TIRANË- Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi ka shfrytëzuar vizitën në një stabiliment mishi në qytetin e Lushnjes për të paralajmëruar aksionin e parë në kuadër të përmirësimit të standardeve të sigurisë ushqimore në vend.

Kjo nismë pritet të ketë ndërhyrje në 4 hallkat e ciklit të mishit dhe nënprodukteve të tij, duke filluar me kontrollin e thertoreve të licensuara ose jo, të cilat jo në të gjitha rastet i plotësojnë standardet. Më pas do të ndërhyhet me rregullimin e tregjeve të kafshëve të gjalla, transportin e tyre duke përfunduar me pikat e tregtimit të mishit dhe nënprodukteve të tij.

“Nuk mund të kemi dot siguri ushqimore të nivelit që pretendojmë në rast se nuk disiplinojmë së pari therjet, pastaj tregjet e kafshëve të gjalla pastaj lëvizjen e kafshëve dhe pastaj standardet e pikave të tregtimit të mishit dhe nënprodukteve të tij. Këto janë katër pika të nxehta të cilat kanë shumë nevojë për ndërhyrje, kanë shumë nevojë për standardizim dhe për rregullim”, deklaroi ministri Peleshi.

Peleshi gjithashtu deklaroi se nuk do të ketë më therje jashtë thertoreve dhe se do të mbyllen të gjitha pikat e therjes që nuk plotësojnë standardet, pa lënë mënjanë përgjegjësinë e çdo autorizimi të lëshuar nga Drejtoritë e AKU-së në të gjithë vendin.

“Mbas auditimit, padyshim që Drejtoritë e AKU-së që kanë dhënë autorizimin, duhet të mbrojnë autorizimin për çdo pikë therjeje. Pikat e therjes që nuk janë të standardit, pra që nuk kënaqin standardin do të mbyllen. Po i paralajmëroj që tani edhe inspektorët edhe operatorët që nuk do të ketë më pika therje jashtë standardit”, u shpreh ai.

Kjo nismë, vuri në dukje ministri Peleshi, është e rëndësishme së pari për të garantuar sigurinë e ushqimit për konsumatorin vendas, por është edhe një hap i rëndësishëm drejt hapjes së tregut të produkteve shtazore me vendet e Bashkimit Europian.

“Siguria ushqimore është një domodoshmëri për jetën e njerëzve, por edhe për eksportin e produkteve shtazore, i cili nuk është i mundur pa ngritjen e një sistemi sigurie të çertifikueshëm nga Bashkimi Europian, që për fat të keq ende pas 25 vitesh nuk e kemi ngritur”, deklaroi Peleshi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb