NGA ERMELINDA HOXHAJ*

TIRANE- Nisja e protestës ka qenë ultimatumi i sindikatave të arsimit për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Në datën 20 prill, në të gjithë sistemin parauniversitar të arsimit mësuesit do të zhvillojnë një grevë njëorëshe në orën e parë të mësimit. Veç mungesës së kontratës kolektive prej tri muajsh për 38 mijë arsimtarë, një kërkesë tjetër e ngritur nga sindi-kalistët është edhe ndryshimi që po kërkohet t’i bëhet ligjit të arsimit parauniversitar për sa i përket emërimit të mësuesve, si dhe kundërshtimi që ata i bëjnë testimit të arsimtarëve në muajin maj. Zëri i tyre është përcjellë nga sindikalistët, të cilët i kanë lënë afat MAS-it deri në datën 27 prill për nënshkrimin e kontratës kolektive, në të kundërt do të nisin grevë pa afat.
Ministria e Arsimit ka reaguar nëpërmjet një deklarate për shtyp, duke sqaruar se Kontrata Kolektive nuk është firmosur, për shkak se sindikatave u mungon deklarimi para noterit në lidhje me përfaqësueshmërinë. “Lufta” e sindikatave se kush përfaqëson numrin më të madh të mësuesve është ende e paqartë, edhe pse këto të fundit përfitojnë nga pagat e mësuesve 100 lekë në muaj.
Kontrata & Greva
Rreth 40 mijë mësues, që prej tre muajsh, nga 31 dhjetori i 2014-ës, po punojnë pa kontratë kolektive, pasi iu ka mbaruar afati. Për këtë vonesë, e cila është e para vonesë kaq e gjatë prej 20 vitesh, sindikalistët kanë paralajmëruar fillimin e protestave. Kjo vonesë, sipas tyre, rëndon drejtpërdrejt mbi mësuesit, të cilët mund të emërohen dhe shkarkohen nga drejtorët e shkollave, pasi ata nuk kanë një kontratë, e cila i mbron. “Kontrata kolektive është Kushtetuta e punës e të gjithë mësuesve. Aty konstatohet gjithë mbrojtja ligjore për mësuesit dhe, natyrisht që, në kuadrin e atyre bisedimeve që ne do të zhvillojmë për nënshkrimin e kontratës kolektive, do të jetë dhe kjo e testimit të mësuesve”, – tha Nevrus Kaptelli, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Arsimit. Ndërsa Xhafer Dorbushi, kreu i Federatës së Sindikatës së Arsimit tha se: “Qëllimi i këtij qëndrimi është i qartë. Të bëhen përpjekje për ta zvarritur procesin, për t’i lënë mësuesit pa mbrojtje ligjore, me qëllim që të kenë dorë të lirë për çdo lloj testimi apo veprime të tjera, përfshi emërimet, lëvizjet dhe largimet nga puna të mësuesve, të cilët i mbrojnë sindikatat nëpërmjet kontratës kolektive”. Po ashtu, një tjetër kërkesë e Këshillit Kombëtar të Aleancës Sindi-kale FSASH/SPASH është qëndrimi i tyre kundër testimit, që bie ndesh me ligjin dhe që rezulton i paefektshëm për zhvillimin profesional të stafit mësimor. Ndërkohë që kundërshtojnë edhe ndryshimin e nenit 60 të Ligjit të Arsimit Parauniversitar, për emërimet dhe shkarkimet e mësuesve, pasi me ndryshimin që kërkohet t’i bëhet, i kalon si kompetencë vetëm drejtorit të institucionit.
Reagimi
Në lidhje me Kontratën Kolektive të Punës për punonjësit e arsimit, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka sqaruar se i janë dorëzuar dy kërkesa të ndryshme; kërkesa për lidhjen e Kontratës Kolektive të Punës, e paraqitur nga Federata e Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës dhe Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë, nënshkruese të Kontratës Kolektive në periudhën 2010-2014; si dhe kërkesa për hapjen e bisedimeve, e Federatës së Sindikatave të Punonjësve të Arsimit, Edukimit dhe Shkencës së Shqipërisë. Por të dyja këto kërkesa, sipas MAS, kanë mangësi ligjore. “Sindikatave të arsimit u mungon deklarata noteriale para noterit, ku thuhet se prova e përfaqësueshmërisë ‘paraqitet në formën e një vërtetimi noterial, ku noteri vërteton numrin e anëtarëve të organizatës së punëmarrësve, në bazë të kuotizacioneve të paguara gjatë dy vjetëve të fundit ose deklarimeve, me shkrim ose me gojë, të punëmarrësve anëtarë’. Të dyja dokumentet e dorëzuara nga subjektet, paraqiten në formën e deklarimit të njëanshëm të palëve, të cilat deklarojnë nën përgjegjësinë e tyre përpara noterit numrin e anëtarëve të organizatës, duke mos rezultuar kështu asnjë vërtetim i hartuar dhe vërtetuar nga noteri sipas kërkesave të ligjit”, – thuhet në reagimin e MAS.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: