Nga: Bashkim Shala*
PRISHTINE- Plot 25 vjet më parë, dy nga gazetarët më të njohur në Kosovë, Nehat Islami e Zenun Çelaj sajuan një lajm, ndoshta i rrallë në historiografinë e gazetarisë shqiptare, por që dy gazetarët e njohur e përligjin atë për shkak të parandalimit të të këqijave madhore. Ishin ditët e shkurtit të vitit 1991, kur studentët në Shqipëri kishin hyrë në një grevë urie për heqjen e emrit “Enver Hoxha” të Universitetit të Tiranës. Ndërkohë që në Kosovë ushtrohej një dhunë dhe trysni e egër ndaj popullsisë shqiptare atje. Gazetarët Nehat Islami e Zenun Çelaj tregojnë se në shkurtin e vitit 1991 në Kosovë ishin në një presion të tmerrshëm të regjimit të Sllobodan Milosheviçit. Asokohe kishte filluar dëbimi masiv i njerëzve nga puna, mbyllja e universitetit dhe dëbimi i studentëve nga godinat, mbyllja e shkollave të mesme dhe largimi i mësuesve. Ndërkohë që gazeta “Rilindja” ishte mbyllur që me 5 korrik të vitit ’90, por ajo zgjati deri më 6 gusht të atij viti, pasi gazeta e 7 gushtit është bllokuar në shtypshkronjë. Gazeta “Rilindja” u mbyll me urdhër të ministrit të Informacionit të asaj periudhe, Aleksandër Vuçiç, aktualisht kryeministër i Serbisë. Por në licencën e “Rilindjes” kishte leje për botimin edhe të disa gazetave periodike jo politike, siç ishte “Shkëndia”, “Bujku”, gazeta satirike “Thumbi” etj., ku në to pas mbylljes se “Rilindjes”, botohej edhe politikë, duke shfrytëzuar këtë boshllëk ligjor për të mos u ndjekur penalisht. “Kosova ishte në një gjendje tejet të rendë në vitin 1991, ku e vetmja shpresë te ne në atë kohë ishte tek Shqipëria. Edhe populli në Kosovë kërkonte ndryshime në Shqipëri, por pa gjakderdhje”, thotë gazetari Nehat Islami. Nga droja e një skenari rumun edhe në Shqipëri, dy gazetarët, njëherësh edhe veprimtarë e intelektualë të shquar të Kosovës kanë shpikur lajmin e pavërtetë vetëm e vetëm që në Shqipëri të mos ketë gjakderdhje. “Ndiqnim me vëmendje ngjarjet e shkurtit në Shqipëri dhe grevën e urisë së studentëve. Vumë re se forcat policore dhe studentët ishin të barrikaduar mes tyre, ndërkohë që forcat qeveritare ishin të gatshme për të sulmuar studentët e grevës së urisë. Shqetësimi ynë si gazetarë e intelektualë ishte ndonjë konflikt civil që do të çonte në një gjakderdhje në Shqipëri. Ishim shumë të merakosur, pasi nuk kishin mundësi se si të kontribuonin”, thotë Nehat Islami. Ndaj gazetari i njohur që kishte punuar me këtë profesion edhe në konfliktin e Lindjes së Afërme në Liban ka menduar që të botojë një lajm që të zbusë tensionet në Shqipëri, ku qëllimi ishte që forcat e barrikaduara të debarrikadoheshin me njëri-tjetrin. Ndaj ai ka vendosur që të sajojë një lajm sikur e veja e Enver Hoxhës kishte rënë dakord që të hiqej emri i bashkëshortit të saj nga Universiteti i Tiranës. “Më lindi ideja që të ndërmerrja një veprim për të ndërprerë gjakderdhjen, pasi pushteti komunist në Shqipëri ishte në grahmat e fundit. Nëse pushteti komunist nuk lëshonte pe, me siguri një përplasje do ndodhte dhe pasojat ishin të paparishikuara”, thotë Nehat Islami. Ai kishte zgjedhur Nexhmije Hoxhën, si një zë i fuqishëm, vendimtar dhe me shumë pushtet në atë kohë. Pas mbylljes së gazetës “Rilinjda”, gazetarët Nehat Islami e Zenun Çelaj kishin vazhduar profesionin e gazetarit në gazetat javore, të cilat i botonin me radhë. Më 19 shkurt të vitit 1991 i kishte takuar që të dilte gazeta “Shkëndia”, ku Nehat Islami ishte redaktor. Por problemi qëndronte se si ky lajm të ndiqej edhe në Shqipëri, pasi kjo gazetë botohej vetëm në Kosovë. Atëherë në lojë ka hyrë edhe gazetari Zenun Çelaj. Në sajë të një njohjeje personale, por edhe si gazetar me përvojë dhe i njohur, Çelaj ka hyrë në lidhje telefonike me shefin e seksionit shqip të “Zërit të Amerikës”, Elez Biberaj, të cilit i ka rrëfyer për idenë e tyre. Biberaj, por edhe “Zëri i Amerikës”, të interesuar për ndryshimet në Shqipëri, kanë pranuar ofertën e gazetarëve nga Kosova, që ky lajm i sajuar të emetohej edhe nga “Zëri i Amerikës”, por me kusht që ky lajm të botohej më parë në gazetën “Shkëndia”, të cilës do i referohej VOA. Dhe ashtu ka ndodhur. Kur gazeta “Shkëndia” kishte shkuar në shtypshkronjë, “Zëri i Amerikës” më 19 shkurt në edicionin e orës 18:00, duke iu referuar gazetës “Shkëndia” në Kosovë emeton lajmin se, “edhe e veja e diktatorit Hoxha ka shprehur dakordësinë e heqjes së emrit të bashkëshortit nga Universiteti i Tiranës”. Pas këtij lajmi, qeveria shqiptare informoi studentët se Universitetit do i hiqej emri i Enver Hoxhës, veprim i cili ndërpreu grevën e urisë të studentëve pa ndonjë përplasje mes tyre dhe forcave qeveritare. Por interesante për dy gazetarët e njohur ishte se as Nexhmije Hoxha, as qeveria e asaj kohe nuk e përgënjeshtruan lajmin e pavërtetë. “Siç duket të gjitha palëve u ka pëlqyer informacioni i rremë si një ventil shkarkues i ‘balonës së mbushur me tension’ mes palëve”, thotë Nehat Islami. Këto dy personazhe janë nga më të njohurit në fushën e gazetarisë në Kosovë. Megjithëse kanë mbushur moshën e pensionit, ata vazhdojnë të punojnë në profesionin e gazetarit, apo në institucione që kanë lidhje me këtë profesion. Nehat Islami aktualisht drejton Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK), ndërsa Zenun Çelaj pas një karriere të gjatë në drejtimin e mediave të shkruara në Kosovë, drejton portalin “Koha”. Të pyetur nëse është shkelur etika e gazetarisë kur 25 vjet më parë ata publikuan një lajm të pavërtetë, njëzëri ata përgjigjen: “Për qëllime të mëdha dhe për parandalimin e të këqijave madhore, lejohet shkelja e kodit gazetaresk”.

* Shkrim i shkruar për “GSH”. Autori është gazetar në të përditshmen “Koha Ditore” Kosovë, që raporton ngjarjet nga Shqipëria
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: