhe saktësisht se ku do të ishte në momentin e të shtënave.

Një agjent i Merlinit në terren më vonë doli në gjyq i akuzuar se ishte agjent i dyfishtë dhe se u shiste sekrete shtetërore kriminelëve, por ai u lirua pasi gjykata vendosi se nuk mund të provohej se ai kishte nxjerrë informacionin e inteligjencës pasi agjentë të tjerë të Merlin kishin po ashtu akses në të njëjtin informacion. Megjithatë gjykatësi zbuloi se informacioni i marrë nga klani Binjkau kishte ardhur nga një agjent në shërbim të Merlin.
Në aktakuzë thuhej: “Është vërtetuar se të dhënat e marra nga pajisja Blackberry janë të njëjta me ato të përpiluara nga organet e ndjekjes penale për transkriptimin e bisedave telefonike që rezultojnë nga përgjimet”.

I pandehuri, i cili punonte për SHISH, përmendi dy agjentë të tjerë që punonin për Merlin, por që në atë kohë janë zhvendosur ose pushuar nga puna për shkak të dyshimeve se ata kishin nxjerrë informacione.
“Informacionet nga departamenti i tyre u shiteshin kriminelëve, përgjimet e paligjshme telefonike u bënë pa miratimin e prokurorëve, me informacionin e marrë në USB ose si foto,” tha ai.
“Mendoj se informacionet ende po rrjedhin. Nëse kjo nuk do të ndodhte, ne mund të shkatërronim më shumë organizata kriminale dhe sekuestronim më shumë pasuri të paligjshme”, zbuloi ai.

Ai tha se puna për Merlin është një ‘punë ëndrrash’ për agjentët shqiptarë për shkak të aksesit të saj të pakrahasueshëm në informacion dhe financimit dhe mbështetjes së gjerë të ofruar nga Mbretëria e Bashkuar. “Ka një pagë të mirë në krahasim me departamentet e tjera dhe makinat e reja, duke përfshirë Audit, u zgjodhën nga kreu i Merlin, me faturat e paguara nga ambasada britanike.” Agjencia ka një drejtor dhe katër inspektorë që punojnë me agjentë të tjerë të SHISH kur kanë nevojë për mbështetje për një hetim.

Një tjetër ish-oficer i SHISH zbuloi: Merlin ka qenë nën kujdesin e vazhdueshëm të Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë. Në një rast kur drejtori i SHISH donte të zëvendësonte drejtorin e Merlinit, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar erdhi disa herë në selinë e SHISH duke kundërshtuar vendimin dhe ai nuk u zëvendësua.’
Ai theksoi se oficerët e tjerë të Merlin ishin punëtorë dhe të ndershëm dhe kishin kryer operacione të suksesshme veçanërisht kundër trafikut të drogës.

  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb