Nga TEDI BLUSHI
Na u shfaqe në ekran për të na kujtuar edhe njëherë dhimbjen për një vogëlush që iku nga kjo botë pa patur asnjë faj. Lëndove përjetë një nënë që për shkakun tënd humbi dritën e syve.
Atë natë të kishte dehur alkooli. Sot ishte dehur nga liria. Nëse udhëve të botës do iu rikthehesh sërish me makinë, sot do ishte e udhës të “zhdukeshe” nga sytë e botës. Por ti na u shfaqe sërish. Arrogante si atë natë. Si atë mbrëmje kur i gjete fundin pedalit të gazit dhe more një jetë.
Ti sot nuk ke fuqi të zhbësh atë që bëre. Të paktën të kërkoje një ndjesë. Që veç përbuzjes të na kurseje edhe neverinë. Neverinë e lyer me buzëkuq, rimel dhe make up mbi faqe.
“Ndjesë për një jetë të humbur. Shpresoj të më falë familja dhe Zoti”. Kaq pritej nga ti. Pa zhurmë, pa bujë. Kokëulur në jetën tënde. Më shumë askush nuk kërkonte prej teje. Kaq “pak” nga ti që sot “vrave” edhe njeriun brenda teje. Që sot “vrave” edhe moralin e një shoqërie. Asaj që në “funeralin” e moralit të pret me lule. Asaj që të duartroket kur vret. E që “braktis” atë që vdes.
Aministinë para ligjit ta fali shteti. Ti qofsh! Por vështirë do e kesh të amnistohesh para Zotit!
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: