Shqipëria nis të hënën një erë të re ndryshimi, teksa kuqezinjtë që tashmë do të drejtohen nga Silvinjo, do të masin forcat me Poloninë në Varshavë, në sfidën e parë kualifikuese të Euro 2024. Ish-kapiteni i Kombëtares, Altin Lala në një intervistë me Skype në News 24 foli për çështje të ndryshme si grupi, tekniku i ri, pikat e dobëta, apo edhe pikat e forta të përfaqësueses tonë.

“Unë mendoj se po, na kanë frikë. Ata janë me presion pasi duhet ta fitojnë ndeshjen medeomos. Ne e kemi ndeshjen e parë, mund të jemi agresiv, na duhet të mbajmë rivalin sa më larg zonës.

Silvinjo- Ai jeton në Shqipëri, ka energjinë dhe frymën e impenjimit. Këto janë disa gjëra kryesore. Kam besim tek ky trajner pasi ka energjinë e duhur. Ai ka patur në krah trajnerë të mëdhenj dhe ka mësuar nga ata. Lojtarët tani e kanë vetë në dorë. Shpresoj të marrim një rezultat pozitiv.

Zgjedhja e trajnerit nuk ka qenë e lehtë për Dukën. Për një kohë të shkurtër, Silvinjo është përshtatur. Kemi shanse të mira dhe këtë edicion që t’ia arrijmë qëllimit.

Mungesat në mbrojtje– Unë kam besim te zëvendësimet. E rëndësishme është që Uzuni të jetë në formë dhe mos kemi probleme, pasi mund të shfrytëzojmë kundërsulmet.

Bajrami ka patur ngritje. Kemi armët e duhura për të bërë mirë. Nga sulmi deri në mbrojtje le të jemi agresiv. Mendoj se mund ta zgjidhim si kolektiv, jo si individ.

Kemi disa të dëmtuar. Jam kureshtar të shikoj skuadrën që do zbresë në fushë. Të presim e të shikojmë. Nuk kam shumë informacion. Nuk mund të them shumë gjëra pasi nuk jam trajner, le t’ia lejmë lojës. Edhe unë mendoj si Mirel Josa, sistemi mund të ndryshojë gjatë lojës.

Mihaj dhe Balliu- Këto janë ndeshje të veçanta, motivimi do jetë i madh edhe për lojtarë që nuk kanë luajtur shumë. Lojtarët që nuk janë në formë mund të na ndihmojmë shumë. Një fitore e presim, pse jo. Edhe publiku i tyre mund të ndikojë për keq.

Grupi është pika më e fortë. Unë mendoj se lojtarët kanë cilësi. Për mua është çështje impenjimi, dashurie dhe përkushtimi. Futbolli kështu funksionon, as Marokun nuk e kishte pritur njeri të ecte aq shumë në Botëror. Mendoj se duhet të lëmë anash jo luan ky, jo luan ai. Duhet të ndryshojmë mentalitet. Mediat shkruajnë që humbëm për shembull me Gjermaninë, normal që do humbësh ndaj tyre.

Nuk jemi favorit. Polonia do bëj presion që në fillim. Kundërsulmi do ishte armë e fortë. Unë shpresoj që Uzuni të jetë në formë.

Kualifikimi- Në 2016 ka qenë më e vështirë me Portugalinë dhe Danimarkën. Duhet të besojmë dhe të luajmë guximshëm” – tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb