Nga: VJOLLCA KONGJONI*

TIRANE-Në mbledhjen e fundit, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore. Më skemën e re të pensioneve, e cila ka hyrë në fuqi më 1 janar të këtij viti synohet jo vetëm përcaktimi i pensioneve më të larta, por edhe barazimi i tyre mes fshatit dhe qytetit. Për efekt të llogaritjes së pensioneve, ligji parashikon që brenda pesë vjetëve të ketë edhe një barazim të kontributeve vjetore për sigurimet shoqërore. Por si do të realizohet kjo?

Ali Emini, nëndrejtor i Përgjithshëm i ISSH-së, në një intervistë për News24 garanton se asnjë i vetëpunësuar në bujqësi nuk do të ketë me këtë vendim rritje të pagesës së kontributeve. Sipas tij, diferenca e kontributit mes të vetëpunësuarit në fshat dhe atij në qytet do të kompensohet nga buxheti i shtetit. Eksperti i ISSH-së, i cili është njëkohësisht edhe hartues i ligjit të ri shpjegon se në të ardhmen përmes një studimi të hollësishëm do të përcaktohet edhe kontributi që do të derdhë çdo fermer në bazë të të ardhurave familjare. Më tej në këtë intervistë, Emini shpjegon se cilët persona do të përfitojnë nga skema e re e pensioneve, si dhe përcakton masat e kontributeve që duhet të paguajnë disa kategori të vetëpunësuarish. “Me skemën e re të pensioneve do të përfitojnë të punësuarit me kontratë pune, që zgjat më pak se një javë dhe kontributi për sigurimet shoqërore në masën 0,3% të pagës bruto do të paguhet nga punëdhënësi. Ligji i ri synon futjen në skemë edhe të personave të punësuar në shtëpi, si dhe të vetëpunësuarve ambulantë, të cilët do të paguajnë një kontribut të sigurimeve shoqërore minimal, në masën prej 2750 lekësh. Kontribut të detyrueshëm për sigurimet shoqërore do të paguajnë edhe ata që kanë një biznes familjarë, por që pjesëtarët e familjes së tij nuk i trajton me pagë. Masa e e pagesës mujore do të jetë në vlerën e 5060 lekëve. Edhe për kategorinë e dy të punësuarve skema e re parashikon pagesë kontributesh mbi pagat reale që merr në të dy subjektet”-pohoi Emini. Vendimi i qeverisë për skemën e re të sigurimeve shoqërore ka përcaktuar edhe procedurat e dhënies së pensioneve për minatorët, të cilët sipas Eminit duhet të paraqiten pranë drejtorive rajonale për të dorëzuar dhe plotësuar dokumentet e përfitimit.
(os.de/ News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb