Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE – Piktori gjerman Sigmar Polke (1941-2010) është krejt i panjohur në Shqipëri, njëherazi ndër më të njohurit në kontinentin e vjetër (Fituesi i “Luanit të Artë” në Bienalen e Venecias më 1986; fitues i çmimeve “Erasmus” dhe “Carnegie”). Megjithatë, mesjanari e sjell artistin pamor, për një ‘qëndrim njëmujor’ në Galerinë Kombëtare të Arteve.
Puna e tij si artist, e shtrirë në pesë dekada, përfshin pikturën, fotografinë, filmin, skulpturën, vizatimin, televizionin, performancën, e po ashtu edhe thyerjen e kufijve mes këtyre gjinive. Si artist ai iu përgjigj shoqërisë së konsumit, u përball me kujtimin e nazistëve dhe përdori droga. Po aq sa me pikturën, ai u mor edhe me filmin e fotografinë.
Piktori u rrit në një kohë kur shumë gjermanë shfajësoheshin për mizoritë e periudhës naziste me alibinë: “unë nuk pashë asgjë”, ndërsa vetë Polke e ka kundërshtuar këtë shfajësim në shumë prej veprave të tij. Ai ka dalë kundër tendencës së gjermanëve të moshës së tij, të cilët patën zgjedhur të injoronin të kaluarën naziste.
“Sigmar Polke ishte një i burgosur i fëmijërisë së tij, siç janë shumë prej nesh. I lindur në 1941, kur nazistët ishin në kulmin e tyre, ai kaloi një rini të varfër në Gjermaninë Lindore pas rënies së Rajhut të Tretë, dhe kjo u pasua nga një eksod në 1953, në Gjermaninë Perëndimore”, kanë shkruar mediat për të. Vetë Polke, referuar shpërnguljes së tij, ka thënë: “Nuk ishte parajsë”.
Artisti, i pa me skepticizëm të thellë të gjitha autoritetet: artistike, familjare, fetare dhe qeveritare.
“MoMA Museum” (Muzeu i Artit Modern në Nju Jork) çeli vitin që shkoi (prill-gusht) një ekspozitë-retrospektivë për të, duke përfshirë të gjitha gjinitë në të cilat ai ka punuar, me rreth 250 vepra dhe katër hapësira ekspozimi në këtë muze. Ajo, ishte një bashkëpunim mes “MoMA” dhe “Tate Modern” në Londër, ku e njëjta ekspozitë u çel në tetor dhe mbyllet në shkurt, ndërsa prej muajit mars deri në korrik ajo ekspozohet në “Museum Ludwig”, Cologne në Gjermani (ku artisti u nda nga jeta).
Ekspozita
Më 15 janar, ora 18:00, Galeria Kombëtare e Arteve, Ambasada Gjermane dhe Qendra e Gjermanishtes në Tiranë çelin një ekspozitë të Polkes. Ajo titullohet “Muzikë me origjinë të panjohur” dhe është prezantimi i parë i këtij artisti në Shqipëri. Ajo qëndron e hapur deri më 22 shkurt.
Për fat të keq nuk është gjithëpërfaqësuese. Ekspozita tregon një cikël me 40 punime në guash të autorit, të gjitha të vitit 1996, në formatin 70 x 100 cm. “Veprat na njohin me një krijimtari që është me vlerë unike në skenën artistike aktuale si dhe ndër më të rëndësishmet e periudhës gjermane të Pasluftës së Dytë Botërore”, thuhet në njoftimin për mediat të GKA-së.
“Nisur nga karakteri ujor i teknikës së guashit, Polke në këtë ekspozitë kthen vetë ngjyrën tek rrjedh e pikon, në temë të veprës. Lënia e fenomeneve fizike në rrjedhën e tyre në mënyrë të kontrolluar ose të pakontrolluar luan një rol të rëndësishëm për të. Të papërllogaritshmes në vazhdën e një ngjyre që rrjedh, Polke i vë përballë një sistem skemash të rregullta e të përllogaritura saktë – diçka shumë karakteristike e punës së tij. Veç kësaj, ai u vë punëve tituj që tingëllojnë absurdë, duke i shtuar kështu një frymë poetike asaj që paraqitet në vepër, çka është tipike për pozicionin mbarartistik të Polke-s”, thuhet në njoftimin e Galerisë Kombëtare të Arteve.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: