NGA ERMELINDA HOXHAJ

TIRANE– Sindikalistët e arsimit i kërkojnë takim ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, për të diskutuar në lidhje me ankesat që kanë mijëra arsimtarë në mbarë vendin. Në kërkesën e saj, Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë (SPASH) kërkon respektimin e normës mësimore dhe pagesën e orëve mbi normë të mësuesve, pagesën e transportit të arsimtarëve, duke llogaritur distancën nga vendi i punës, si dhe shpërblimin e fundvitit prej 10 mijë lekësh. Në kërkesën për takimin, e cila mban datën 22 nëntor 2016, sindikalistët i kërkojnë ministres Nikolla takim brenda datës 3 dhjetor, ose në të kundërt ata do të nisin protestat, deri edhe në pezullim të mësimdhënies.

SINDIKATA & KËRKESAT

Problemet kryesore që ngrenë arsimtarët kanë të bëjnë me anën financiare; kërkesat e tyre kanë të bëjnë me faktin se nuk po zbatohet norma e re mësimore (Udhëzimi nr.44), dhe se ata nuk paguhen për orët mbi normë. Po ashtu, shqetësues është edhe fakti i mospagesës së transportit për mësuesit që e kanë vendin e punës larg njësisë administrative ku banojnë.

“Këshilli Kombëtar i Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë (SPASH), në mbledhjen e tij të fundit, pasi diskutoi mbi marrëdhëniet e partneritetit me MAS dhe DAR/ZA, si dhe zbatimin e kontratës kolektive të punës, u ndal në disa probleme që shqetësojnë sot sindikatën dhe që kërkojnë zgjidhje të shpejtë: SPASH mbështet reformat arsimore që i shërbejnë rritjes së cilësisë në arsim, por konstaton se partneriteti me MAS-in nuk funksionon ashtu siç është parashikuar në ligj dhe në Kontratën Kolektive të Punës.

Kërkesat e SPASH janë:
1. Formatimi dhe funksionimi i Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar dhe të Këshillave Vendorë të arsimit parauniversitar.
2. Pagesa e transportit të mësuesve, duke llogaritur largësinë e vendit të punës nga qendra e njësisë administrative ku ata banojnë.
3. Pagesa e orëve mbi normë dhe pagesa e provimeve të fundit të maturës shtetërore dhe provimeve të lirimit për të gjithë mësuesit.
4. Shpërblimi prej 10 mijë lekësh për çdo mësues në fund të vitit, si detyrim ligjor që rrjedh nga Kodi i Punës, neni 114, pika 2, dhe neni 10.11 i Kontratës Kolektive të Punës”, sqarohet në shkresën e sindikatës së arsimit.

Më tej, në shkresë ata sqarojnë se, nëse nuk u mundësohet takim nga ministrja Nikolla, do nisin protestat deri në pezullim të procesit mësimor.

“Për problemet e trajtuara më sipër dhe të tjera që rrjedhin si pasojë e moszbatimit të Kontratës Kolektive dhe ligjit të arsimit parauniversitar, SPASH kërkon takim me ju brenda datës 03.12.2015. Gjatë këtyre tri viteve që ju drejtoni MASin, ne kemi zhvilluar vetëm një takim në janar të vitit 2014, sepse ju nuk iu jeni përgjigjur kërkesave tona për dialog rreth problemeve që na shqetësojnë. Në rast se ju nuk do të na mundësoni një takim, për të diskutuar për zgjidhjen e problemeve që shqetësojnë sindikatën dhe mësuesit në përgjithësi, pas datës 3 dhjetor 2016 ne do të organizojmë lëvizje sindikaliste sipas ligjit, deri në protesta para MAS-it dhe ndërprerje të procesit mësimor. Duke shpresuar që edhe ju do të respektoni partneritetin ligjor për t’i zgjidhur problemet e përbashkëta të mësuesve me dialog në tavolinën e bisedimeve”, sqarohet nga SPASH.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb