Aktor kryesor në filmin “Ndërkombëtarët”, ku rrethohet nga pedagogët e tij në kastin e një produksioni me skenar plot intriga të Ylljet Aliçkës. Eni Shehu thotë se nën lëkurën e Roshit ishte ai vetë dhe natyrisht ky mund të quhet fat, pasi regjisori Pluton Vasi goditi në shenjë me zgjedhjen e tij.

Filmi po shfaqet këtë vjeshtë për publikun në kinematë e Tiranës, ndaj Eni ka shumë për të folur për rolin e romantikut, në filmin ku çmitizohen ambasadorë apo zyrtarë perëndimorë në Shqipëri, apo vendet e Lindjes.

Për jetën mes kinemasë e televizionit, rolin e promotorit që ka marrë përsipër në Festivalin e 58-të të Këngës në RTSH, marrëdhëniet ndërpersonale dhe ato intime, ritulet apo tabutë e një djali me shpirt të lirë, Eni Shehu i zbulon në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

Rikthehet në kinema “Ndërkombëtarët” me regji të Pluton Vasit, ku ti luan personazhin kryesor. Si ishte të hyje nën lëkurën e një karakteri me peshë, që kishte dritëhijet e tij?

Të jem i sinqerte, sapo jam takuar me Roshin, qysh në leximet e para të skenarit, e ndjeva jashtëzakonisht afër si karakter. Çuditërisht, kemi shumë të përbashkëta, madje ndonjëherë “fantazoja” si të ishte shkruar duke më pasur mua, Enin, në mend. Përveç ngjashmërisë së profesionit dhe natyrës zhbiruese, janë gjithashtu disa skena të filmit që më sjellin në mend episode të jetës sime reale. Në këtë kuptim, e imagjinoni se sa me fat dhe komod isha që ta sillja te vetja…! Njerëzit thonë se Plutoni goditi në shenjë me zgjedhjen që bëri.

Dsfsfgdsf
Dsfsfgdsf

Nga takimet zyrtare te seksi në makinë, çfarë t’u duk e vështirë apo ekzaltuese në xhirimet e këtij filmi?

Në fakt, skena e seksit në makinë që u bë virale online nuk është e Roshit, por e një tjetër personazhi, Zhilit, që interpretohet nga Hervin Çuli. Megjithatë, e vërtetë është që në film zhvillohet dhe një linjë dashurie mes Roshit dhe një zyrtareje spanjolle, të cilët marrosen pas njëri-tjetrit dhe kanë marrëdhënie edhe më të zjarrtë se ajo e makinës. Këto mbaj mend si momentet më të sikletshme, kur na u desh të xhironim nudo përpara një stafi prej 20 vetësh, që asistonin pas kamerave. Vështirësi nuk besoj, sepse kemi qenë goxha të motivuar nga regjisori Pluton Vasi, ai e kishte të qartë se çfarë po bënte.

Bazuar mbi novelën “Rrëfenjë me ndërkombëtarë” të Ylljet Aliçkës, regjisori Pluton Vasi na njeh me intrigat, anën e fshehtë që shoqëron përfaqësuesit e strukturave perëndimore në vendet e Lindjes. Kishte diçka që të çuditi vërtet, edhe pse jeton mes medias e jetës publike në metropol?

Mbetet dyfytyrësia. Është e pabesueshme se si ata kanë dy versione për gjithçka. Një për vendësit, pra, për ne shqiptarët dhe një për qendrën ku raportojnë. Është një standard pa kuptim, që vazhdon e trashëgohet sot e kësaj dite.

Kjo ishte hera jote e parë në një rol kryesor. Si ishte eksperienca me Hervin Çulin, Karafil Shenën, Rovena Lulen, Kastriot Çaushin, Alfred Trebickën etj. Si e përjetuat këtë çmitizim në grup?

Të luaja krah pedagogëve të mi ishte një angazhim dyfish: si fillim, për të qenë në lartësinë e rolit tim në raport me ta dhe së dyti, për të përfituar sa më shumë nga profesionalizmi i atyre që kanë hedhur baza të forta në artin skenik shqiptar. E kujtoj si një eksperiencë të jashtëzakonshme, të rrallë.

Nga “Ndërkombëtarët” te “Hostel by Anabel”. Në cilin rol ishe më afër karakterit tënd, pra u ndjeve më shumë Eni?

Klajdi te “Hostel by Anabel” është komplet tjetër gjë: pragmatist, i fokusuar te karriera, lojtar i fortë!. Kurse Roshi te “Ndërkombëtarët” ishte ëndërrimtar, idealist… Prandaj, më duhet të them që jam me fat që kam eksploruar dy karaktere diametralisht të kundërta.

Përveç kinemasë, do të jesh pjesë e Festivalit të RTSH-së. Çfarë do të bësh konkretisht në tri netët e Festivalit?

Ky është një moment që më bën pafund entuziast. Pas një mungese 1-vjeçare nga angazhimi në televizion, mezi po e prisja nje projekt interesant, që për nga rëndësia është i duhuri dhe me njerëzit e duhur, të cilët unë i vlerësoj shumë për profesionalizmin dhe kontributin në skenën shqiptare. Kam marrë përsipër të jem promotori i Festivalit të 58-të, këngëtarëve dhe këngëve në garë, të cilat përpara netëve finale do të zbulohen javë pas jave në një hapësirë me intervista e klipe, që dyshja e suksesshme Grabocka-Vejsiu ma kanë besuar mua. Gjatë netëve në Pallatin e Kongreseve do të kem një hapësirë tjetër, ku do të komentohet gjithçka nga një panel me përvojë i medias. Do të jetë një festë e vërtetë!

Nga puna në televizion ke pasur shumë eksperienca me projekte të ndryshme. Ku mendon se ke qenë i veçantë dhe në ç’aspekt ke gabuar?

Vlerësimet më të mëdha mbesin për një format origjinal si “Edicioni Veror”, të cilin e ngjiza dhe e çova përpara për çdo verë, plot 6 vjet. Ishte i freskët dhe relaksues për shikuesit. Gabimet besoj i kam në marrëdhëniet njerëzore, sepse me sa duket këtu te ne e ngatërrojnë “biznesin” – punën, me pjesën personale.

Meqë jemi te personalja, në jetën private çfarë ke fiksim ta bësh përditë?

Më është kthyer në një aktivitet të pashmangshëm palestra. Mendoj se i shërben imazhit dhe të jetuarit shëndetshëm, shembull që dua ta jap në publik.

Tabuja që s’mund ta thyesh sot kurrë?

Për sa u takon tabuve, nuk më pëlqen të jem ekzibixionist, pavarësisht se ndonjëherë na dalin gjërat jashtë kontrollit. Në marrëdhënie je narcizisti që nuk të intereson për lëndime emocionale, apo romantiku i fundit? Jam romantik.

Në këto momente që po flasim je i dashuruar, apo në kërkim?

Jam një shpirt i lirë, në përjetim të aventurave./panorama plus

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb