TIRANE– Pak ditë pas ngjarjes tragjike ku një zjarr i përmasave të mëdha që ra në ashensorin e një pallati në zonën e Freskut dhe i mori jetën 30- ­vjeçarjes Drilona Durici, në studion e emisionit ‘Njerëz në Fokus’ të gazetares Ola Bruko, në News24, është diskutuar për sigurinë e ashensorëve dhe nëse këta të fundit i plotësojnë parametrat për një përdorim të sigurt. ‘Ashensori, ‘udhëtimi’ i rrezikshëm’ ishte tema që u trajtua në emision, ndërsa të ftuar ishin Andi Seferi, nënkryetar i Bashkisë Tiranë, Aleksandër Paci, përfaqësues i ISHTI (Drejtoria e Inspektimit të Pajisjeve dhe Instalimeve Elektrike) Shkëlqim Goxhaj, drejtor i zjarrfikësve si dhe Skënder Lala, Specialiste i licencuar i ashensorëve.

Nënkryetari bashkisë Tiranë, u shpreh se iniciativa e bashkisë për të vendosur administrator në pallate bën të mundur evitimin e këtyre ngjarjeve tragjike.

“Përmes këtij emisioni duhet të sensibilizojmë qytetaret, pasi çdo gjë mund të kthehet në tragjedi nëse nuk bëhet kujdes. Asambleja e pallatit vendos për administratorin, i cili më pas certifikohet nga bashkia. Pagesën për administratorin e bëjnë banorët. Kjo ndihmon për evitimin e këtyre ngjarjeve tragjike. Është detyrë e administratorit të pallatit që të mbikëqyrë mirëmbajtjen e ashensorit të pallatit, pasi ai autorizohet që të kontraktojë një specialist që të mirëmbajë ashensorin, apo rregullin e aspektit elektrik të pastrimit etj. Kur banorët e pallatit konstatojnë se administratori nuk kryen detyrën siç duhet, bëhet kërkesa përkatëse dhe bashkia shkon bën verifikimin, më pas ka aksesin për ta shkarkuar. Deri tani janë certifikuar 50 administratorë, ndërsa së shpejti do certifikohen edhe 200 të tjerë. Nga kjo iniciativë e bashkisë përfitojnë 500 mijë banorë”- tha Andi Seferi.

Ndërkohë drejtori i zjarrfikësve, Shkëlqim Goxhaj duke iu referuar ngjarjes tek ‘Fresku’ tha se ajo ishte një ngjarje e pazakonshme për shërbimin zjarrfikës.

“Kontaktin e parë që kemi pasur, ka qenë njoftimi se një person është bllokuar në ashensor. Mësuam se zjarri kishte rënë në katin e parë dhe jo të tretë. Kemi lajmëruar dhe shërbimet e tjerë dhe kemi qenë 4 automjete në vendngjarje. Kishte flakë shumë të fuqishme pasi ashensori kishte rënë në gropën e katit të parë. Kemi punuar shumë për të hapur ashensorin, pasi kishte deformime nga rënia dhe ishte coptuar. Ka qenë një ngjarje e pazakonshme për ne. Kjo ishte hera e parë që shohim që bie zjarr brenda në ashensor në këtë lloj forme. Edhe grupi jonë po heton për shkaqet e zjarrit. Dyshimi ynë i parë për shkaqet është se përderisa ashensori është ngjitur deri në kat të katërt, do të thotë se ka punuar. Mendoj se zjarri ka rënë nga mbeturinat ose nga ndonjë masë elektrike, ose nga vajrat e ashensorit”- tha Goxhaj.

Ndërkohë në lidhje me shkaqet e zjarrit brenda në ashensorin tek zona e Freskut, ku humbi jetën 30-vjecarja, specialisti i licencuar për ashensorët, Skënder Lala tha se ‘zjarri mund të jetë shkaktuar nga ndonjë papastërti brenda ashensorit, ose nga ndonjë person që mund të ketë harruar cigaren ndezur.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb