Koncesioni i prodhimit të kartave dhe pasaportave, që i është dhënë prej 2008-s kompanisë ALEAT, përfundon në korrik të vitit të ardhshëm. Por, ndryshe nga si veproi me koncesionin e kontrollit teknik të automjeteve, të cilin e shtetëzoi sërish, Qeveria duket se po përgatitet që këtë koncesion ta vazhdojë. Në mbledhjen e mbajtur më 29 korrik, me propozim të ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, Qeveria ka miratuar përfshirjen e sektorit të programeve të shtetësisë te procedurat e skemat koncesionit, apo të partneritetit publik-privat.

Është e paqartë nëse koncesioni, apo PPP do t’i zgjatet sërish kompanisë ALEAT, por ky vendim qeverie nuk përjashton mundësinë që shërbimi t’i jepet një tjetër kompanie. Ajo që dihet është se koncesioni në fjalë siguron të ardhura prej miliona eurosh në vit për kompaninë, ku rekordin mbahet në 2019-n. Në këtë vit, sipas bilanceve të dorëzuar nga ALEAT, fitimi neto i kompanisë ka qenë rreth 15.5 mln euro. Viti i dytë më i mirë është 2010-a me rreth 11 mln euro fitim neto. Kontrata koncesionare për prodhimin e kartave të identitetit dhe pasaportave u nënshkrua në korrik të 2008-s, fillimisht me një afat pesëvjeçar. Dy vite më vonë kontrata ndryshoi, duke shtuar ofrimin e shpejtë të pasaportës dhe detaje të tjera teknike që lidheshin me përgatitjen e vendit për liberalizimin e vizave, që ndodhi në dhjetor të 2010-s. Nga ky ndryshim, Qeveria shqiptare i pagoi ALEAT 3.26 mln euro.

ALEAT sipas kontratës zotohej që të hapte zyra aplikimi në ambasada dhe përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë për të pajisur emigrantët me dokumentat e reja. Ndryshimi sanksiononte se nëse kompania nuk prodhon minimalisht 1 mijë karta dhe pasaporta në këto zyra, atëherë Qeveria do të kompensojë financiarisht njësitë e munguara.

Në 10 mars të 2013-s kontrata ndryshoi sërish dhe koncesioni u zgjat me 10 vite për të skaduar në korrik të 2023-it. Në zgjatjen e kontratës përfshihet edhe një pikë, sipas të cilës parashikohet që në 10 vjet, ALEAT të prodhonte rreth 3.6 mln karta identiteti dhe pasaporta. Nëse ky numër nuk arrihej, atëherë qeveria shqiptare, sipas marrëveshjes do të kompensonte financiarisht numrin e munguar.

Kontrata parashikon që mosmarrëveshjet të zgjidhen në gjykatat e Arbitrazhit, ku ishte caktuar Gjykata Ndërkombëtare me seli në Gjenevë.

Në 2021 kompanisë ALEAT iu dha përmes ndryshimit të kontratës kompetenca për të prodhuar karta identiteti dhe pasaporta elektronike. Sipas kontratës ALEAT është zotuar të implementojë disa teknologji të reja, në mënyrë që të përmirësojë procesin e prodhimit dhe në veçanti, të rimodelojë procesin e regjistrimit. Qëllimi i këtij përditësimi, thuhet në kontratën e re, është që të përmirësojë procesin e punës, duke përdorur teknologjinë më të fundit digjitale.

Ndryshimet përfshijnë futjen e e-Certifikatave të vendosura në çipin e kartës së identitetit me një afat vlefshmërie prej 10 vjetësh, pavarësisht se vlefshmëria e kartës së identitetit do të jetë për 50 vjet. Ky projekt, sipas ndryshimeve të 2021 është ende në fazë përgatitje infrastrukture dhe varet edhe nga ngritja e plotë e sistemit të shërbimeve elektronike nga ana e qeverisë. Çdo e-Shërbim që do të ofrohet në lidhje me kartën e identitetit do të jetë i kushtëzuar me vlefshmërinë e e-Certifikatave.

Të dhënat elektronike të regjistruara në çipin e kartës së identitetit duhet të përditësohen çdo 10 vite. Nëse nuk kryhet ky përditësim, që do të ofrohet nga sistemet që ALEAT do të ngrejë, atëherë kontrata parashikon që karta e identitetit nuk do të jetë e vlefshme për të përfituar e-Shërbimet dhe nuk do të shërbejë as si dokument ndërkombëtar udhëtimi.

Gjithashtu, ndryshimet e kontratës i japin ALEAT edhe të drejtën e prodhimit të çdo dokumenti identifikimi, duke mos u kufizuar vetëm te kartat e identitetit dhe pasaportat./gazetasi

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb