TIRANE- Përfaqësues të shoqërisë civile si dhe qytetarë të Tiranës, protestuan ditën e sotme në sheshin Skënderbej kundër ushqimeve të skaduara dhe terrorizmit ushqimor. Nën mesazhin “ata nuk ndëshkohen”, qytetarët u janë bashkuar kësaj proteste për të denoncuar çdo rast falsifikimi të ushqimeve në Shqipëri.

“Ky është krimi më i pandëshkuar, pasi ne e kemi të cënuar sigurinë tonë ushqimore. Ndaj kërkojmë që të kontrollohen ushqimet dhe të kontrollohet a ka profesionalizëm në intitucionet e kontrollit ushqimor, a ka nepotizëm. Në jemi këtu sot, sepse duam përgjigje. Në vit, janë 7 mijë raste me kancer ndaj na u përgjigjni. Ju kemi votuar që të na përgjigjeni dhe jo të shëtisni nëpër televizione”, u shpreh Erion Kristo, përfaqësues i shoqërisë civile.

Ndërsa Sazan Guri kërkoi nga qeveria që t’ju sigurojë qytetarëve ushqim të shëndetshëm.

“Qytetarët janë irrituar, nuk dinë se çfarë të hanë e çfarë të pinë”, tha ai.

Seria e këtyre protestave ka filluar në datën 15 shkurt dhe ato do të vijojnë deri në 19 shkurt. Protesta ka nisur në sheshin Skënderbej kundër ushqimeve të skaduara, duke vijuar më tej në bashkinë e Tiranës kundër firmës piramidale të parkingjeve, si dhe te “Piramida” me rastin e dorëzimit në kryeministri të rezolutës qytetare kundër ndërtimeve të paligjshme te diga e liqenit artificial. Kjo javë është shpallur si java e protestave.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: