Gazetarja Rudina Xhunga, e ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, e pyetur për sigurimin e 500 mijë vaksinave për Shqipërinë, deklaroi se ky është një lajm i madh për shqiptarët.

Xhunga theksoi se në rastin e vaksinimit, Europa tregoi se është bashkë, kurse shtoi se pozita e opozita, për këtë rast, duhet që të lënë ndasitë.

“Fishekzjarret erdhën pranë shtëpive tona. Kur pamë këtë gjë, menduam që “dritë pastë ky vit”. Europa tregoi dhe këtë herë se është bashkë, se nisi vaksinimi. Ky moment tregoi sa e rëndësishme është të jesh europian. Është një lajm shumë i mirë për ne që do vijnë 500 mijë vaksina.

Është një lajm i madh që në Shqipëri nis vaksinimi. Nuk pritej kjo gjë. Ne jemi trajtuar si vend ballkanik. Ne kemi Anglinë, që është mbyllur. Jemi në moment, kur gjithë bota është rrëmujë.  Nuk jam shumë e interesuar për fushatën politike, por jam interesuar për fushatën e vaksinës”, tha Xhunga.

Rudina Xhunga u shpreh se politikanët shqiptarë duhet të jenë bashkë në fushatën ndaj vaksinës në këta kohë.

“Ka edhe ndarje, mes atyre që besojnë shkencën e ata që nuk besojnë shkencëtarët. Lajme të mira edhe për Kosovën. Shqipëria e Kosova janë bashkë edhe në fushatë vaksinimi. Mund të ketë goditje ndaj kësaj fushate vaksine, që do na nxijnë, por nuk është gjë e mirë. Fushata elektorale duhet të bashkojë të gjithëve, duhet të bashkohemi Rama, Basha, Kryemadhi, Meta, Berisha.

Në këtë moment, klasa politike të bëhet bashkë e të flasin për fushatën e vaksinimit. Unë besoj se Basha do jetë bashkë në fushatë vaksinimi me Ramën. Kjo do jetë periudha e fundit e koronavirusit dhe do marrë më shumë jetë njerëzish. E vetmja për të shpëtuar jetën tonë është vaksinimi”, u shpreh Xhunga.

Më tej, Xhunga vlerësoi se pa vaksinim, fatkeqësisht, nuk do mundemi të dalim nga gjendja ku ndodhemi.

“Rama bëri maksimumin për marrjen e vaksinave. Pa vaksinë nuk do dalim nga kjo gjendje. Mendoj se Air Albania është vendi më i mirë në vend për vaksinimin. Personalisht, mezi pres te vaksinohem. Shkollat në Angli fillimisht u mbyllën, sepse virusi i ri është ngjitës. Ky virus është i çuditshëm dhe i pabesë. Prandaj, duhet të vaksinojmë veten”, deklaroi Xhunga.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb