Nga: OLA MITRE*
TIRANE – Çdo orë pune shtesë e kryer nga punëmarrësi duhet të paguhet, por ato duhet të lihen në vullnetin e lirë të gjithsecilit”. Deklarata vjen nga presidentja e Federatës së Sindikatave të Administratës Publike Shtetërore Shqiptare, Entela Hysenllari, e cila përmes kësaj interviste, dhënë për “Gazeta shqiptare”, komenton disa prej neneve më të debatuara të Kodit të ri të Punës, i cili është duke u diskutuar në komisionet parlamentare. Sipas Hysenllarit, duhet të ketë një plan të detajuar për mënyrën e shpërndarjes së këtyre orëve ekstra, në mënyrë që të shmangen konfliktet mes punonjësve, ndërsa thekson se qeveria duhet të shohë si alternativë edhe punonjësit me kontratë të përkohshme, si një mënyrë për të zbutur papunësinë, por edhe për të mos rënduar buxhetin e shtetit.

Znj. Hysenllari, në Kuvend është duke u diskutuar projektligji që parashikon disa ndryshime në Kodin e Punës. Mendoni se këto ndryshime favorizojnë punonjësit?
Ajo që vëmë re ne si sindikatë është fakti se këto ndryshime ligjore të Kodit të Punës në përgjithësi janë pozitive dhe në interes të punonjësve. Kjo duke filluar nga futja e disa koncepteve të reja dhe rregullimin e marrëdhënieve të punës për këto profesione të reja dhe marrëdhëniet reciproke midis punëdhënësve dhe punëmarrësve (për shembull, telepuna apo punësimi nëpërmjet agjencive). Po ashtu, kemi absolutisht një përfshirje më të gjerë të të gjitha formave të cenimit të personalitetit: dhuna fizike, psikologjike, seksuale si dhe dëmtimin e së ardhmes profesionale të një punonjësi. Gjithashtu, në Kodin e ri të Punës, shpjegohen me detaje procedurat e marrjes apo dhënies së informacioneve midis punëdhënësve – punëmarrësve apo përfaqësuesve si dhe etapat e konsultimit midis palëve, rrjedhja e informacionit nëse përbën sekret tregtar etj. Por, ka edhe disa ndryshime që lënë vend për diskutim.

Në fakt, një nga ndryshimet më të diskutuara është ai që parashikon deri në 200 orë punë shtesë në vit me detyrim për punëmarrësin, por që nuk saktëson nëse këto orë duhet të jenë të paguara. Si e shikoni këtë ndryshim: favorizues apo penalizues për punonjësin?
Nëse këto orë shtesë do të jenë të paguara, kjo është, më në fund, një çlirim dhe lajm i gëzuar për ata qindra punonjës që kanë punuar me orë të tëra jashtë orarit zyrtar dhe me vetëdije që titullari i tyre nuk mund t’i paguante pasi nuk e lejonte ligji. Ata duhet të paguhen qindarkë më qindarkë për çdo minutë jashtë kohës normale të punës. Ashtu sikundër ligji është i rreptë për shfrytëzimin e kohës së punës, ashtu edhe truri dhe puna e nëpunësve duhet paguar dhe motivuar.

A duhet ta detyrojë një punëdhënës, punonjësin e tij për të punuar jashtë orarit?
Gjithçka duhet të jetë me vullnet të lirë. Nuk mund të detyrosh një punonjës të kryejë një punë me detyrim, pasi është dhunim i të drejtave themelore të njeriut. Në fakt, të punuarit jashtë orarit zyrtar të punës mund të jetë si një bekim dhe një mallkim njëkohësisht. Për disa punonjës, marrja e një shume të konsiderueshme parash nga puna e kryer jashtë orarit normal i ndihmon ata dhe buxhetin e tyre familjar. Por, shumë punonjës bëhen të varur nga paratë që përfitohen nga këto orë ekstra dhe krijojnë probleme sociale, duke u shkëputur nga jeta familjare, kujdesi për fëmijët. Për shembull, kur të dy prindërit janë të detyruar të punojnë punë jashtë orarit, kush do të kujdeset për fëmijët?! Në këtë rast do të kishim një shkatërrim të institucionit të familjes. Puna jashtë orarit zyrtar duket pozitive kur ajo paguhet, të rrit kënaqësinë për punë, rrit dhe të ardhurat personale. Gjithashtu arrin të përmbushë objektivat e institucionit në kohë, por, a munden praktikisht të gjithë titullarët e institucioneve të bëjnë një shpërndarje të barabartë të këtyre orëve jashtë orarit, për ata punonjës që realisht shfrytëzojnë kohën normale të punës dhe kanë detyrimin për të punuar edhe me kohë shtesë? Unë them jo. Kjo mund të shkaktojë pakënaqësi dhe përçarje midis nëpunësve dhe të prishë solidaritetin midis tyre. Në disa sektorë të veçantë të shërbimeve publike, apo edhe periudha të caktuara në institucionet shtetërore, është diskutuar shumë midis punëdhënësve dhe punëmarrësve problemi i orëve jashtë orarit. Qëndrimi i Sindikatës së Nëpunësve për orët shtesë të paguara është shumë i thjeshtë: orët shtesë me apo pa detyrim janë kryer nga punëmarrësit dhe nuk janë paguar për punën e kryer. Ne duam që këto orë të paguhen në mënyrë të drejtë dhe të paanshme. Duhet të ketë një plan të detajuar për mënyrën e shpërndarjes së këtyre orëve ekstra. Gjithashtu, duhet të saktësohet sa dhe si do të përllogariten ato për specialistët apo nivelin e mesëm dhe të lartë drejtues.

Orët shtesë të paguara mbi pagën e punonjësit janë edhe një ‘barrë’ për buxhetin e shtetit. Çfarë sugjeroni në këtë rast?
Është e vërtetë që kjo ka kosto në buxhet. Ndaj unë ngre pyetjen: a mos vallë është më mirë që qeveria t’u lërë dorë të lirë institucioneve për të marrë punonjës me kontratë për aq kohë dhe aq orë sa vetë institucioni e shikon të arsyeshme për përmbushjen e objektivave apo planit të punës?! Kështu do të kishim më pak të papunë në radhët tona. Si një vend që aspirojmë për në BE, duhet të bëjmë dhe përshtatjen e legjislacionit me vendet e BE-së. Dhe në fakt, në Këshillin e Evropës është miratuar një rezolutë që bën thirrje për një javë të shkurtër pune, me 40 orë të paguara. Vende të tjera të përparuara industriale e kanë shkuar tashmë në 37½ apo edhe 35 orë në javë pa reduktim në pagë.

Kodi i ri i Punës parashikon edhe një pushim 20-minutësh, pas 6 orësh punë, por këto minuta do të jenë të papaguara. A është i drejtë ky ndryshim?
Sa i takon nenit 54, kur punonjësi punon më shumë se 6 orë në ditë pa ndërprerje, duhet të parashikohet një pushim pa pagesë jo më pak se 20 minuta. Urojmë që të jetë një lapsus, pasi në Kodin e vjetër ka qenë me pagesë dhe ky është një kthim mbrapa për këtë nen. Duke i kthyer punonjësit në robot, duke u vetësakrifikuar, duke mos e bërë atë pushim përderisa do i zbritet nga rroga apo do jetë i detyruar të punojë më gjatë.

Gjatë diskutimeve për ndryshimet në Kodin e Punës, ndryshimet e parashikuara për nënshkrimin e kontratës janë konsideruar si tejet pozitive për punëmarrësin. A e mendoni ju këtë ndryshim në të njëjtën formë?
Po, tashmë neni 21, ‘Forma e kontratës së punës’, e përcakton lidhjen e kontratës vetëm në formë të shkruar si dhe maksimumi deri në 7 ditë kohë për ta nënshkruar nga momenti i fillimit të punës, ndryshe nga sa ishte më parë, 30 ditë. Por këtu nuk qëndron çështja sa e shpejtë apo e bukur është një kontratë. Çështja është sa zbatohet ajo kontratë. Sa dijeni ka punëmarrësi për përmbajtjen e kontratës, apo e firmos qorrazi dhe çfarëdo që të ketë shkruar pronari është “në rregull”. Nga ana tjetër, kush e udhëzon apo këshillon atë për afatet apo rastet e shkeljes së kontratës?!

Duke qenë se besimi i punonjësve te sindikatat në vendin tonë është shumë i ulët, a mund të na thoni se çfarë mund të bëjë sindikata për nëpunësit?
Sindikata është i vetmi instrument ligjor që bashkon fuqinë kolektive për të siguruar menaxhimin e një kontrate kolektive kuptimplotë reale dhe të drejtë. Duke u bashkuar me kolegët tuaj në një sindikatë, ju do mund të keni shumë përfitime në vendin tuaj të punës. Bashkimi në një sindikatë nuk është i kufizuar vetëm te pagat dhe rrogat, por mund të përfshijë edhe personalitetin tuaj jashtë orarit zyrtar të punës, sigurinë dhe shëndetin, koston e shpenzimeve tuaja për ngritje në karrierë, thellimin e studimeve, pensionet, pushimet, sistemet e barabarta të promovimit apo shpërblimit në punë. Nëpër-mjet sindikatës suaj, ju dhe kolegët tuaj mund të mbikëqyrni zbatimin e dispozitave të kontratës. Dhe nëse është e nevojshme, një sindikatë mund të mbrojë interesat tuaja deri në shkallët më të larta të gjyqësorit. Sindikatat nuk janë vetëm mbrojtëset e interesave të punëtorëve me paga të ulëta. Edhe nëpunësit dhe profesionistët e kanë të nevojshme bashkimin në një sindikatë. Nëpunësit duhet të jenë të vetëdijshëm për bashkimin në sindikatë, për të ruajtur integritetin profesional dhe respektin në punë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: