Nga: IV KALOÇI*

“Gazeta Shqiptare” publikon ekskluzivisht dokumente të panjohura të Sigurimit të Shtetit, Sektorit të Jashtëm të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Komitetit të Partisë së Durrësit dhe Shkodrës të vitit 1970, ku ata kritikojnë “Albturizmin” për punën e dobët që po bënte me turistët e huaj që vinin në Shqipëri, pasi sipas vëzhgimeve të tyre, grupeve të huaja turistike, ku një pjesë kryesore zinin grupet marksiste-leniniste, nuk u krijoheshin kushtet më minimale të akomodimit dhe jetesës këtu për aq kohë sa qëndronin. Midis të tjerash, në informacionin e Sigurimit të Shtetit, të shkruar nga Drejtori i Sigurimit dhe njëkohësisht zv/ministri i Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, në adresë të ministrit të Punëve të Jashtme, Behar Shtylla dhe sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Ramiz Alisë, bie në sy preokupimi i madh i organeve tona kompetente, që ndiheshin ngushtë për stilin e kërcimeve që bënin turistët e huaj te pista e hotel “Adriatikut” në Durrës, ku mblidheshin shumë njerëz, të cilët shihnin me admirim. Po kështu, një nga problemet kryesore të shtetit shqiptar të asaj kohe, ishte dhe fakti se sapo turistët e huaj dilnin nga autobusët, ata i ndiqnin nga pas turma fëmijësh kureshtarë, saqë në një rast në Pogradec, shoqëruesit ishin detyruar që t’i fusnin turistët në një lokal dhe t’i nxirrnin që andej vetëm pasi kishte ardhur policia dhe kishte larguar fëmijët. Për këto dhe të tjera fakte e ngjarje nga Shqipëria turistike e para viteve ’90, na njohin dokumentet arkivore që po botojmë më poshtë në këtë shkrim.

RAPORTI
Sot, ekskluzivisht në “Gazeta Shqiptare”, po botojmë të plota faksimilet e dokumenteve sekrete të Ministrisë së Brendshme dhe Komitetit të Partisë të rrethit të Durrësit e Shkodrës të vitit 1970, dërguar Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë të Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me grupet e organizuara të turistëve të huaj që vizitonin Shqipërinë e asaj kohe, ku pjesën kryesore të tyre e zinin grupet marksiste-leniniste. Në këto procesverbale sekrete të Ministrisë së Punëve të Brendshme, bëhet fjalë për zhvillimin e të gjitha programeve turistike që agjencia qeveritare e asaj kohe “ALBTURIZMI”, u organizonte këtyre grupeve turistike në mbarë vendin. Gjithashtu, në këto dokumente vërehet me imtësi e gjithë veprimtaria e turistëve, të cilët gjatë periudhës së vizitave të tyre në destinacionet përkatëse turistike në Shqipëri, iu nënshtroheshin rëndom disa rregullave strikte, me qëllim për të mos lejuar “degjenerimin” e rinisë dhe shoqërisë shqiptare në marrëdhëniet me vizitorët e huaj. Si dhe me “ambientimin” e të gjithë turistëve të huaj me rregullat e shkruara dhe të pashkruara të komunizmit shqiptar, lidhur me organizimin e turizmit dhe reklamimin e vendit para syve të mbarë botës. Sipas dokumenteve në fjalë, alarmante për zyrtarët e Komiteteve të Partisë dhe të Sigurimit të Shtetit, paraqitet në mënyrë të vazhdueshme veçanërisht situata në plazhin e Durrësit, ku në krahasim me rrethet e tjera, përqendrimi i grupeve turistike ishte më i madh. Kërcimet “ekstravagante”, mënyra e pahijshme e të veshurit dhe të vepruarit, si dhe interesi i vazhdueshëm për shoqërimin e tyre me shqiptarët e thjeshtë, do të përbënte një problem serioz për të gjitha strukturat e Komiteteve të Partisë nëpër rrethe si dhe për vetë funksionarët e lartë të MPB-së, deri te zv-ministri i Brendshëm, Feçor Shehu. Kjo gjë, edhe për faktin se “ALBTURIZMI” kishte nënshkruar më parë kontrata dhe marrëveshje me agjencitë dhe grupet e huaja turistike që do vizitonin vendin tonë, të cilët ishin të detyruar të zbatonin ato marrëveshje, ku si pikë kryesore ishte paraqitja e jashtme e turistëve dhe veshja e tyre. Po kështu, ashtu siç del nga këto dokumente sekrete, një problem i madh për shtetin shqiptar apo më saktë për “ALBTURIZMI”-n, dikasteret e institucionet e tjera që ishin ngarkuar me këtë punë, ishte problem i guidës turistike, pra vendeve ku do të dërgoheshin këta turistë për t’i vizituar. Pasi gjatë një vizite në stallat e Ndërmarrjes Bujqësore të Shijakut, aty nuk kishte pasur fare lopë, gjë e cila i kishte bërë shoqëruesit dhe përkthyesit që të ndiheshin ngushtë dhe të mos dinin se çfarë t’u thoshin turistëve. Tjetër gjë që bie në sy në këto dokumente sekrete, është dhe preokupimi jashtëzakonisht i madh, apo më saktë, një nga detyrat parësore të shtetit shqiptar ishte, jo akomodimi dhe plotësimi i kushteve minimale të turistëve, por edukimi i tyre me anë bisedave me lektorë, emisioneve të incizuara të “Radio Tiranës” që jepeshin me qendra zëri te hotelet e turistëve, të literaturës dhe librave të përzgjedhur nga ana e organeve kompetente etj., etj. Një tjetër çështje e nxehtë që shqetësonte vazhdimisht organet e Partisë së Punës, do të ishte edhe ardhja në Shqipëri në mënyrë të vazhdueshme e disa personave të cilësuar nga regjimi i komunist si të padëshiruar dhe me qëndrim armiqësor ndaj Republikës Popullore të Shqipërisë. Të tillë persona të arratisur që pas mbarimit të luftës nga Shqipëria, apo familjarë të tyre, do të tentonin të hynin të kamufluar si turistë, për të parë më nga afër gjendjen politiko-ekonomike dhe sociale të vendit. Rasti më flagrant i këtij veprimi do të ishte ai i Çesk Kallmetit, nga Shkodra, familja e të cilit do ta vizitonte Shqipërinë në shtatorin e vitit 1970, por që menjëherë do të vihej nën survejimin e plotë të Sigurimit të Shtetit. Një tjetër aspekt tejet interesant i përshkruar në këto dokumente sekrete është edhe ndjenja e vazhdueshme e mosbesimit dhe e dyshimit, që organet e Sigurimit të Shtetit ushqenin ndaj grupeve të ndryshme të turistëve të klasifikuar si “grupet marksiste-leniniste”. Në mënyrë të vazhdueshme, organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme përgjonin dhe survejonin pa përjashtim të gjitha grupet e ndryshme të turistëve të huaj, të cilët, përgjatë 48 viteve të ekzistencës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, do të vizitonin “Parajsën e Humbur” të komunizmit shqiptar.

(vijon nga numri i kaluar)

Raporti
DISA PROBLEME TE PUNES SE TURISTEVE QE VIJNE NE VENDIN TONE
1). Biseda politike. Shpesh, turistë të ndryshëm, midis tyre gazetarë dhe publicistë, kërkojnë t’u flitet diçka mbi Shqipërinë, me qëllim që të zgjerojnë dijet e tyre, ose të sigurojnë materiale dhe të dhëna, me qëllim që t’u flasin të afërmve dhe miqve të tyre dhe në ndonjë rast edhe për të shkruar në gazeta e revista. Për shumë nga problemet që interesohen, ata pyesin e diskutojnë edhe me shoqëruesit, ose sigurojnë ndonjë libër, por kjo është një punë e ngushtë, e paorganizuar, dhe për nivelin e shoqëruesve jo e kualifikuar. Mendojmë se do të ishte e frytshme që kjo formë pune në të ardhmen të vihet në baza të organizuara dhe të zhvillohet legalisht nga “Albturizmi”, duke caktuar dhe përgatitur për këtë punë disa lektorë të aftë, të cilët herë pas here të zhvillojnë biseda mbi tema të caktuara që u interesojnë të huajve. Natyrisht, jo të gjithëve, por vetëm atyre që interesohen dhe në baza krejt vullnetare. Këto biseda duhet të jenë të shkurtra, koncize, pa frazeologji e vetëmburrje, dhe të kuptueshme e të kapshme nga të huajt, në mënyrë që të bëjnë efekte dhe të lënë mbresa. Për një punë të tillë është e nevojshme që të caktohen njerëz kompetentë dhe një tematikë e zgjedhur dhe e përgatitur me kohë. Lektorë mund të jenë shikë nga USHT (Universiteti Shtetëror i Tiranës, shënimi ynë) dhe institucione të tjera qendrore.
Ç). Botimet tona turistike janë mjaft të kufizuara (guida, disa prospekte dhe fotografi). Edhe këto, meqë botohen jashtë dhe me valutë, porositen në sasi të pakta dhe janë të mjaftueshme vetëm për një ose dy sezone turistike. Për shpërndarjen e tyre jashtë shtetit, as që bëhet fjalë, kështu që mbas një kohe del përsëri çështja e ribotimit. Kjo, natyrisht, kërkon shpenzime më të mëdha sesa botimi i tyre në tirazhe që të mjaftojnë për një periudhë pak a shumë të gjatë. Meqenëse këto botime nga shitja në valutë i nxjerrin të ardhurat, bile sjellin dhe fitime, mendojmë se duhet të shtohen në të ardhmen.
Raporti: Emisionet e “Radio Tiranës”, të mërzitshme, pa interes
4). Me qendrën e zërit. Edhe kjo është një formë punë që mund të përdoret në propagandën me turistët, por ashtu si bëhet tani nuk jep rezultatet e dëshiruara. Tekstet e incizuara që transmetohen nga qendra, nuk janë të goditura, të përshtatshme siç duhet për të huajt, që të tërheqin interesin e tyre dhe të bëjnë efektin e duhur. Vetë transmetimet nuk janë tërheqëse, por të rëndomta dhe të mërzitshme, të përsëritura dhe në kohë jo të përshtatshme. Transmetimi i lajmeve nga “Radio Tirana” në mënyrë të vazhdueshme na duket jo i përshtatshëm. Në përgjithësi kjo punë ka nevojë të organizohet më mirë e në nivel më të lartë. “Radio Tirana” mund të ndihmojë “Albturizmin” në hartimin e këtyre programeve, sepse ka një eksperiencë të gjatë.
5). Programet artistike. Këtë vit u bë një punë më e mirë me shfaqjen e filmave tanë artistikë e dokumentarë dhe me realizimin disa herë të koncerteve folkloristike, nga grupe të dërguara nga Tirana. Këto u pëlqyen dhe kërkohen shumë nga turistët. Kjo punë mund të bëhet më mirë në të ardhmen, veçanërisht programet artistike, të cilat mund të jepen në Tiranë, Durrës e plazh, sipas rastit, dhe vetëm për turistët. Për turistët marksistë-leninistë, mund të jepen programe artistike edhe nga grupet diletante më të mira folkloristike të Durrësit ose rretheve të tjera. Një koncert që u dha në kooperativën e Shijakut i entuziazmoi ata.
6) Diçka mbi jetën argëtuese. Me përjashtim të programit muzikor të mbrëmjes që jepet në hotel “Adriatiku”, në këtë drejtim pothuaj nuk bëhet asgjë për argëtimin e turistëve. Nuk ka salla lojërash, as kënde sportive të përshtatshme. Turistët nuk mund të shijojnë shëtitjen në det, sepse nuk ka autobarka. Edhe shërbimi social në plazh është i pamjaftueshëm. Për të blerë një pije freskuese, turistit i duhet të shkojë deri te hotel “Adriatiku”, në vend që të çelet ndonjë pikë shitjeje afër tyre. Të gjitha këto kanë të bëjnë jo vetëm me një shërbim të kulturuar, por edhe me sigurimin e sa më shumë të ardhurave nga turistët, që për ngathtësinë e njerëzve tanë na ikin.
II. Mbi turistët e dërguar nga lëvizjet marksiste-leniniste
Këtë vit erdhën 8 grupe me 310 vetë nga tri vende: Suedi, Norvegji dhe Danimarkë. Përveç tyre erdhën edhe 10 grupe me 252 vetë nga Franca dhe Gjermania, të cilët e hiqnin veten si marksistë-leninistë, që gjatë qëndrimit këtu, me pak përjashtime, u treguan të disiplinuar, studjonjës dhe të vëmendshëm për të parë dhe mësuar nga vendi ynë, njësoj si të parët.
Të gjitha grupet u dalluan nga këto gjëra të përbashkëta:
a) Kishin unitet, bindje, rregull e disiplinë në sjellje dhe në punë.
b) Punuan me programe për të studiuar materialet e partisë sonë e për të përfituar nga vizita.
c) Sjelljet ndaj njerëzve e vendit tonë kanë qenë korrekte dhe pyetjet për çështje të ndryshme kanë qenë normale dhe të sinqerta.
d) Kishin njohuri mbi vendin tonë dhe u munduan t’i thellonin ato. Vizitën në Shqipëri e konsideronin si shkollë për edukimin e tyre marksist-leninist. U larguan të entuziazmuar nga çka dëgjuan dhe panë këtu te ne. Veçanërisht, përshtypje të thellë bënë kontaktet me masën. Vërejtjet e tyre ishin që këto të organizohen dhe të thellohen më shumë.

Raporti: Shokët gjermanë na sugjerojnë turizmin politik
Ndoqën me shumë interes bisedat e zhvilluara sipas kërkesave të tyre. Bënin shumë pyetje dhe mbanin shënime, e këtë punë e vlerësonin mjaft. Grupet franceze dhe gjermane insistonin të dëgjonin më shumë biseda. Por meqenëse nuk kishim garanci për ta, bëmë pak të tilla dhe u treguam më të përmbajtur me programet. Vitin e ardhshëm parashikohet të shtohet edhe numri i turistëve që vijnë në këtë rrugë. Neve na intereson të inkurajojmë dhe të përkrahim këtë lëvizje që po zgjerohet në Evropën Perëndimore dhe të marrim masa për ta organizuar më mirë punën me ta. Shokët e partisë marksiste-leniniste të Gjermanisë që ishin këtë verë në Shqipëri, thanë se kjo është një ndihmë e madhe për forcat revolucionare dhe se ne duhet t’i japim turizmit më tepër karakter politik, që programet dhe vizitat e tyre të kenë thellësisht karakter të tillë.
III. Mbi disa çështje ideo-politike dhe organizative
Ardhja e turistëve të huaj, pa dyshim hap edhe një sërë problemesh ideologjike, siç janë çështjet e veshjes së tyre, sjelljet në rrugë dhe kontaktet direkt me njerëzit tanë. Deri tani janë marrë një sërë masash për të kufizuar efektet negative që rrjedhin nga kjo, por megjithatë, dalin mjaft probleme që duhen pasur parasysh në këtë punë, dhe konkretisht:
1). “Albturizmi” u ka vënë disa kushte për paraqitjen e turistëve shoqërive të huaja turistike. Në përgjithësi ato i respektojnë, por ndodh dhe turistë që vijnë të veshur keq. Në këto raste nuk duhen bërë lëshime, por të zbatohen rregullat e vendosura.
2). Problemi më delikat është kërcimi i turistëve në pistën e kërcimit të hotel “Adriatikut” në Durrës. Shumica e turistëve aty kërcejnë keq, edhe kur orkestra ekzekuton muzikë normale. Ky problem bëhet serioz, se para pistës grumbullohen me qindra njerëz nga tanët për të bërë sehir. Janë marrë disa masa nga Komiteti i Partisë së Rrethit të Durrësit, Komunalja dhe “Albturizmi”, por ato nuk kanë dhënë rezultatet e duhura. Mendojmë se këto masa duhet të shtohen e të vazhdohen edhe në të ardhmen dhe, në të njëjtën kohë, ashtu siç kemi ndaluar veshjen, të kufizojmë edhe kërcimin e keq, duke e bërë këtë punë me takt.
Raporti: Të mprehim vigjilencën ndaj fotografimeve
3). Gati të gjithë turistët janë të pajisur me aparat fotografik dhe është një dëshirë e tyre e madhe për të fotografuar. Ka prej tyre që marrin edhe objekte të papërshtatshme dhe të dyshimta, ndaj tyre janë marrë edhe masa, por shumica sillet korrekt. Sidoqoftë, për këtë problem ndodhin mjaft konflikte midis turistëve dhe shoqëruesve, ose të parëve dhe njerëzve tanë, të cilët në ndonjë rast revoltohen dhe reagojnë ashpër, ose refuzojnë të fotografohen. Edhe turistët zemërohen nga ana e tyre në këto raste; disa kanë shkruar dhe letra, nisur nga qëllime të mira. Ne mendojmë se gjithmonë duhet mprehur vigjilenca ndaj fotografimeve me qëllim të keq. Njerëzit tanë duhet të tregohen më korrektë ndaj ndjenjave të turistëve në këtë drejtim.
4). Një nga shfaqjet më negative dhe më të pahijshme që dëmton gjithë punën e bërë me turistët, është qëndrimi agresiv i fëmijëve tanë ndaj tyre në disa qytete, sidomos në Shkodër, Krujë, Durrës, Elbasan, Pogradec e Gjirokastër. Përveç sjelljeve prej rrugaçësh, ka pasur edhe raste që kanë goditur makinën e tyre me gurë dhe me sende të tjera. Kjo i ka indinjuar shumë turistët dhe ka pasur raste kur kanë reaguar ashpër, e nuk kanë munguar as rastet e ankesave. Del nevoja që, si Komitetet e Partisë në rrethe, ashtu dhe Komitetet e Rinisë dhe veçanërisht në shkolla, të bëjnë një punë më të dendur me fëmijët në këtë drejtim.
5). Kultura e shërbimit në lokalet e “Albturizmit” nuk është kurdoherë në nivelin e duhur, për arsye se personeli i shërbimit nuk është i zgjedhur dhe ka nivel të ulët kulturor, gjë që bie mjaft në sy të turistëve. Komitetet Ekzekutive nuk i zbatojnë si duhet udhëzimet e Këshillit të Ministrave për këtë çështje dhe, nga ana tjetër, ndërmarrja nuk punon mirë për edukimin e këtyre punonjësve.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb