TIRANE

Edhe pse numri i aksidenteve ka pësuar rënie vitet e fundit, siguria rrugore vazhdon të mbetet një ndër sfidat kryesore të Shqipërisë. Për këtë qëllim është mbajtur konferenca IV Shkencore Ndërkombëtare me temë “Siguria rrugore dhe përdoruesit e rrugës në Shqipëri” e organizuar nga Akademia e Sigurisë në bashkëpunim me institucione të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe universitetin “Luarasi”.

Në fjalën e hapjes, rektori i Akademisë së Sigurisë, Bilbil Memaj ka thënë se situata duhet të përmirësohet. “Situata në këtë drejtim në Shqipëri duhet urgjentisht të ndryshohet. Në këtë konferencë do të sjellim ide të reja për përmirësimin e situatës aktuale”,-tha Memaj.

I pranishëm në konferencë, zv. ministri i Brendshëm, Julian Hodaj tha se numri i aksidenteve ne vend ka rënë, por theksoi se investimet në infrastrukturë duhet të rriten.

“Ka patur rënie të numrit të vdekjeve. Përshembull numri i vdekjeve në rrugë ka kaluar nga 378 në 2009-ën, në 222 në vitin 2017-të, dhe në 213 në 2018-ën. Aksidentet me plagosje të rënda apo të lehta kanë një trend zbritës në vitet e fundit. Shpeshherë, gjendja e rrugëve dhe mungesa e sinjalistikës, bëhen shkak për aksidente. Kështu që duhet investuar në infrastrukturë dhe sinjalistikë”,-theksoi zv.ministri i Brendshëm.

Dr. Xhavit Shala, drejtor i Qendrës Kërkimore Shkencore në Akademinë e Sigurisë, njëkohësisht pedagog në “Luarasi” listoi faktorët nxitës të aksidenteve rrugore dhe vuri theksin te edukimi i qytetarëve për lëvizjen në rrugë.

“Kurba ka qënë vazhdimisht në rritje, që prej vitit 1947 deri në 2018-ën, kanë ndodhur mbi 12 mijë vdekje nga aksidentet rrugore. Pjesa më e madhe e tyre kanë ndodhur pas viteve 90’. Disa nga faktorët që ndikojnë shumë janë problemet e drejtuesve të mjeteve si shkelja e rregullave; përdorimi i pijeve; nënvlerësimi që i bëjnë situatës. Problem janë edhe vetë këmbësorët të cilët nuk i kushtojnë rëndësinë e duhur. Ka probleme edhe me gjendjen teknike të automjeteve. Duhet ti kushtohet një rëndësi e jashtëzakonshme edukimit të përdoruesve të rrugës”,-theksoi pedagogu i universitetit “Luarasi”.

Konferenca u përshëndet edhe nga kryetari i Komitetit Shkencor të Konferencës, prof. dr. Ismet Elezi. Ai tha se në sigurimin rrugor duhet të përfshihen organet përgjegjëse, edukimi individual dhe gjithë shoqëria.

“Kuptimi i parandalimit në sigurimin rrugor përfshin parandalimin e përgjithshëm të të gjithë shoqërisë; parandalimin e posaccëm që përfshin organet e posaccme të specializuara sicc është Policia Rrugore; dhe parandalimin individual”,-bëri me dije Elezi në fjalën e tij.

Për zv drejtoren e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj, kompanitë që lidhen drejtpërdrejt apo të tërthorazi me aksidentet rrugore duhet të jenë më bashkëpunuese.

“Ne kërkojmë më tepër pjesëmarrje dhe ndërgjegjësim nga shoqatat e transporteve, kompanitë e sigurimeve, kompanitë e shitjes së autoveturave të reja, kompanitë e prodhimit të pijeve alkolike të cilat përveccse duhet të jenë rigoroze në drejtim të aktivitetit të tyre; duhet të ndihmojnë Policinë e Shtetit”,-nënvizoi në fjalën e saj Hajnaj.

Pas seancës plenare, u zhvilluan edhe katër sesione paralele nga ekspertë të huaj e vendas të cilët paraqitën kërkimet e tyre shkencore e analizat profesionale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb