Në fund të marsit 2019 primet e shkuara bruto për sigurimin e pronës nga zjarri dhe natyra arritën 284 milionë lekë, me një rënie me 26.4 për qind në raport me një vit më parë.

Të dhënat zyrtare për tregun e sigurimeve për tremujorin e parë të këtij viti tregojnë se ka një rënie të theksuar nëse e krahasojmë me vitin 2018 kur primet për të njëjtën lloj siguracioni ishin 386 milionë lekë.

Kjo rënie është reflektuar edhe në pjesën që zënë këto lloj sigurimesh në totalin e gjithë tregut të sigurimeve. Ndërsa në mars 2018 ato përbënin 11.96 për qind të tregut të sigurimeve në vitin 2019, respektivisht në fund të marsit ato përbëjnë 7.81 për qind.

Por ndërsa sigurimet nga forcat e natyrës dhe zjarri kanë pësuar rënie, shqiptarët kanë rritur sigurimin e pronës nga dëmtime të tjera. Primet e shkruara bruto për këtë sigurim u rritën me më shumë se 96 për qind duke arritur në 157 milionë lekë nga rreth 78 milionë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në përqindje në raport me tregun total të sigurimeve, sigurimi i pronës nga dëmtimet të tjera zinte 4.31 për qind të tij kurse një vit më parë 2.42 për qind.

Sigurimi i pronës nga dëmtime të tjera, zjarri apo forcat e natyrës bëhet në mënyrë vullnetare nga ana e individëve apo bizneseve çka e bën atë një sigurim ende të pakonsoliduar dhe me luhatje të dukshme nga viti në vit.

Dëmet e paguara bruto

Por ndërsa të ardhurat nga primet e sigurimit të pronës nga zjarri dhe forcat e natyrës kanë pësuar rënie me 26.4 për qind, dëmet e paguara bruto nga kompanitë e sigurimit për ata që kanë pasur një sigurim të tillë kanë rënë me 64.64 për qind. Deri në mars 2019 kompanitë kanë paguar 41.6 milionë lekë ndërsa një vit më parë 117 milionë lekë.

 

Dëmet e paguara për efekt të sigurimit të pronës nga dëmtime të tjera është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme duke kërcyer nga 13 milionë lekë në mars 2018 në 269 milionë lekë në fund të marsit 2019. Kjo shifër ka zënë edhe 21.57 për qind të dëmeve të paguara bruto në tregun e  sigurimeve gjatë 3 mujorit/Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb